14.5 C
Tiranë
E mërkurë, 15 Prill 2026

Llesh Ndoj

RIBOTIM.
Kur situata po përkeqësohet e pikëpyetjet shtohen rreth shumëçkaje, nuk gjeta mënyrë më të mirë për t’u përshëndetur në fundjavë se sa vargjet e bukura të Hasan Hasanit në librin “Monolog me Malin”, të cilat tingëllojnë aktuale edhe sot.
I shkruar në një periudhë të izolimit (ngujimit) total për shkak të sëmundjes covid-19, vargjet e këtij libri nuk mund t’i shpëtonin qëndrimit të autorit ndaj fenomenit, zemërimit e mallkimit të tij. Ai, në mungesë të Malit (nipit) “dialogon” me lulet në oborre që fëmijët nuk po I këpusin dot për dhuratë (!), me barin që rritet e që fëmijët nuk e shkelin, duke ngritur pikëpyetjen e madhe se a mund të ekzistojnë ato (lule e njomshti pranvere) pa fëmijët?! E mundon izolimi, sidomos I pleqëve, mungesa e bisedave të gjata me shokët, diskutimet krijuese, kafeja e përditshme në qoshen ku e pi kafenë tash shumë vite…. Dhe dialogon me foton në mur me nipin duke na sjellë vargje të bukura.
Në asnjë moment autori nuk i ndanë në vargjet e veta Dushkajën e Mirditën. Ato janë e mbeten krenaria e tij, frymëzimi i tij, faltorja e tij e përjetshme. Ja si shprehet ai: …T’falem Dushkajë që m’bëre ky që jam sot… / Dhe ty Mirditë që ma bëre të mirë ditën…duke përfunduar me premtimin solemnse: …Gjithnjë gjunjëzuar para teje si para Altarit/ Ama Dushkajë, Mirdita është mbiemri im!
Poeti është gjithnjë në kërkim të muzës së tij. Herë herë, muza poetike gjendet me vështirësi. Kohët jo kurdoherë të japin optimizëm e frymëzim, por edhe këtë zgjidhje autori e gjenë në Mirditë. Ja si shprehet ai, duke perifrazuar zërat e të parëve që i thonë: …Pse kërkon dyerëve t’gabuara pse kërkon?/ Ja ku i ke Zanat e Munellës – drejtoju/ Ato ti zgjidhin problemet që të mundojnë….
Në ditën e 9 po u paraqes 5 këngët vijuese:
***
31.
Oborri është mbushur me lule. Nuk ka kush t’i shkelë
As t’i këputë. Po i ruan xhelati i quajtur Corona Virus.
Bari është rritë. Kostarëve iu kanë ndryshkur kosat
S’ka kush t’i kosit!… Njëzet prilli i pranverës së vdekur,
Edhe njerëzit me doreza të plastikës e me maska në gojë
Janë bërë si palaçot kur argëtojnë fëmijët në cirk,
E unë nga dritarja shikoj lulet dhe barin i trishtuar
Dhembja më këput që s’mund ta mbledh një tufë,
Për t’i dhuruar, ashtu siç veproja viteve t’harruara
E më bëhet se edhe lulet kërkojnë duart tuja të njoma,
Duart e fëmijëve… I kërkojnë t’i këputin për dhurata
Sidomos të dielave, kur n’pikniqe shkrihen shpirtërat
Shijojnë prehërin, lulet, përqafimet, puthjet e afshta,
Duke u dëfryer gëzueshëm si gjithë fëmijët e globit
Si n’Kosovën me Virus, si n’Alaskën e Akullnajave,
Sa e trishtueshme qenka t’i shikosh lulet duke u rritur
E mos t’i shkelin fëmijët, duke i këputur për dhurata
Jetë çmendurake Mal, lule e fëmijë s’jetojnë ndaras
E kështu siç janë sot, janë të burgosur që të dy palët,
Fëmijët në dhoma e mure, lulet burgosur në kopsht
Duke u rritur pa njëri – tjetrin, pa kujdes, pa mëshirë
Lodhur nga udhëtimi pushues që bëri jetën monotone,
Fshehurazi duke i buzëqeshur njëri – tjetrit: fëmijët – lulet
Hijet heqin vallen e çmendur, po kurrë s’dorëzohen
Sytë e shkëlqyer të fëmijëve mbushën me aromë bliri,
Fytas a të përgjumura në këtë mesditë prilli të zi
O Zot, kur do të jemi në fund, gjejmë veten n’fillim,
Zgjaten masat nga shteti, duke mbrojtur shëndetin publik
E ne shikojmë nga grilat diellin, e presim ditën e lirimit
Ti vërshojmë kopshtet, lulet, rrugët, sheshet, qytetet…
Më vjen të klithi çmendurisht si Tarzani në xhungël
I tronditur mes errësirës gërmoj veten i dyshimtë,
Jam a s’jam poet n’këtë monolog të çmendur nate
Që ka mbushur jetën time me trëndafila të drunjtë,
Unë zhytur n’botën e hirit, i sëmurë me trombozë
Duke gjezdisur në rrugë me kukëza e paterica.
Njerëzit para sysh më duken fytyra nga balta
N’kolonat me një meter distance te furraxhinjtë,
Apo n’barnatoret ku furnizohen me paracet e vitamin C.
32.
Mal, unë shkruaj, flas vetmevete, e ti m’shikon e hesht
Unë ulur n’tavolinë pune e fotoja jote e varur në mur,
Kështu e kemi bërë marrëveshjen dypalëshe në fillim
Duhet t’i përmbahemi me besnikëri si dy burra fjale,
Ndoshta s’t’pëlqejnë këto që po t’i them mbarë e mbrapsht
Ama nenet e marrëveshjes, duhen respektuar pike për pike
Që t’mos të ndëshkojnë mami e babi, e lëre unë e gjyshja
Se edhe ne mbledhim, në mos paçim kuorumin për kuvend
Atëherë grupi parlamentar n’krye me Oltën thirrë seancë,
E Lisa do protokollojë gjithëçka do të thuhet e flitet
Pa i dhënë lak fjalës… Kështu jemi marrë vesh atëherë,
E unë herë llomotis, herë flas me vend. Varet nga momenti
Për qeveri e shtet, për ministri e qendra spitalore…
Për korona virusin që kaq ashpër po sillet me ne pleqtë
Ne që i kemi lënë të shtatëdhjetat. Zoti nuk thotë kështu
Ai s’i kursente deshët as qingjat, ishte korrekt me ne,
E laboratoret e krijuara nga njeriu-bishë seç na përbuzin
Vallë, dëshirojnë t’i përvetësojnë pensionet tona të djersës,
Po po, kemi njerëz të tillë që këtë mundohen ta vënë në jetë
Kjo sot më nxori nga lëkura Mal. Më çmendi! Dola në mal
Pa vra askënd mora arratinë maleve të Kralanit, Maznikut,
As Shtraza, as malet e Gërgocit, apo Suka e Cërmjanit
S’do mund t’i ndalin në këtë çmenduri nervozizmash
Drejt Kurrkundit… Drejt honit që askush s’ia gjet fundin
S’i frikësohem vdekjes, padrejtësi të tilla s’kam lexuar,
As në arkivat e Rajhut të Tretë, as në memorandumet serbe
T’atyre që gjurmuan arkivat n’garë si t’i zhdukin shqiptarët.
Nuk lan gur pa përmbysur se cili do dalë më i dituri
Nxirrnin nga myku i shekujve, dokumente të trilluara
Për prejardhjen dhe lëvizjet e popujve gjatë mileniumeve
Për t’u nxjerrë konkluzionet marroçe të nëntokës,
Duke ngrohur duart në flakët e mbremjeve t’bruzta
E duke vrapuar kancelarive me dokumente: Eureka!
Ja, ky është elaborati i pritur që po pret qeveria
Ndërsa tash na zbriti një elaborat tjetër nga aziatët,
Kamufluar me lodra joshëse t’i mashtrojmë të vegjëlit
Me efekt njëmijë herë më të rrezikshëm për ne pleqtë,
T’na përcjellin pa miq e familje, por me dy – tre varrtarë
Thua do përmbysim këtë botë jallane që s’u gjunjëzua kurrë,
Prandaj Mal, unë po flas, po llomotis, e ti shiko e hesht!
33.
Kur po shkruaj për Mirditën, mendoj t’u thuri lavde atyre
Që i bënë roje çdo guri e çdo lisi lidhur besa – besë burrash
Ta mbrojnë çdo pëllëmbë dheu ku buronte uji i cemtë,
Dhe bëheshin mollat, dardhat, qershitë, thanat… Rakia
Pa t’cilën nuk shtrohet sofra, kuvendet, festat, mordjet,
Duke kërkuar bekimin e saj si perënditë n’Olimpin e lashtë
Ashtu dhe mirditasit, drejtuar parisë së vendit n’besëlidhje
Në mesin e tyre kishte fisnikë të derës së parë të bajrakëve
Kishte bujarë që në zemër ndrynin krenarinë e fisit – Lekës,
Kishte edhe të varfër, në mbrojtje të atdheut të barabartë
Deka bëhej njëjtë, i pasur, i varfër, vdisnin bashkë për tokën
Po po, për Atdhe e Fe mbollën me eshtra token dhe t’lashtat
Altari e kërkonte këtë, të gjithë të barabartë para Zotit,
Kështu Mal, mbrohej atdheu dikur. Po sot lufta me Virusin
Ka nxjerr ligje të reja. Metoda burgosjeje brenda mureve,
E unë, baba, që më do aq shumë, kur po shkruaj këto vargje
Para kam gotën me raki dhuratë nga Mark Gjergji i Arrëzit,
Nëse s’e ke harruar, të thashë, ky është vëllau mirditor,
E daja i tij, Frrok Çupi, më përqafon dhe më thërret nip
Ngushëllim i bukur që n’ekstazë më vjen si plumbi,
N’rebelimin tim megjithatë lundrojnë rreze t’ëmbëla
Me vargje e mesazhe çdo ditë më shëron Llesh Ndoj,
E Mirdita Mal është Olimp i lashtë, ku rrinë zotat e shenjtë
Kurrë fjetur n’bjeshkë a male, gjithmonë zgjuar ndër pika
Prej nga dukej si në pëllëmbë dore toka e Vikingëve,
Netëve komunikonin nëpërmjet zjarreve nga kreshtat
Kasnecët ditën bënin punën e tyre për diellin e tokën
As zog as sorrë s’i shpëtonte sogjëtimit të udhëve,
Me fytyra të gurta, mustaqet zgjatur deri te veshët
Gjithnjë të thella, të pafundme në hapësirat e gjakut
Që natë e ditë sogjëtar bënë gjumin ndër shpella e burime,
Mbrendapërmbrenda shpirtit të ngritën në altarin e lirisë
Nga Lekë Dukagjini, Preng Marka Prenga, Marin Shpani,
Gjokë Dedë Lleshi, Zefi i Vogël, Lleshi i Zi… tek i fundmi
Që gjak ndër deje u rrjedh siç rrjedh lumi i dy Fanave
Me ADN-en e lashtë nga Institutet botërore n’Evropë,
Nga kemi dhe ne origjinën i lumi im Mal, pinjoll i lashtë
E kuptove ç’është Mirdita, ç’është atdheu i t’parëve!
34.
Në këtë përditshmëri monotone tetëjavëshe gjithçka ndodhë
Harrojmë miq e shokë, harrojmë dajë e nipa, çka s’harrojmë
Ç’më vjen në mendje një mallkim plakash kur isha fëmijë,
“T’u harroftë emni!”, i thoshte gjyshja Sahitit kur harronte
E ai vetëm qeshte!… Oh jetë idilike pasha tokë e qiell,
Bukuri e saj nuk përsëritet kurrmë n’këto vite t’acarta
Që na bënë rob e harrestar ogurzi që na mbështolli
E na bëri, që t’harrojmë momentin që ndodhem përbrenda
Si ta shpjegoj ndryshe sjelljen e papërgjegjshme në burg,
E thërras n’telefon Jonuzin! S’di ku ndodhet! Nuk e ngrit!
Pastaj m’thërret ai! Unë në vend se ta hap, e mbylli gabim,
-Ç’bëre më thotë gruaja?- Hë de, e mbylla gabimisht.
Pastaj merremi vesh disi duke ngritur zërin si të çmendur
Thua thërrasim njëri – tjetrin nga kodra ku ruanim dhentë,
Thuajse ndodhej në ndonjë bjeshkë, e unë në ndonjë mal
Ç’katandisje e mallkuar! E urrej veteveten e ndrydhur,
Po Skënderi ku humbi me atë buzëqeshjen e përhershme
Gjithnjë i hareshëm, i gëzuar, plot jetë dhe gëzime,
Qe dy orë në Elida i kapërcenim për dhjetë minuta
Të gjithë ia kishim lakmi atij optimizmi jetësor
Nga tavolinat tjera njerëzit na shikonin vetëm ne,
Sigurisht mendonin se ne ishim njerëz pa brenga
Që vetëm qeshim, argëtohemi, s’ia dijmë jetës fare
Po e vërteta ishte ndryshe në këtë tavolinë guri,
Për këtë kam dëshmitar të vetëm Nazmi Rrahmanin.
Pastaj më bjen ndërmend Dema që n’ditët e para të virusit
Iu shtrua një operacioni! Po pas pak dite e ftuan në spital
I thanë: Përsëri duhet të operohesh. Nuk është gjendja mirë.
Ia thanë ditën. Po ç’e do. Atë ditë pasoi komunikata:
“Shtyhet çdo ndërhyrje në klinika, pos rasteve të veçanta!”
Vallë pyes veten: Nuk qenka rast i veçantë ky i Demës
Të operohet dy herë brenda jave për të njëjtën diagnoze?
Faji i mbet Korona Virusit. Ndoshta edhe ashtu është!
-I gjalli me të gjallin, i vdekuri me të vdekurin, -thoshin dikur
N’Dushkajë e Mirditë, n’Shalë e Shosh e deri në Shkodër
Harruan odat e burrave, oxhaqet e kullave, frengjitë…
Këtë terror shpirtëror, falë Zotit, ma bëjnë më të lehtë
Pjetër Marku me brushën e tij dhe krenarinë e mirditorit
Skënder R. Hoxha dhe Dinë Halilaj që çdo ditë telefonojnë.
35.
Mal, gëzohem që sot s’je pranë meje e s’po të ngacmoj
Jam ngujuar n’bibliotekë. Tri mure libra më rrinë mbi kokë,
S’më lënë të marr frymë. N’tavolinë lapsi, notesi, muza
Dehur me monologun tënd që po bëjmë që sa ditë e javë
Hej, më thotë Muza, je çmendur Ti? Si më harrove?!
Unë jam Muza jote që gati gjashtëdhjetë vjet e shkuar tyre
N’këtë zezonë vetëm Malit po i drejtohesh, vetëm Malit,
Unë ngurosem. Heshti. Muza dhe Mali për mua janë Një!
Nuk di! M’ka humbur renditja. Nuk di cila ditë është
Shpesh pyes gruan: Cila ditë është sot? Ajo tregon e hutuar,
Ç’po ndodh më mua nuk di as ajo! Po nuk po di as unë vetё,
Vetëm mosprania juaj Mal, sot sikur me qetësoi çuditërisht
Të ta them atë a dua ta them publikisht. Ndoshta jam vulgar
Më rremben dhembja që shpesh di të egërsohet si bishë,
Gurit e drurit i drejtohem me lutje si trashëgimtar i vdekjes
T’më qetësojë sonte të zjarrit bubulak harruar n’Dushkajë,
Tabletet Voltaren e Brufen nuk m’i prajnë dhimbjet në trup
As rakia e vera e Mark Gjergjit që Dila mi solli nga Arrëzi,
S’arrijnë të më lënë t’i mbyll sytë së paku për pesë minuta
Është ogur i mirë që nuk je sonte këtu Mal të më shikosh,
As n’tokë as n’qiell, as shtrirë as ulur n’kanape mendafshi
Por i bërë grusht, kur gjunjtë më janë përpjekur me mjekrën,
Falë zotit që nuk je pjesëmarrës n’këtë skenë t’çmendshme
Do kishe harruar rolin tënd që ke në këtë monolog dramatik,
M’duket se librave u dhimbsem shumë sa ato veç heshtin
M’shikojnë e s’flasin, thua n’këtë moment po jap shpirt,
E dorëshkrimet grinden kush do rreshtohet në rend të parë
E unë mezi marr frymë nga dhembjet e kokës mes gjunjve.
Bij pa ndjenja. Ndoshta mendojnë së vërtet kam vdekur
Pa askënd afër, veç librave që m’u kanë bërë makth e hije,
Dhe grumbulli i autorëve që pa rend e rregull vallëzojnë
Mbi kokë më rri Homeri, Virgjili, Taso, Aristo, Dante,
Gëtte e Tagora, Gogoli e Pushkini, Tolstoi e Çehovi,
Miltoni e Shkespiri, Servantesi e Shileri, Ygo e Balzaku,
De Rada e Dara, Serembe e Naimi, Çajupi e Asdreni,
Mjeda e Migjeni, dy elegantët e fjalës së bukur shqip
E sidomos Atë Gjergj Fishta hijerëndë mbi të gjithë,
Duke më puthë në ballë për t’ma dhënë bekimin
“Përkolë, mos bjer n’depresion, ja ku m’ke mua këtu!”
Mal, mos u merakos, këto dhimbje do kalojnë si erëra
Nuk është hera e parë që thërras vdekjen të vijё tek unë!
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.