“””””””””””””””
Përmbi pisha n’atë mal dielli,
Lëshonte rreze sa del drita.
Po m’gazmonte fort ai qielli,
M’kapi vapa e n’hije prita.
Si sorkadhe butë më erdhe,
Shtati yt si lis me gemba,
Bardh si bora, lule shege,
Kur të pashë, sa s’më doli zemra!
N’breg të detit pas të shkova,
Një nga një rrobat i zhveshe,
Kur të pashë, si nuk shkallova,
Si sirena mbi det u derdhe.
Sytë e tu livadh i malit,
Me gërsheta përmbi shpinë,
Gjinjtë si ftua, dehja e djalit,
Seç më zgjuan dashurinë.
Deti i gjërë me mantel blu,
Bash si ndjenja që m’u zgjua.
Humba krejt në sytë e tu,
E mes zjarrit thashë: ”Të dua!”
More vrapin, lart te pyjet,
Dielli detit t’kishte skuqur.
Të leva butë sa dolën yjet,
Hënë e diell mbi buzë puthur.