9.5 C
Tiranë
E mërkurë, 18 Mars 2026

Ndue Lazri

DREJT ÇERDHES SË SHQIPONJËS
(Shtëpia verore e Hitlerit në Alpet bavareze)
Para ca kohësh po shikoja një dokumentar të realizuar nga amerikanët, i cili bënte fjalë për disa bunkerë të tjerë të Hitlerit, të ngjashëm me atë që ndodhej në Berlin. Janë dy bunkerë të tjerë, një në jug dhe një në veri të Gjermanisë, kurse një tjetër në Argjentinë. Tek ky i fundit flitej me dokumente që hierarkë të lartë të Rajhut të tretë gjerman janë strehuar pas luftës, duke i shpëtuar gjyqit të Nurembergut dhe dënimit. Filmimet që pashë, sidomos për njërin prej tyre që ndodhet vetëm 25 kilometra larg nga Salzburgu i Austrisë, më bënë kurioz dhe më ngjallën dëshirën për ta vizituar.
Bëhet fjalë për atë që quhet Çerdhja e shqiponjës, një shalet – kështjellë, të cilën hierarkët e lartë nazistë ia bënë dhuratë Hitlerit me rastin e 50-vjetorit të lindjes së tij. Kjo ndërtesë është ngritur në një mal me emrin Kehlstein, 1834 metra i lartë. Sot ndërtesa sipër është një restorant turistik, me ballkone nga të gjitha anët ,prej ku soditen pamje të mrekullueshme, sidomos ato të liqenit Këningsee, që shtrihet në luginën poshtë tij. Përballë është mali Watzmann, që me lartësinë e tij prej 2713 metra është i dyti në Alpet bavareze. Por ajo që impresionon është ashensori që ngjit tek ndërtesa, i cili përshkon në brendësi të malit një lartësi mbi 100 metra për 41 sekonda. Ashensori është mjaft i madh dhe luksoz, me parete të veshura në bronx dhe me karrrike të veshura në lëkurë të gjelbër.Po në brendësi të malit, siç tregohej në dokumentarin amerikan është një bunker gati i njëllojtë me atë të Berlinit dhe ka një dalje të fshehtë në këmbët e malit. Ajo dalje çonte në stacionin e një linje po të fshehtë hekurudhore në kohën e luftës, prej nga mendohet se janë larguar hierarkë të lartë nazistë.Mund të jetë një imazh i 1 person, në këmbë, liqen dhe natyra
Shtëpia verore e Hitlerit, ku ai ka kaluar fare pak ditë në vitet 1938-1939, (pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore nuk ka shkuar më aty) është ndërtuar brenda një kohe të shkurtër, në 13 muaj. Ata që ia bënë dhuratë kreut të nazizmit, nuk u përmbajtën në shpenzimet e buxhetit dhe në atë kohë ka kushtuar 30 milionë marka gjermane. Për ndërtimin e saj kanë punuar shumë inxhinierë dhe mbi njëmijë punëtorë. Brenda ajo është mobiluar me mobiljet më luksoze të kohës, ndër të cilat bën pjesë edhe oxhaku i mermertë, të cilin ia kishte bërë dhuratë miku dhe aleati i tij, kreu i fashizmit italian, Musolini.Mund të jetë një imazh i 1 person, mal dhe natyra
Me këto e të tjera informacione të mësuara për këtë shalet, u nisëm me Mozën që nga Salzburgu drejt Alpeve bavareze. Menjëherë sapo del nga rrethinat e qytetit austriak të muzikës, rruga nis e gjarpëron luginash e malesh dhe futesh menjëherë në kufirin gjerman. Vjeshta gjermane është po aq e bukur sa ajo austriake. Pyjet aq të dendura e të mirëmbajtura, me një pasuri bimësh e drurësh, që në këtë stinë të bukur shpalosin ngjyra nga më të ndryshmet e ku sundojnë e arta me të blertën, e bëjnë udhëtimin të këndshëm, piktoresk e nuk e ndjejmë ngjitjen drejt majave të larta. Fshatra të bukura, me shtëpi karakteristike alpine e me kullota me bar të blertë ku kullosin tufa lopësh. Përrenj të vegjël uji që gurgullojnë mes pyjesh e bashkojnë këngën e tyre me shushurimën e gjetheve nën një erë të lehtë. Edhe kjo ditë është e bukur, gjithë diell, i cili u jep shkëlqimin e magjishëm pemëve që përgatiten të heqin mantelin e tyre e të zhvishen para dimrit që ka zbardhur majat e maleve.
Pasi kalojmë qytetin e bukur Berchtesgaden në një luginë lumi, ngjitemi drejt një pike të quajtur Obersalzberg. Këtu është një parking i madh për autobuza e makina private. Një turiste e re, që flet anglisht, na afrohet e na thotë: -Unë e vizitova këtë vend e do zbres poshtë drejt Salzburgut. E kam biletën e parkimit ditore. Ua dhuroj. E falënderojmë dhe përpara se të ikte me makinën e saj, i kërkuam të na bënte ndonjë foto, kërkesë të cilën ajo e plotësoi me mirësjellje e me buzëqeshje.
Në këtë pikë ndodhet një ndërtesë që tani shërben si qendër e dokumentacinit mbi nazizmin. Një pjesë e mirë e fasadës së saj është e xhamtë. Këtu ka dokumente të shumta jo vetëm muzeale, por dëshmi të tjera që tregojnë se çfarë prezantonte kjo pikë mes malesh në vitet ‘30 të shekullit të kaluar për Fyhrerin gjerman dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Hitleri e kishte shumë për zemër këtë pikë malore në të cilën ka kaluar 4 vite dhe pat ndërtuar këtu si të thuash qendrën jugore të qeverisë së tij naziste, në vilën e quajtur Berghof. Përveç kohës së kaluar këtu me të dashurën e tij Eva Braun, Hitleri priste këtu edhe bashkëpunëtorë si Gëring, Gëbels, Hess, Borman e plot të tjerë. Pikërisht këtu janë marrë disa nga vendimet më të rëndësishme, si Plani Barbarosa dhe sulmi kundër Bashkimit Sovjetik. Ndërtesa e sotme është ndërtuar pas vitit 1952, sepse vila ekzistuese përpara saj ka qenë bombarduar dy herë, derisa u bë gërmadhë e plotë. Ndërsa shaleti-kështjellë në majën sipër saj u shpëtua në sajë të një marrëveshjeje me amerikanët.
Për fat të keq, restoranti ishte i mbyllur për shkak të pamdemisë Covid 19 dhe nuk mund të vizitohet. Gjatë dimrit mbyllet përfundimisht për shkak të kushteve klimatike dhe rihapet në maj.Mund të jetë një imazh i 1 person, në këmbë, liqen dhe natyra
Duke parë se restorantin nuk mund ta vizitonim, vendosëm të shijonim liqenin mbi të cilin e hedh syrin vizitori që nga maja ku ndodhet shaleti, liqenin Këningsee. Zbritja drejt liqenit është po aq e bukur e piktoreske përmes pyjesh e një rruge gjarpërushe. Liqeni është një pasqyrë transparente uji, që ndjek kthesat e maleve. Jo vetëm emri i tij, që do të thotë Liqeni i mbretit, por edhe pamja e tij është përrallore me ujrat që marrin ngjyrë smeraldi dhe me një ishull të vogël, që ngjan më shumë me një çerdhe mjellmash mbi ujë.
Është i thellë rreth 200 metra dhe konsiderohet si liqeni me i pastër në gjithë Gjermaninë. Edhe tragetet e vegjël që lundrojnë nëpër të nuk konsumojnë karburant, por janë elektrikë. Shtëpitë e lokalet rreth tij janë si në një botë përrallash.
Të mahnitur pas bukurive të pejsazhit, diku humba telefonin tim celular, për të cilin u kujtuam vetëm pasi kishim ikur nga Gjermania e e ishim kthyer në Itali. E konsiderova të humbur. Moza tentoi t’i binte numurit disa herë, zilja tingëllonte normalisht, por nuk përgjigjej askush. Mirëpo korektesa gjermane është proverbiale. Më vonë qenë vetë ata që na kontaktuan në numurin e Mozës. Një fëmijë e kishte gjetur telefonin mbi bar dhe ia kishte dorëzuar të atit. Duke parë thirrjet ngulmuese të numurit të Mozës, ata formuan këtë numër dhe na thanë të mos bëheshim merak për telefonin. Na kërkuan adresën dhe tani e kanë nisur me postë, e presim të na arrijë këto ditë.Mund të jetë një imazh i 2 persona, njerëz në këmbë, natyra dhe pemë
Janë edhe episode të tilla që bëhen pjesë e shetitjeve turistike. E kur kanë përfundim të gëzueshëm, përshtypjet e udhëtimit bëhen më të bukura e me ndjenja mirënjohjeje ndaj atyre që jo vetëm dinë të jenë mikpritës e dashamirës, por edhe korektë e të gatshëm për ndihma të çdo lloji.
Ndue Lazri
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

1 KOMENT

  1. GJej rastin që ta falnderoj NDUE LAZRIN për këtë shkrim mjaft interesant.Nga ana tjetër,kam dhe një arsye më shumë: jam impresionuar nga lirikat e tij tek libri”Ankesa e mjelmës”.
    Si të thuash,dy gëzime njëherësh. I uroj krijimtari të mbarë dhe,pa dyshim,një urom për”DOLLIBASHIN”,ZOTËRINË E NDERUAR,GJIN MUSA që di të përzgjedhë krijime me vlerë.

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.