Rrënjët e mija janë në Çamëri
Rrënjët e mia janë thellë në histori,
Kapërcyen vite e vite të lotuar,
Shtruar kalldrëm,nën brinjë të gjyshërve
Fshehur dhimbja, nën rrudhat e syve.
Shkretuar, coptuar, ngrënë me dhëmbë,
harta e shtëpisë iu gdhend mbi gjoks,
Lot’ i Çamërisë u tha ndër kodra,
Atje ku mëngjeseve gjeraqina këndon .
Fjalë veç fjalë, premtime në erë,
qiellit pa fund humbën, si shpresa,
Muret mbuluar nga shkurre dhe ferrë,
Një kukuvajkë këndon mbi derë.
Kush i verbër nuk i do sytë?
Kush i çalë nuk do të ecë?
Litarin ndër vite rrethuar në fyt,
Tek presin që Çamëria të vdesë…
Një çam vdes por dhjetëra lindin,
Kokën nga rrënjët mbajnë kthyer,
Dhe pse brezi i vjetër iku e shkoi,
Me gjak çamërie jemi ngjyer.
Ah! Kur të vete në Çamëri,
Shpirti do më gjejë qetësi.
“”””””””””””””””””””””””””””””
Si munde?
Si munde të ma harrosh emrin?
Kur emrin tim e gdhendje gjithkund,
Nëse këmishën ta zbërtheja,
Tatuazh mbi zemër do ta gjeja,
Si mund mos të njohësh më sytë e mi?
Mbi ta pasqyroheshin sytë e tu çdo mëngjes,
Herë i zgjoje ti me puthje,
Herë mi freskoje e mi laje me vesë,
Si munde zemrën të ma thyesh,
Kur me kujdes i ngjite copëzat çdo ditë,
Tashmë copëzat janë bërë thërrime,
Nuk mblidhen, të ngjiten më, mos prit,
Ku është dora që përkëdheltë aq butë,
Ku është zëri i ëmbël në hoje,
Përse më braktise dhe më vrave,
Kur ti si i marrë më dashuroje?
Përse,
Përse,
Përse?
Asnjëherë se kuptova përse…