Intervistë me Prof. Dr . DAVA PËRLALA

Botuar në librin “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën I”
Mirditorët karakterizohen jo vetëm për një inteligjencë fluide por edhe për një inteligjencë të kristalizuar
Pedagoge në Universitetin “L. Gurakuqi” Shkodër, që nga viti 1985, në Fakultetin e shkencave të Edukimit. U lind më 9 nëntor 1962 në Rubik, ku mbaroi arsimin tetëvjeçar, më pas shkollën e mesme pedagogjike “17 Nëntori” në Tiranë dhe studimet e larta në Shkodër, 1984.
Doktor i shkencave psikologjike në 1997 dhe “Profesor i Asociuar” 2002. Autore e disa studimeve në revista shkencore dhe e disa kumtesave, referateve, lektore e kordinatore në projekte të arsimit lokal e kombëtar dhe autore e monografisë “Të mësuarit dhe zhvillimi psikik i fëmijës 6 – 10 vjeç” (2002).
Gjatë vitit 2002-2003 ka kryer kualifikimin Post-Doktoratë në Francë, Paris, në Psikologjinë e Zhvillimit dhe Psikologjinë Sociale.
Që nga shkurt 2004, është pedagoge në Akademinë e Mbrojtjes, Departamenti i Shkencave Shoqërore, Tiranë.
Mirditorët karakterizohen jo vetëm për një inteligjencë fluide por edhe për një inteligjencë të kristalizuar
Gjon Marku: Ju, një intelektuale e re mirditore, mundët të zini vend si pedagoge në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, qytet i njohur si djep i dijes dhe i kulturës, teksa shkodranët kanë dhënë vlerësime të larta për mirditorin dhe Mirditën. Do të dëshironim që ju të na përcillnit se si ndihet një mirditor në Shdodër.
DAVA PËRLALA: Nuk janë pak por plot 23 vjet jetë në Shkodër si studente dhe pedagoge. Fakti që këto vite kanë kaluar disi shpejt, më bën të shprehem që kanë qenë vite të mira. Po të rikujtoj moshën kur çdo i ri përpiqet të projektojë diçka per shkollimin dhe të ardhmen, për mua, Shkodra ka qenë jashtë kësaj hapësire individuale. Por shpesh, ndodh që jeta merr një drejtim ndryshe nga çfarë do të dëshironte vetë njeriu duke sjellë edhe surpriza, natyrisht. Universiteti i Shkodrës hapi dyert për pedagoge të rinj nga ish-studentët e tij duke filluar me mua. Sot mund të them që Shkodra është pjesë e rritjes sime intelektuale dhe vendlindja e dy fëmijëve të mij.
Një mirditor në Shkodër ndjehet i respektuar dhe i vlerësuar për dy arsye. Së pari, Shkodra një vend me tradita të ruajtura dhe të trashëguara si dhe me potenciale kulturore në disa fusha, ka të sajin edhe artin e komunikimit dhe aftësinë për të njohur dhe vlerësuar njerëzit. Nga ana tjetër, mirditorët kanë një sens të veçantë të integrimit dhe të përshtatjes në situata të reja dhe kjo është shprehje e inteligjencës së lindur të tyre, e inteligjencës fluide. Ndërsa në momente të veçanta të prezantimit intelektual mirditorët kanë mishëruar përpjekjet e tyre për më të mirën e mundshme në drejtim të thithjes së informacioneve bashkëkohore, përvetësimit dhe interpretimit të tyre duke u kristalizuar sipas fushave të studimit. Prandaj konstatimet e Shkodrës që mirditorët janë të zgjuar nuk janë të pakta. Kjo i bën të ndihen edhe më obligatorë.
Gjon Marku: Gjatë kohës që ju ishit pedagoge në Universitetin e Shkodrës keni pasur rastin të komunikoni me shumë breza të studentëve mirditorë që kanë studiur aty. A mund të na sillni të veçantën e këtyre studentëve, e thënë më thjeshtë, cila është spikatja e tyre?
DAVA PËRLALA: Në periudhën 1981-2001 sipas një shpërndarjeje gjeografike të të diplomuarve në Fakultetin e Shkencave të Edukimit (mësues të Ciklit fillor dhe të Ciklit Parashkollor), 130 janë nga Mirdita, 116 nga Lezha, 142 nga Kukësi, 134 nga Peshkopia, 112 nga Tropoja, 111 nga Burreli, 942 nga Shkodra, 269 nga Tirana… etj. Kjo statistikë tregon që raportet janë të pranueshme ndërmjet rretheve veriore me përjashtim të Shkodrës. Po të konsiderojmë lëvizjet e popullsisë drejt Lezhës, Tiranës, Durrësit dhe Laçit, ky numër të diplomuarish nga Mirdita mund të jetë edhe më i madh. Para viteve ’90 shkolla e lartë nuk ka qenë një zgjedhje e bërë nga vetë studentët por një mundësi që të ofrohej nga drejtuesit e arsimit në rreth dhe kjo ishte e vetmja mundësi. Kjo është arsyeja që studentët kanë qenë më të motivuar për të mësuar dhe kanë spikatur më shumë për përgatitjen, rezultatet që kanë arritur dhe një intuite për ta kuptuar shpejt dhe mirë atë çfarë pedagogët u transmetonin. Djemtë dhe vajzat studente nga Mirdita ishin, në raste angazhimesh të veçanta jashtë mësimit ndër më të preferuarit nga pedagogët. Paleonlologu Anton Fistani, pedagog i Universitetit të Shkodrës, sot në Central Texas College ka kryer gërmime në shpellen e Gajtanit dhe sistemime në laborator të gjetjeve që u përkasin viteve 600.000-450.000 p.e.s, me asistencën e një grupi djemsh nga Mirdita.
Mbas viteve ’90 mundësitë dhe alternativat e shkollimit universitar u shtuan, u futen konkurimet e lira dhe shanset për zgjedhje të fakulteteve dhe degëve nga të rinjtë u rritën. Prandaj, shpesh herë, Universiteti i Shkodrës ka mbetur si alternativa e fundit edhe për studentët mirditorë, që nuk fitonin atje ku konkurrenca ishte më e madhe, në Tiranë. Cilësia ka qënë e varur nga ky fakt, por, nga ana tjetër, sot është tregu i punës që vlerëson e teston më mirë aftësitë e studentëve. Rezultatet që arrihen janë përgjegjësi dhe produkt i investimit të vetë studentit, seriozitetin e të cilit e kushtëzon tregu: tregu ofron vende pune, vendet e punës fitohen, kërkojnë kualitete, kualitetet fitohen gjatë shkollimit.
Gjon Marku : Universiteti “Luigj Gurakuqi” ka patur edhe pedagogë të tjerë nga treva e Mirditës. Sa nga ata kanë mundur ta prezantojnë vetveten dhe inteligjencën e përmendur të mirditasve, zellin e tyre për dijen dhe kulturën?
DAVA PËRLALA: Ndërmjet viteve ‘85-’90 në Universitetin e Shkodrës jemi bërë 4 pedagogë nga Mirdita: Agustin Shqalshi dhe Flora Gjoni (Departamenti i Gjeografisë), Dodë Prenga (Departamenti i Fizikës), Dava Përlala (Departamenti i Edukimit të Përgjithshëm).
Mbas vitit 1990 Agustin Shqalshi është larguar për në Amerikë. Aktualisht Dodë Prenga dhe Dava Përlala janë transferuar pedagogë në Tiranë, përkatësisht në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe në Akademinë e Mbrojtjes.
Në Universitetin e Shkodrës më tepër se shumica e pedagogëve janë nga Shkodra. Nga rrethe të tjera të veriut ka pasur dhe ka aktualisht 1, 2 ose asnjë pedagog. Ky fakt bën më të qartë se ç’vend zënë pedagogët Mirditorë të cilët janë të respektuar, të vlerësuar dhe shpesh të cilësuar ndër më të mirët për nga korrektësia, niveli shkencor i mësimdhënies dhe i studimeve të kryera sipas fushave të tyre. Ato janë kualifikuar në Universitetet Perëndimore, një pedagog është “Profesor i Asociuar” dhe të tjerët punojnë për Master dhe Doktoraturë.
Gjon Marku : Para shumë vitesh ju ishit e lidhur më afër me Rubikun ku keni lindur dhe keni kaluar fëmijërinë tuaj. Sa ka ndikuar vendlindja, Mirdita, në formimin e personalitetit tuaj si nënë, pedagoge dhe si studiuese?
DAVA PËRLALA:Mirdita dhe në mënyrë të veçantë Rubiku për mua është gjithë qenia ime. Unë nuk dua të flas shumë çfarë ndiej unë dhe të gjithë kur ndodhemi larg apo afër vendit ku morëm jetë. Por, natyrshëm, seç është e pranishme tek unë gjithmonë një mënyrë individuale njohjeje dhe të kuptuari të çdo gjëje në këtë vend.
Është thënë dhe dihet tashmë që Mirdita ka qëne dhe është e varfër ekonomikisht si një “dënim” që vjen nga vetë origjina e saj tepër malore dhe me mundësi të kufizuara komunikimi. Megjithatë në “sofër” mirditorët shtrojnë më parë një pjatë e një lugë për mikun që nga çasti në çast mund të trokasë. Pastaj shtrojnë lugët për fëmijët dhe pleqtë dhe në fund po t’u ketë tepruar shtrojnë edhe për vete. Ky model tradicional jo vetëm nuk është zbehur nga varfëria por ka transmetuar shumë vlera morale tek të gjithë bijët e saj dhe tek miqtë që e kanë njohur nga afër këtë vend.
Kam njohur një ish-mësuese nga Tirana e cila ka punuar dhe jetuar 7 vjet në Rrëshen dhe fshatrat përreth menjëherë pas dimplomit në Universitet (ndërmjet viteve 70-80). Aktualisht është Konsull Kulturor në Ambasadën Shqiptare në Paris. Ajo vazhdonte t’i kujtonte me kënaqësi ato vite si nje eksperiencë të pasur të jetës së saj, si një shkollë të jetës ndoshta njësoj me detyrën e re diplomaitke që sapo kishte nisur. “Mirdita më mësoi të jetoj dhe më pajisi me aftësinë për të njohur njerëzit. Ruaj plot kujtime nga ato vite për të cilat ju flas shumë edhe fëmijëve të mi” – bisedoi ajo, gjithnjë me dëshirën e saj. Fisnikërisë së Margaritës dukej që i ishin shtuar edhe gjurmat që kishte lënë kjo përvojë e saj, i peshonte fjala dhe reflektonte gjithë dashurinë që i kishin ofruar.
Një brez i tërë mësuesish nga Tirana, Shkodra, Durrësi, Vlora, etj. i kanë shërbyer arsimit që nga Rubiku deri në trevat më të largëta. Dhe unë e konsideroj veten një të privilegjuar të fatit sepse shkolla 8-vjeçare e Rubikut është ndër shkollat cilësore ku u bashkuan përpjekjet e mësuesve vendas me larminë e kulturave që sillnin mësuesit e rinj të ardhur. Aty gjendeshin jo vetëm kërkesa unike të edukimit por tolerancë e komunikim i ngrohtë ndërmjet mësuesve dhe nxënësve, gjithë larmia e formave të të mësuarit dhe një vlerësim gjithëkomponentësh. Do të dëshiroja t’i përmendja të gjithë pa harruar asnjë sepse secili sillte diçka origjinale dhe ndryshe por e kam të pamundur. Prandaj po veçoj mësuesen e fillores Neta Nuku, që për mua mishëronte gjithë vlerat e një mësuesi model.
Më ngacmon psikologjia bashkohore dhe ajo nuk më lë të harroj rolin që ka familja në zhvillimin emocional dhe social të fëmijës. Familja ku jam rritur është pjesë e Mirditës dhe unë ndihem një imponim edhe i saj.
Gjon Marku : Duke patur parasysh se me të mbaruar studimet e lart, ju u emëruat pedagoge në Shkodër, sa e lidhur mbeti Dava Përlala me Mirditën?
DAVA PËRLALA: Shpirtërisht gjithmonë kam qënë dhe jam e lidhur njësoj me Mirditën. Në Rubik vazhdoj të kem nënën, vëllezërit, mbesën dhe nipat. Por jo vetëm kaq. Që nga viti 1985 çdo vit mesatarisht 6-7 studentë nga Mirdita, të arsimit pa shkëputje dhe me shkëputje nga puna, të moshave të reja dhe të moshës së mesme, mësues të arsimit parashkollor të arsimit fillor dhe tetëvjeçar, kanë qënë studentë të mij. Profesionalisht kjo gjë më ka mbajtur në lidhje të vazhdueshme me fushën ku interesat e mia janë të drejtuara tashmë.
Gjon Marku : Do të ishte me interes vizioni juaj për femrën e sotme mirditore, aftësitë dhe mundësitë e saj integruese në shoqërinë e sotme?
DAVA PËRLALA:Shoqëria e sotme po evidenton dukshëm fenomenin e evolucionit social mbështetur mbi konkurrencën e aftësive, dijeve, mundësive potenciale që ofrojnë grupe njerëzish dhe individë. Femra është pa dyshim e përfshirë në këtë fenomen në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të tërthortë. Drejtpërdrejt ajo ngulmon të mos mbetet mbrapa në këtë “garë” si individ në shkollë, në universitete apo në punë. Tërthorazi, femra mbështet me rolin e saj si nënë, si bashkëshorte. Gjithë bota është e ndjeshme, merren opinione, bëhen seminare, trajnime, jepen modele me qëllim që të gjendet një ekuilibër ndërmjet femrës si individ në shoqëri dhe rolit të saj në familje. Madje edhe në vendet e zhvilluara. Sipas Hilar Klinton, femra duhet të këmbëngulë për të qënë e pranishme në shoqëri.
Për femrën e sotme mirditore mundësitë dhe aftësitë e integrimit në shoqëri do t’i mendoja së pari si përpjekje të saj.
Etimologjikisht, termi integrim thërret nevojën për të kompletuar, për të bërë të plotë e të gjithanshme diçka që më parë nuk ishte e tillë. Femra mirditore kudo që ndodhet di të kuptojë nëse tek ajo ka diçka që duhet plotësuar. Hapësira për të lëvizur në këtë drejtim ka. Të qëndruarit brenda vetes i jep kësaj lëvizjeje vlera origjinale në përbërje të kulturës kombëtare.
Faleminderit!