23.5 C
Tiranë
E shtunë, 25 Prill 2026

K Hajdari Poezi

I BIRI
(Molla bie nën mollë)
“Më fal baba, ta them hapur atë që më bluan brenda”
I shkruante në një letër të rrudhosur e djegur nga loti,
“Më fal, se dashurova zanatin tënd më shumë se kënga,
Muzika…, s’dua të zhgënjej por ishin vite shkuar së koti.”
Përherë e kishte përkëdhelur dhe ushqyer muzikën,
Dhe shpesh, në ëndrra, e shihte të birin mes yjesh,
Kurrë nuk dyshonte dhe as kishte patur frikën,
Se djali do të humbej një ditë si gjethja mes pyjesh.
Humbiste i mërzitur në morinë e mendimeve,
Bota përrreth përtypej e mbytej në abiset e kohës.
Ditë tjetër do kish ndjerë dhe praninë e vështrimeve,
Por sot, ndjente veten të përjashtuar prej botës.
“Do të bëhesh muzikant” i thoshte shpesh të birit,
Dhe kokën i mbushte me këngë e emra të shquar,
Dhe i quante me shumë vlerë, si perrlat e floririt,
Çdo këngë e notë, çdo tingull nga i biri kënduar.
Po ku është sot biri i tij, i dashur, pse iku, u harrua?
Hapat lëviznin rëndë në kalldrëmin e gurtë,
“S’është kënga baba, s’është kënga për mua”
I thosh shpesh dhe fjalët i digjnin faqen e purpurtë.
I dukej sikur po e ndiqte në kantierin e largët,
Veshur me çizme e kaskën, si të gjithë, për punë,
“Eh, mor bir, mua kantiereve flokët m’u zbardhën,
Dhe ti, nuk zgjodhe një zanat më të mirë se unë!?”
Kujtimet e merrnin për dore dhe e çonin në kantiere,
Me djalin që i shkonte nga pas e fluturonte nga gëzimi,
Dukej sikur kishte kapur yjet me dorë ato ditë vere,
Kur ndiqte pas të atin, mëngjeseve, pa zbardhur agimi.
Ç’dashuri e mall për kantieret në shpirt i kish mbirë!
(Babai, kantieret, ja çonte dhe në shtëpi me bisedat e shakatë)
Dhe ai sigurisht do t’i ngjante, ndryshe si do ta quante “bir”?
Shpesh, këto ditë, shikonte kitarën varur si një mëkatë.
Kujtim Hajdari
“”””””””””””””””””””

IKËN DUKE NA PRITUR ME LOTË NË SY
(Duke u kthyer nga mërgimi)
Të vjetërit prehen në heshtje këtu, në kënd,
Në këtë pyll mermerësh, nën ullinjtë e lashtë,
Ndoshta e ndjejnë sot dhe hapin tim të rëndë,
Dhimbjen që fshikullon e më ngrin këtu jashtë.
Të afërm e të njohur përreth, kudo i ndesh,
Shëtis dhimbjen time e mallin shpërndaj,
Ndjej se gjithë mermerët i kam si peshë,
Kur kujtoj se na kanë pritur me syrin në vaj.
Një copë rè shoh të grisur mbi gjineshtra,
Si një shami lotësh të djegur e copëtuar,
Afrohem ngadalë sikur shkel mbi eshtra,
Të lexoj amanetet në blu-në e vjetëruar.
Të dëgjoj një fjalë nga pemët që flenë,
(Me siguri kanë folur kur s’na prisnin dot më,)
Thonë se pema e vjetër jehonat i kthen,
Sa do të çmallesha t’u dëgjoja pak zë!
Kujtim Hajdari
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.