13.5 C
Tiranë
E shtunë, 18 Prill 2026

Petrit Lleshi Vllaznit Domgjon

111-vjetori i lindjes At’Viktor Volaj
,i lindur në dhjetor 1910 në Shirokë-Shkoder! Miku dhe bashkudhëtari i At’Gj.Fishtës, që i qendroj pranë deri në momentet e fundit të jetes. Leu më 6 dhjetor 1910 në lokalitetin e Shirokës, buzë liqenit të Shkodrës, Kola, i biri i Lazrit dhe i Antonetës! Ndërroj jetë me 5 nëntor 1995, në moshën 85 vjeçare !
Ishte frat françeskan, profesor dhe filolog shqiptar.
At’ Viktor Volaj prej vitit 1937 e deri në vitin 1946 ishte profesor i gjuhëve klasike, greqisht e latinisht në “Liceum Illyricum”.
Si njohës i mirë i gjuhës shqipe, në vitin 1946 u thirr në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve që do trajtonte çështje të gjuhësisë. Në vitin 1942 komentoi veprën “Lahuta e Malcis”. Prej vitit 1949 e deri në vitin 1954 u internua në Tepelenë, Lundërz dhe Kamzë.
Pas internimit u kthye për të shërbyer sërish si famullitar në Tiranë dhe në Bizë në vitet 1954-1967. Gjatë kësaj periudhe u mor me studime gjuhësore e historike. Mbasi u mbyllën kishat e deri në vitin 1990 qëndroi pranë të afërmve të tij nën mbikëqyrjen e rreptë të regjimit.
Vitet e fundit i kaloi në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit.
Jetëshkrimi i At Viktor Volaj..!
(nga Pader Viktor Demaj)
At Viktor Volaj u lind me 06.12.1910 në Shirokë (Shkodër). Më 10.09.1925 hyni në seminarin françeskan. Në vitet 1928-1929 kreu noviciatin në Troshan, ndërsa Kushtet e përjetshme në Rregullin Françeskan i muer në vjetin 1932. Tue fillue prej vjetit 1937 e deri në vjetin 1946 kje profesor i gjuhëve klasike, greqisht e latinisht në “Liceum Illyricum” Në vjetin 1941 sekretar e Provincës kur Provincial ishte At Anton Harapi. Kuvendet françeskane u mbyllen në dhjetor të vjetit 1946 me urdhën që dy freten të mos jetojnë bashkë. Tue qenë se ishte njohës i thellë i gjuhë shqipe në vjetin 1946 u thirr në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarve për punë gjuhësore. Komentoi vepren Lahuta e Malisë aty rreth vjetit 1942. Prej vjetit 1949 e deri në vjetin 1954 internohet në Tepelenë, Lundërz dhe Kamzë. Mbas internimi kthehet me vijue pune e tij baritore ku shërbeu si famullitar në Tiranë dhe në Bizë 1954-1967. Gjatë kësaj përiudhe sikurse u pa u muer intensivisht me studime gjuhësore e historike. Mbasi u mbyllen Kishat e deri në vitin 1990 qëndroi pranë të afërmve të vetë nën vëzhgimin e frikëshem dhe tmerrues të shtetit komunist. Vitet e fundit i kaloi në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit. Ndërroi jetë me 05 nandor 1995. Shkrimet e pabotueme të At Viktor Volaj, ruhen në Arkivin e Bibliotekes Françeskane At Gjergj Fishta – Shkodër.
Veprimtaria e tij shkencore.
At Viktor Volaj pak i njoftun prej publikut shqiptar ka dhanë ndihmesen e tij në fushën e studimeve shqiptare. Fatkeqësisht nuk ekziston vepra e tij e plotë, përveç veprës Famullia e Bizës e botueme në Kosovë në vitin 2005 nga françeskanët e atjeshem. Kjo për shumë arsye. E para se në kulmin e krijimtarisë së tij në Shqipni u instalue diktatura komuniste, që çoi në eleminimin e këtyne figurave nëpër fushat e ndryshme kulturore. U detyrue At Viktori të punojë në heshtje, në vetmi, i izoluem në boten e tij prej nji akademiku të vertetë. Edhe pse në ketë gjendje ai e dha kontributin e vet në studimet shqiptare. Arsyeja e dytë asht se krijimtaria e tij ndodhet e botueme nëpër vepra të ndryshme, dhe njikohësisht e shpërndame nëpër dosje dhe e pa botueme. Në fillim të muejit shtator u paraqitë në Biblioteken At Gjergj Fishta në Shkoder Z. Karlo Marlekaj prej bujarisë së tij na dhuroi nji dosje me shkrime e studime të ndryshme gjuhesore, etnografike, toponomastike, historike të At Viktor Volaj. At Viktor Volaj kje edhe redaktuesi i disa prej veprave të At Gjergj Fishtes. Nën kujdesin e Volajt u botue ne vjetin 1941 Mrizi i Zanavet, Vallja e Parrizit, Anxat e Parnazit, etj. Keto ribotime të kryeveprave fishtiane u shoqnuen edhe me nji aparat kritik spiegues. Nga ana tjetër nuk ishte e lehtë për Volajn të bante redaktuesin e vepres së Fishtes tue pa plejaden e madhe që françeskanet në vitet ‘30 e ‘40 të shekullit të kaluem i dhuruen popullit shqiptar. La në dorëshkrim të komentueme kryevepren epike Lahuta e Malcis. Studime, shënime, kërkime të At Viktor Volajt që tash sëfundmi na ranë në dorë përbajnë nji visar të çmuem në lamën e studimeve shqiptare. Zbardhja dhe botimi i këtyne studimeve do të jetë nji homazh dhe nji nderim për At Voljan, i cili me duresën e tij tue mos e mbajtë kohën në dobi të vetvetes por jau dhuroi të tjerëve. Në fund të fundit ky asht edhe misoni i “fratit” dhe i “studiuesit”, në shërbim të të tjerëve. Bash në kulmin e krijimtarisë së vetë ai e kaloi në heshtje, frikë e kërcenime, sa që diftojnë ata që e kanë njoftë se shpeshherë e ulte zanin gjatë bisedave (kjo mbasi kishte ra komunizmi) nga frika se mos e spiunonin. Edhe pse në heshtje, punoi me mjetet e tij të vorfna për hir të sistemit të asaj kohe për kulturën shqiptare. Fryt i punës së tij të palodhshme janë nji grumbull letrash, faqesh të zverdhuna prej kohet ku diftojnë njohuninë e tij dhe pregatitjen e tij prej nji shkencëtari të vertetë. Thash ma naltë se ka punue më mjete të vorfna për arsye të sistemit, tue u nisë nga disa studime të tij të lana përgjysë, të pambarueme, ose me citime librash që ai nuk i kishte në atë moment në duer por i kujtonte përmendesh. “Shkencëtarët” e akademisë së “shkencavet” të asaj kohe e kanë “shfrytëzue”, por asnjiherë nuk ja dhanë meritimin e duhun. Duhet të veçojmë në atë kohë gjuhëtarin Eqrem Çabejn i cili ruente dhe kishte nji respekt për françeskanet, sikurse edhe françeskanët e kishin nderue filologun e ndritun sapo u kthye nga studimet e tij, tue e perkrahë në misonin e tij shkencor në botimin herëpashere në revistën Hylli i Dritës, ku kulminoi në botimin e librit: Per gjënezen e gjuhës shqipe. Kjo perkrahje nga ana e françeskanve kishte krijue ne zemren e Çabejt nji respekt e nderim për Françeskanet e në veçanti ndaj dy gjuhëtarve: At Justin Rrotës e At Viktor Volajt. Do të ishte me interes dhe punë e madhe sikur të botohej korrespondenca mes këtyne gjuhëtarve. Në bibliotekën Françeskane At Gjergj Fishta në Shkoder gjatë sitemimit të librave më ra në dorë libri i Çabejt: Shumësi i Singularizuar në gjuhën shqipe, botue në vjetin 1967. Për çudi në nandor të po atij viti në kulmin e përsekutimeve ku u mbyllen Kishat, ky studiues ja dhuron librin mikut të tij At Viktor Volajt. Nji kushtesë, nji dedikim, nji kujtim i çmuem që vuloste përherë miqësinë mes këtyne dy gjuhëtarve, mes Çabejt e Françeskanve. Studimet e tij klasfikohen dhe ndahen në: studime gjuhësore që përfshijnë studime rreth prejardhje fjalësh, zhvillime etimologjike të tyne, neologjizma, etj. Kritika fjalëve me shtjellime të mangëta ose të gabueme të botueme në fjalorët zyrtar prej Akademisë së Shkencave, etj. Me interes asht edhe komenti i Lahutes së Malsisë nga At Viktor Volaj. Komenti përmban ma shumë se 6000 shënime. Këte e ka pohue vetë Volaj në nji leter dergue A. Kostollarit. Vepra Lahuta e Malsisë e komentueme dhe e redaktueme prej At Viktor Volajt simbas dëshmisë së At Zef Pllumit aty rreth vjetit 1944 asht dërgue në Firence të Italisë për botim. Me hymjen e komunizmit asht ndrepre gjithçka, nuk dihet fati i vepres. Në dorë kemi Lahutën botim i vjetit 1937 të shoqnueme nëpër faqet e saja me shenime e shpiegime fjalësh apo ngjarjesh rreth saj. Një vëmendje të veçantë At Volaj i ka kushtue edhe studimeve toponomastike. Këte e shohim tue shfletue materialet e ruejtuna gjatë punës së tij disavjeçare në rrethana të vështira. Studimet toponomastike janë kryesisht rreth zonës së veriut. Studime e toponima mbi rrethinat e Shkodrës, Malsinë e Madhe, Pukën, Mirditën me rrethina, Kurbinin, Kepin e Rodonit, Bizën, etj. Të gjitha këto studime ndoshta disa prej tyne të mbetun edhe përgjysë paraqesin dhe mbartin më vete randisë jo vetëm për njohuni të këtyne vendeve por kryesisht janë të vlefshme për studimet dhe vjetërsinë e gjuhës shqipe. Me fjalë të tjera i shërbejnë filologjisë shqiptare. Bash tue u nisë me emnat e vendeve, kodrave maleve, prrojeve, etj, gjuhëtarët kanë pa nji vazhdimsi qindravjeçare të gjuhës shqipe. Në studimet e kërkimet e tij historike spikasin: studime mbi Kepin e Rodonit, Bizën, etj.
Botimet
Prej krijimtarisë së At Viktor Volajt janë botue këto studime: P. Viktor Volaj, OFM., Famullia e Bizës, Gjakovë 2005. Në këte studim autori jo vetëm që ban nji vëzhgim historik mbi këte trevë, por studion edhe të folmen, toponomastikën si dhe zakonet e doket e atyshme. Ka bashkëpunue me At Justin Rroten për përpilimin dhe redaktimin e vepres: Gjuha e shkrueme ase verejtje gramatikale, “sidomos në pjesën e I përsa i përket të damit e gjuhëvet, elemtavet autoktonë të shqipes, dhe burimit të huajtun nga greqishtja e rumanishtja. Njashtu edhe në pjesën e dytë të Morfologjisë, trajtimi mbi përemnin mund të thomi, se ashtë punue gati krejt prej tij” (Shënim i At Justin Rrotës). At Viktor Volaj, Smundja e deka, në At Gjergj Fishta 1871-1940, numër përkujtimuer neper kujdes t’A. Benedikt Dema O.F.M. Shkodër 1943, fq. 341-346. At Viktor Volaj, Gjon Kamsi, në Kumbona e se dieles, 1992, nr1, fq. 22-23. At Gjergj Fishta, Mrizi i Zanavet, me parathanje e komentueme prej At Viktor Volaj. Në lidhje me botimin e Mrizit të Zanavet nën kujdesine Volajt, Aleksander Xhuvani pat shkrue: “Kurrkush ma mirë se nji nxanës i Fishtës (në vështrimin e ngushtë të fjalës, pse nxansa po jemi të gjithë të Tijt) nuk kishte mujtë me ndërmarrë dhe me krye nji të tillë vepër komentimi, e kurrkush ma mirë se nji Vëlla i Tij në Shën Françeskun nuk kishte mujtë me e kuptue dhe me e qitë ne shesh si lypet frymën e tijë. Tue lexue lirikat e “Mrizit” të pertrihen po ato ndiesi qi Poeti desht me na i komentue me anë t’artit, dhe shumë ma tërheqese bahen të shoqnueme prej njij komenti, si ky i Atit Viktor, të mbatun dhe të plotësuem me njohtime historike shum të randësishme”. At Gjergj Fishta, Vallja e Parrizit, me parathanje dhe e komentueme prej At Viktor Volaj. “Treva e Rodonit në principatën e Skënderbeut. – Vëzhgim historik – etnografik, në Hylli i Dritës, nr.4, 2010 fq. 133-157. Edhe njiherë duhet me falenderue Z. Karlo Marlekaj, nipin e At Jak Marlekajt gjuhëtar dhe bibliotekofil, për këte vepër të naltë bujare e fisnike, tue ja dhanë dorëshkrimet e At Volajt Arkivit të Bibliotekës Françeskane At Gjergj Fishta.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.