RETË MBI DAJT
Shtëllunga resh varur mbi Dajt
si prej çibukut dikur të gjyshit tim,
mos vallë prej moshës me llullë dhe Dajti pi
që sot më zgjon fëmijërinë?
M’i kujtoi pleqtë e moçëm në hijen e arrës,
ajo, më e moçme ish se ata,
me hijen e gjerë për njëqind burra
dhe degët e larta drejt qiellit kala.
E mblidheshin gjyshërit e vërsnikëve të mi,
midis tyre, i ndjeri gjyshi im,
shtëllunga tymi prej llullave të mëdha,
tirrnin e tirrnin trimërinë.
Ne të vegjëllit herë rrinim larg
e herë në prehër u uleshim ngadalë,
dëgjonim për ngjarjet që flisnin ata,
në mendjen tonë ktheheshin përrallë.
Asnjë nuk është më nga gjyshërit,
as arra e madhe s’është më aty,
vështroj nga Dajti mbushur me re,
një lot malli shkrihet në sy.
“”””””””””””””””””””””””””
PIKTORI
Ai me penelata punoi ditë me radhë,
lodhja lexohej në sy,
buzës, buzëqeshja nuk iu shua,
adhurimin e njerëzve kish hajmali.
Lirinë hidhte në telajon fasadë
mbi murin e një shkolle ngadalë,
fluturonte dija mbi krahë zogu,
krahë morën të miat fjalë.
“””””””””””””””””””””””
FOL “YLL I MËNGJESIT”
Xhamit vështroj,
jashtë acar,
as vetë s’e di çfarë kërkoj vallë?
Ende natë është,
njerëzit s’janë zgjuar,
ëndrra tresin gjumit,
shpresën kalëruar.
Sytë se ç’më shkojnë tej horizontit,
ca rreze më tepër shdërriti ai,
fol “yll i mëngjesit”,
çfarë do më thuash,
apo këtë mëngjes kërkon shoqëri…?
Përse fort ndriçon,
m’i lexon mendimet?
Ethe digjesh fort, sikur do të më flasësh,
ah, more ylli im, sa vuan kjo zemër,
nëse dot s’më ndih,
më mirë mos më ngasësh.