6.5 C
Tiranë
E shtunë, 25 Prill 2026

Nikollë Loka

 

 

ZEF CARA NË NJËQINDVJETORIN E TIJ, DËSHMITAR I ZGJEDHUR I NJË EPOKE.Open Photo

Me 22 tetor të këtij viti Zef Dodë Cara mbush një shekull, të cilin mund ta quajmë dhe qindvjetëshi i tij. Ai është ndër të paktit njerëz që ka fatin ta prekë shekullin tjetër. Me 23 tetor futet në shekullin e ri. Vitet që ka kaluar nuk janë një qindvjeçar i zakonshëm, por një epokë në histori që përmban ndryshime rregjimesh, pushtim, luftë çlirimtare dhe zhvillime shoqërore të vrullëshme. Zefi është dëshmitar autentik i kohës së tij, që nis me përpjekjet për konsolidimin e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore, përfshin përpjekjet për mbijetesë në periudhën midis dy luftërave, Luftën Nacionalçlirimtare dhe të gjithë etapat që kanë shoqëruar historinë shqiptare në vijimësi deri më sot, ku ka qenë protagonist ose vëzhgues i vëmendshëm. Për 37 vite të jetës aktive, ai qe i angazhuar në drejtimin e punëve si zyrtar i lartë shtetëror dhe politik, detyra të fituara me shumë punë, përpjekje, sakrifica dhe suksese, si dhe periudhë e angazhimeve të vazhdueshme për shkollimin e tij.

Zefi vjen nga një familje e njohur e Domit të Spaçit, që shtrihet në luginën e Fanit të Madh. Familja i dha edukim të shëndoshë atdhetar, të cilin e plotësoi me edukimin përmes mësimeve dhe leximit. Në vitin 1936, kur ishte 15 vjeç filloi shkollën dhe e mbaroi kur u bë 20 vjeç(bashkmoshatarët e tij martoheshin në këtë moshë). Dija ishte një thesar që njerëzit duhet ta merrnin dhe të dinin si ta përdornin. Fatkeqësisht atëherë të shkolluarit, me atë arsimin fillor të vendlindjes, nuk fitonin asnjë perspektivë jete dhe kjo ndikoi jo pak në qëndrimin e njerëzve ndaj shkollës. Zefi e mbaroi shkollën në vitin 1940, kur vendi ishte pushtuar nga italianët dhe menjëherë u fut në punë, në një shoqëri italiane për hapjen e rrugës automobilistike Shpal-Gjegjan dhe pastaj, në vitet 1941-1942, punoi në Minierën e Bakrit Rubik. Vite më vonë, në një përshëndetje dërguar puntorëve të Rubikut, me rastin e një përvjetori të grevës së minatorëve shkruan: “Kushtet e punës ishin tejet të vështira, dita e punës ka qenë 12 orë dhe paga ishte mjerane. Punëtorët vendës bënin disa orë rrugë nga shtëpia në punë dhe anasjelltas, ndërsa të ardhurit ishin të strehuar në një barakë prej dërrase, tejet të amortizuar, ku mezi i kalonin netët e dimrit”. Ndërkohë, personeli puntor dhe inxhiniero-teknik italian paguhej më mirë dhe jetonte në kushte komode për kohën, në ndërtesat e bëra posaçërisht për ta.

Në Rubik, Zefi pa me sytë e tij, si i huaji të vjen në shtëpi pa e ftuar dhe të bëhet zot shtëpie, por edhe të vjedh pasuritë kombëtare. Aty, në mes të puntorëve lindi urrejtja kundër fashizmit, por edhe u formua vetëdija për të luftuar për çlirimin e vendit.

Me intensifikimin e luftimeve, miniera e Rubikut u mbyll dhe Zefi me bashkëfshatarët e tij, rreth 20 puntorë nga zona e Gjegjanit kthehen në vendlindje. Në fillimin e shtatorit të vitit 1944, veprimet luftarake u zhvilluan edhe brenda Mirditës, ku Zefi iu bashkua formacioneve partizane në Brigadën XVII S, fillimisht si partizan dhe pastaj si korrier partizan, që dërgonte postën nga Shpali në Pukë dhe Rrëshen e anasjelltas. Të ishe partisan, në atë kohë, ishte titull nderi. Si partizan ai pa një sjellje tjetër, një solidaritet njerëzor, frymë sakrifice dhe heroizmi. Në pushimet ndërmjet luftimeve, bëhej punë politike, ku flitej shumë për luftën, për jetën e re që do të vinte, për hapje shkollash, për angazhimin e të rinjëve si forca shoqërore më aktive, fjalë me vlerë, sidomos për ata të rinj që kishin ëndrra dhe donin të ecnin përpara në jetë.

Pas çlirimit Zefi e vazhdoi jetën ushtarake dhe shërbeu në Peshkopi e Delvinë. Në Delvinë, repartit të tij i takoi të përballet me provokacionet e monarko-fashistëve grekë, ku Zefi shquhet për trimëri, angazhim në stërvitje dhe disiplinë, prandaj në vitin 1947 pranohet në rradhët e Partisë.

Në fund të vitit 1947, bëhet riorganizimi i reparteve ushtarake dhe një pjesë e pjesëmarrësve, përfshirë Zefin, lirohen nga detyra.  Kthehet në vendlindje, ku menjëherë emërohet drejtues pushteti. Në atë kohë, drejtuesit e pushtetit në lokalitete trajtoheshin me respekt të madh nga populli, sepse për shumë probleme, lokaliteti ishte dera e parë dhe e fundit ku qytetarët mund të trokisnin. Në atë kohë është këmbëngulur që kuadrot drejtuese të ishin njerëz të zotët dhe me autoritet, burra të shtëpive me emër, sepse shumë probleme do të zgjidheshin sipas normave të traditës. Malësori i atyre anëve ishte rritur me ndjenjën e drejtësisë dhe respektonte pa masë kuadrot që e manifestonin një cilësi të tillë.

Ishte koha kur e gjithë shoqëria, në një mënyrë apo një mënyrë tjetër, duhet të sakrifikonte. Ecja përpara nuk mund të bëhej ndryshe, vetëm duke i parë vështirësitë si pjesë e jetës dhe jo si pengesa të pakalueshme. Në atë periudhë, në shumicën e rasteve, njerëzit që sakrifikonin, punonin, lodheshin, udhëhiqnin me shembullin e tyre, konsideroheshin të nevojshëm për shoqërinë. Pra puna ishte mjeti për të fituar respekt dhe status më të lartë në shoqëri. Në vlerësim të punës që kreu, Zefi u emërua instruktor në Kryesinë e Frontit Demokratik të Rrethit të Mirditës dhe pastaj kaloi me punë në aparatin e Komitetit të Partisë, ku punoi me kuadrot e parë,  që kishin dhënë prova të atdhetarizmit në luftë dhe përkushtimit në punë si Gjon Gjonaj, Gjon Frroku, Mëhill Doçi, Matë Dod Pepa, etj. Në atë periudhë, krahas punës bëhej shkollimi pa shkëputje nga puna. Me fillimin e shkollës shtatëvjeçare në Rrëshen, Zefi e vazhdoi shkollimin me korepondencë dhe pastaj plotësoi edhe shkollën e mesme, po me korespondencë.

Guxoj të them se Shqipërisë nuk i ka ardhur brez më punëtor, më idealist se brezi i Zefit që përjetoi sakrificat e viteve të para të pasçlirimit, kur vendi kërkonte të shëronte plagët me të gjitha pasojat e tyre, bashkë me prapambetjen shekullore të trashëguar. Sekreti i sukseseve të Zefit ka qenë zgjuarsia, përkushtimi në punë dhe aftësia për të organizuar e drejtuar. Ai ishte kuadër me mendje të kthjellët, kompetencë, korrektësi e me cilësi të veçanta komunikimi, mbi të gjitha me karakter për tu admiruar.

Në vlerësim të punës së tij, Zefi shpejt do të bëhej njëri nga drejtuesit kryesorë të Mirditës, fillimisht shef Sektori në Komitetin e Partisë së Rrethit dhe pastaj sekretar i Dytë. Në vitet 1953-1959 kalon në detyrën e lartë dhe me shumë përgjegjësi të Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë në rrethet Mirditë, Lezhë dhe Pukë. Në vitet e para pas çlirimit, për kuadrot me perspektivë krijoheshin mundësi shkollimi në të gjitha format e mundëshme. U krijua një rrjet i gjërë shkollash e kursesh me korespondencë, përfshirë dhe arsimin e lartë. Studentët që vazhdonin shkollat e larta me korespondencë përfitonin shkurtim në orët e punës dhe pushime për provimet. Disa nga kuadrot më të vlerësuar i dërgonin për studime jashtë vendit. Zefi ishte njëri prej tyre. Në vitet 1959-1961, ai ka vazhduar studimet për filozofi dhe ekonomi politike në Bashkimin Sovjetik. Me t’u kthyer nga studimet, emërohet kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Mirditës, ku qëndroi për pesë vjet, deri në vitin 1966.  Vlerësim i lartë ndaj tij është dhe zgjedhja deputet, në vitin 1958, si përfaqësues i Pukës, pasi punonte atje dhe pastaj dy herë në Mirditë, në vitet 1962 dhe 1966.

Me largimin nga Mirdita, për 16 vjet rresht, Zefi ka punuar Drejtor i Drejtorisë së Peshëmatjes dhe Kalibrimit në aparatin e Këshillit të Ministrave, ku ka dalë në pension në vitin 1982. Edhe puna si drejtor në Këshillin e Ministrave prej 16 vjetësh pa ndërprerje, shpreh vlerësimin e lartë që kishte Kryeministri dhe drejtuesit e tjerë të Qeverisë ndaj tij.

Zefi e mbylli jetën aktive si zyrtar i lartë shtetëror 39 vjet më parë, i vlerësuar nga kolegët e punës dhe shoqëria në tërësi, duke bërë krenar vendlindjen dhe mbarë krahinën e Mirditës. Për rezultatet në punë, Zef Cara është vlerësuar me Urdhrat e Punës të Klasit III (1955) dhe të klasit II (1961), si dhe me medaljen “Për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore” (1984).

Edhe pas daljes në pension, Zefi mbeti një qytetar i angazhuar, aktiv në Organizatën e Veteranëve të Luftës. Në këtë kohë, pati më shumë kohë për takime me shokë dhe miq. Për disa vite jetoi në Romë, ku e bija, Vera,  punonte si diplomate në Ambasadën e Shqipërisë atje. Mosha, detyrat që ka kryer, përvoja e njohjet e tij e bëjnë Zefin një bashkëbisedues interesant. Brezat e sotëm kanë nevojë për dëshminë e tij, si përfaqësuesi i atij brezi të lavdishëm të Luftës Nacionalçlirimtare dhe të futjes së vendit në rrugën e modernizimit dhe të zhvillimit të pandalshëm.

Qytetarë si Zef Cara, për shkak të cilësive të moshës dhe të funksioneve që ka kryer, me një kontribut të gjatë si qytetar aktiv, duhet të ishin në vëmendje të organeve të pushtetit lokal dhe qendror. Bashkia e Tiranës ka arsye të organizojë një veprimtari me rastin e njëqindvjetorit të tij, si njëri nga qytetarët e paktë që arrin të bëhet njëqind vjeç dhe, për më tepër, një personalitet i shquar i kohës së tij. Po kështu, Ministria e Mbrojtjes duhet ta di se Zefi është njëri ndër të paktit luftëtarë të mbijetuar nga Lufta Nacionalçlirimtare. Zef Cara është mirditori më i shquar i të gjitha kohërave, që ka prekur një shekull jetë. Nuk besoj se një tjetër i shquar e ka kaluar shekullin, prandaj ditëlindja e tij është një ngjarje edhe për Mirditën, që e pati në rreshtin e parë të shtetarëve të saj.

Të bëhesh njëqind vjeç është privilegj nga natyra, ndërsa të jesh një njëqind vjeçar i realizuar, i vlerësuar dhe që ke lënë gjurmë në jetë është punë, sakrificë dhe përkushtim për një periudhë të gjatë kohe.

Zef Cara e ka shkruar librin e tij të jetës, i cili edhe pse i papublikuar ende(shpresojmë t’i kemi në një libër kujtimet e tij) ndikon te të gjithë miqtë e shumtë, sa herë flitet rreth tij. E ka shkruar atë libër në kushtet e reja, si dëshmitar i brezit të vet, atij brezi që e ngriti Shqipërinë nga themelet. Edhe shumë vite të tjera Zef Cara, që të gëzosh ecjen përpara të shoqërisë sonë, por edhe të dëshmosh për historinë, si njëri ndër të zgjedhurit e një epoke të saj.

 

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.