Pushtimi i Kosovës u bë në vitin 1912 nga serbët. I njëjti territor u aneksua më 1945. Në çdo rrethanë, Beogradi është përpjekur që Kosovën dhe viset e tjera shqiptare t’i shpopullojë dhe t’i serbizojë. Ka me mijëra fakte, dokumente dhe prova të tjera gjatë gjithë shekullit të kaluar që Beogradi kishte tentuar që kthetrat e veta pushtuese-hegjemone t’i shtrinte deri në Shkumbin.

Nisur nga kjo politikë dhe këto qëllime, sapo mbaroi viti 1986, serbët, duke qenë se po arrinin të mobilizoheshin në planin propagandistik, politik, institucional në mënyrë populliste, u hodhën në protesta të mëdha. “Ubiçemo sve albance” (“Do t’i mbysim të gjithë shqiptarët!”), ishte kthyer në parullë dominuese. Asnjë parullë në demonstratat masive të shqiptarëve në Prishtinë, më 1981, e karakterit antiserb, nuk ishte dëgjuar. Asnjë serb i vetëm nuk ishte fyer, nuk ishte poshtëruar dhe asnjë serb i vetëm nuk ishte kërkuar nga shqiptarët “që të vritej. . . !”. Por, ultranacionalizmi serb po ngjitej në skenë. Faktori joserb në ish-Jugosllavi, ashtu si edhe pothuajse i gjithë faktori politik shqiptar i asaj kohe, u mbështoll brenda një frike të madhe, brenda një lojaliteti të ulët dhe brenda një dëshpërimi të pafund. Më 1989, faktori politik shqiptar, që participonte në Serbi dhe në Federatë, u rrëzua përfundimisht: më 23 mars 1989 Serbia ia hoqi me dhunë autonominë Kosovës. “Politika është çështje e interesit dhe jo e emocioneve”, analizonte mr. Ukshin Hoti në analizat e tij të thella, kushtuar gjendjes shqiptare të Kosovës në vitet e nëntëdhjeta, i bindur se vetëm me rezistencë të pakompromis, mund të ndalej rrugëtimi i çmendur i nacionalizmit serb.
Koncepti kaotik i revoltave serbe që kishte objektiv të qartë (Jogurtrevolucija ), kishte sjellë në krye të Serbisë njeriun famëkeq serb, Sllobodan Milosheviq. “Më 23-24 shtator 1987, në Beograd është mbajtur mbledhja e 8-të e KQ të LK të Serbisë. Mbledhja solli fitoren e fraksionit të Milosheviqit mbi atë të Dragisha Pavloviqit dhe Ivan Stamboliqit. . . ” (Slobodanka Kovaçeviq – Putnik Dajiq, “Hronologija jugoslavenske krize 1942-1993”, IES – Beograd, 1994, fq. 21). Politika serbe që do të udhëhiqet nën urdhrat e tij, kishte për qëllim tri pika pozicionimi: 1. Vënien nën ndikim, ose pushtimin e territoreve politike dhe shtetërore të territoreve të caktuara. 2. Nënshtrimin politik dhe juridik të nacionaliteteve të tjera sipas vullnetit të tij. Dhe, 3. Okupimin e territoreve (zhbërjen historike dhe etnokulturore të territoreve, spastrimin etnik, asimilimin etj.
Shumë ngjarje që pasuan pas vitit 1989 në Jugosllavi, dhe pastaj, edhe pas vdekjes së Jugosllavisë, janë të njohura. Por, pasi që i përfundoi luftërat në Veriperëndim, Serbia iu kthye Kosovës. Nacionalizmi serb kishte arritur kulmin e ekzaltimit tragjik. Nuk ka dilemë që dokumenti i Memorandumit kishte dhënë efektin e tij, që akademikët e kishin kërkuar në tekstin e tij, ndërsa që gjendja në terren tani nuk ishte shumë punë e tyre.
Duke iu kthyer Kosovës, në planin ushtarak të zgjidhjes së këtij problemi, në vitin 1998, Serbia ishte duke u fortifikuar maksimalisht me gjithë arsenalin e luftës në Kosovë.
Spektri parapërgatitës tashmë përfshinte projektin “Makaze”, domethënë infiltrimet e shërbimeve të sigurimeve serbe në skenën politike dhe atë partiake të Kosovës. Një projekt tjetër ishte “Kafshimi i miut”, e që kishte për qëllim neutralizimin dhe shpartallimin e UÇK-së. Me fillimin e bombardimeve të NATO-s, establishmenti politiko-ushtarak serb iu qas projektit “Patkoi”. Pa i theksuar pasojat e dhunës së mëhershme, në bazë të projektit të lartpërmendur “Patkoi” sipas raporteve të “Human Rights Vatch”, me seli në Nju-Jork, në fillim të pranverës së vitit 1999, nga Kosova qenë dëbuar 862. 979 veta, si dhe ndodhi një zhvendosje e madhe e popullit brenda territorit të Kosovës. “Shpërngulja masive e shqiptarëve të Kosovës mund t’i ketë shërbyer një seri qëllimesh. Së pari, ajo mund të ketë pasur si qëllim të ndryshonte përbërjen demografike të Kosovës – një politikë e përmendur shpeshherë gjatë gjithë historisë nga politikanët nacionalistë ekstremë serbë”, konstatohet në raport. Raporti i “Human Rights Vatch”-it, në të cilin raport ishin kategorizuar edhe format dhe mënyrat e dhunës e të terrorit: 1. Ekzekutimet pa gjyq. 2. Përdhunimet seksuale. 3. Shkatërrimet e pasurisë së popullsisë.
Vetëm në periudhën e bombardimeve të NATO-s (24 mars – 12 qershor 1999), KMDLNJ e Kosovës identifikon 8. 911 shqiptarë të vrarë e të masakruar (KMDLNJ, raport, 3 shkurt 2000).
Nacionalizimi serb, në fund të shekullit, ishte duke e përdorur teknikën që e kishte preferuar Vasa Çubriloviqi, qysh në vitin 1944, lidhur me problemin e pakicave në Jugosllavi: atë të zgjidhjes së këtij problemi me çdo mjet. E, këto mjete ishin: dhuna politike, ushtarake, policore, burgosjet, dëbimet, vrasjet, zhdukjet fizike, djegia e kufomave, kidnapimet, shkatërrimet ekonomike, kulturore etj. Ndërkaq, Malcolm konstaton: “Serbët kurrë nuk do ta kuptojnë dot natyrën e problemit të Kosovës, në qoftë se nuk pranojnë, pikë së pari, se territori i pushtuar më 1912 kishte pasur që më parë një shumicë të popullatës joserbe dhe, së dyti, se përvoja e një sundimi të huaj dhe kolonial është pikërisht ajo çka i ka imponuar Serbia shumicës së popullatës gjatë këtyre 85 vjetëve të fundit” (Noel Malclom, “Një histori e shkurtër e Kosovës”, fq. 37). Memorandumi, ashtu si edhe megapolitika nacionaliste serbe, ishte dhe është destinuar historikisht të përfitojë për vete mbi një korpus shumëdimensional terrori e gjenocidi.
Foto nga Kongresi i Berlinit