V A J Z A T
Shoh vajzat që për provimet nxitojnë
Dhe librat mbrëmë i mbyllën të fundit
-S’ka kohë për nesër, s’ka kohë – thonë
Kështu u përgjigjen kalimtarëve sa mundin.
Edhe ndonjë “ngacmim” nga të dashurit e marrin
Me të qeshur, me shaka.
-Ti s’e di si e kemi ne hallin
Kemi provim nesër vëlla.
RA SHI MBRËMË
Të gjithë i lanë bosh rrugët
Parqet, çdo gjë
Vetëm takimet e të dashuruarve
S’u kthyen më.
Ra një shi mbrëmë
Në qytetin tim, në lagjen t’ime
Në sytë e të dashuruarve
Puthje, shi e përqafime.
S’ECËM NË TË KUNDËRT
Në ditënetët tona dashurinë rrisnim
Si një Hënë e plotë
Për vdekjen asnjëherë s’flisnim
As për ndonjë mërzitje të kotë.
Në ditënetët e hareshme
Projektuam ecjet, rrugët
Dhe s’ecëm kurrë në drejtime të ndryshme
S’ecëm kurrë në të kundërt.
“””””””””””””””””””””””””””””
KUR LEXOVA LAJMIN
E mora dhe unë gazetën atë ditë,
Si shumë të tjerë që e kishin nëpër duar.
Më shpoi si një gjëmb në shpirt,
Kur pashë lajmin e publikuar.
Vdiq i madhi, poeti e shkrimtari Dritëro,
Shkruhej poshtë fotos së tij, hijerëndë.
Dhe unë u trishtova shumë domosdo,
Thashë:- Iku dhe një burrë me mënd.
E shihja fotografinë me shumë çudi,
Shkëlqente si një meteor i ndritur.
E afrova gazetën me butësi,
Dhe nga sytë më ranë dy lot papritur.