Nga ALIDA LULA
DASMA GJIROKASTRITE, VAJZA QË HODHI SHIFONIN E ZI
‘’Përmbi male këngët ngriti, gjerdan ar gjirokastriti, Hulo e Xhevat Avdalli, Lavo e Nustret Çarçani, Isuf Rami Asqeri, zëri i tyre sinfoni…’’
Kënga, bashkëudhëtari më i ngushtë i jetës, shoqëronte ceremoninë më të rëndësishme të jetës, dasmës. Isoja këngë s gjirokastrite gjëmoi me gjithë forcën e pasionit dhe shpirtin artistik.
Këngët e dasmave e gëzimeve u trashëguan brez pas brezi si këto vargje:
“Me shëndet baba se ika, hallall buka hallall kripa, të ma bëç hallall moj nënë, qumështin që më ke dhënë”
Ndrë sa kë to janë disa vargje nga këngët e ngashërimit: “Nënë do më marrë malli, gjersa të vete te varri dhe në varr ku do të jem, mendjen tek ti do ta kem” e deri te këngët humoristike “Moj krushkë hundëpafidhe, sherbeti pa karafile, moj si s’pate një kacidhe, që ta bleje karafile”.
Kënga gjirokastrite është e vështirë e këtë, ndër të parët e pati evidentuar gjuhëtari i shquar nga ky qytet, Eqerem Çabej, kur në fund të viteve ’30 shkruante “Duhet pikësëpari të kemi parasysh se këto këngë normalisht nuk fliten, as recitohen, por këndohen me zë dhe shpesh herë në valle. (Eqerem Çabej studime gjuhësore, vëllimi 5/ faqe 128).
Edhe pse koha ka bërë të vetën, “palca” e këngëve gjirokastrite vazhdon të mbijetojë e të këndohet edhe sot. Këngë të tilla si “Ç’ka sokaku që gjëmon”, “Më rrite baba më rrite”, “Ç’u bë Dunavati sterrë”, “Qaj me lot vasha jetime”, “Aman trandafile, aman borzilok”, kanë marrë e pë rvetë sojnë vlera të reja duke të sjellë emocione të forta sa herë që i dëgjon. Por nga ana tjetër ndryshimet demografike, ndikimet e medias elektronike, kanë bërë që repertori i këngëve gjirokastrite veçanërisht atyre lirike, të jetë në ndryshim të përhershëm. Por në dasma, këngët e tabanit edhe sot këndohen në odatë e mëdha.

POR SI KRYHEJ CEREMONIA E DASMËS GJIROKASTRITE?
Një ceremonial, një spektakël i pasur, apo një mrekulli e zbehur tashmë? Pavarësisht epiteteve, dasma tradicionale gjirokastrite mbetet një prej krenarive të shumta të këtij qyteti, edhe pse në pjesën më të madhe të rasteve ajo ka humbur origjinalitetin dhe është njehsuar me ceremonitë që zhvillohen kudo në Shqipëri.
E gjallë në çdo detaj të saj, ajo arriti kulmin në 1930-1940, kur madhështia dhe përsosmëria e organizimit të çdo riti, ishte në majat e veta.
Dasmat gjirokastrite bëheshin me kafshë, pasi krushqitë nuk bëheshin vetëm brenda në qytet, por edhe në fshatra dhe e merrnin nusen me kalë. Zgjidhej gjithmonë i bardhë dhe stolisej me rruaza, fre, yzengji e me velenxë të kuqe. Në të hipte nusja, ndërsa dasmorët e tjerë vinin nga pas. Dasma e tanishme është e bukur se ka brenda gëzimin, bukurinë e nuses, por nuk ka asgjë të veçantë…..
Vajza gjirokastrite Musine Kokalari në rreshtat e librit të saj “Sa u tunt jeta”, sjell atmosferën e ceremonialit më të famshëm e më të veçantë në të gjithë trevat e jugut.
Ajo vetë nuk arriti dot të bëhet nuse, pasi nga fotot e ëndrrave me veshjen e nuses, ajo hodhi shifonin e zi në kokë.
https://youtu.be/W -W SmvXO0yA
“Sa u tunt jeta”, pasqyrë e një bote të perënduar, shtegu i kapërcimit nga vajzëria, në mes të këngëve, në nusëri….. Dasma bëhet kur e vendos pala nga ana e djalit. Kurrë në mes të Bajrameve se nuk trashëgohen. Fillon ose ditën e diel dhe mbaron të enjten ose të enjten dhe mbaron të dielën. Niset kënga nga dita e shënimit, te nata e brumit me mashalla nëpër udhë.
Pastaj dita e kënasë, dita e fundit që merren sepetet në mëngjes e pas dreke në kohën që heq mjekrën dhëndëri, krushkat venë të marrin nusen. Pragu i derës përvëlohet me ujë të nxehtë nga frika e magjive të botës kur nusja del nga shtëpia. Jashtë portës një grua i mban një pasqyrë që atje ku të vejë të duket e bukur, por edhe rruga ndërrohet nga ajo që erdhën krushqit nga frika e magjive. Nusja vjen në shtëpinë e burrit. Kur hyn, hedh këmbën e djathtë dhe te porta vjehrri i hedh mbi ombrellë oriz me para për të patur këmbën e mbarë.
‘’Ngre nuse ombrellën ngre
tu bëç selam shoqeve …’’
Te dera një grua i lyen dorën me mjaltë, dhe e fshin mbi derë që të ketë gojën e ëmbël.
RITET
Me dhjetëra rite mbart dasma gjirokastrite, e cilësuar si më e rralla përsa u përket zakoneve, madhështisë së mënyrës së celebrimit, ashtu edhe definicionit të saj.
Riti i hollimit të petëve të bakllavave, dita e vetullave apo e shënimit, nata e brumit, riti i kënasë, dita e nuses, riti i berberit, veshja e dhëndrit etj, janë disa prej zakoneve më të njohura e të përdorura në dasmën gjirokastrite. Ndërkohë, ndoshta ndër të paktat zakone që vazhdojnë të aplikohen, është marrja e nuses, ndërsa dielli perëndon. Edhe ky rit ka një simbolikë specifike.
RITI I HOLLIMIT TË PETËVE TË BAKLLAVAVE
Një javë para dasmës, në shtëpinë e vajzës është dita e bakllavave, sinjali i parë që çel serinë e riteve të dasmës gjirokastrite. Gra të fisit, nën mbikqyrjen nga më e vjetra, përgatisnin 7-10 bakllava me nga 100 petë dhe e gjithë ceremonia shoqërohet me këngë.
DITA E SHËNIMIT OSE DITA E VETULLAVE
“Ulu mal të dalë hëna
të na stoliset kadëna
të vishet-ë me të bardha
të lulëzojë si dardha…”
Kjo ditë korrenspodon me ditën e enjte dhe ishte dita kur vajza zbukurohej dhe vishej nuse. Edhe sot kjo traditë po vijon të ruhet.
NATA E BRUMIT
Në të njëjtën ditë në shtëpinë e dhëndrit zhvillohet një nga ritet më të njohura, nata e brumit, e cila ka karakter komik. Ndërsa ndizen flakadanë, me të cilët kryesisht fëmijët vërtiten përreth shtëpisë. Ndërsa në miell hidhet një unazë apo monedhë floriri dhe shumë njerëz përpiqen ta kapin atë. Pamja e tyre e lyer me miell shkakton edhe të qeshura.
Një tërësi më vete përbën riti i kënasë, ku përfshihen ceremoni të ndryshme si: përgatitja e kënasë në shtëpinë e dhëndrit, çuarja e kënasë te nusja dhe vënia e kënasë (nata e kënasë).
Të tria këto momente shoqërohen me këngë, shpeshherë komike dhe me romuze, të krijuara edhe në moment.
“Ju sollëm këna me lule
na dhatë bukë me krunde
ne nuk jeshim për këtë, na marrçi të keqen ë…”
Dita e nuses është e diela paradite, kur dasma në shtëpinë e vajzës arrin kulmin dhe pothuajse edhe mbyllet. Ndërkohë, po të dielën në shtëpinë e dhëndrit organizohet riti i berberit dhe veshja e dhëndrit. Nisja e krushqve bëhet nga shtëpia e dhëndrit. Largimi i vajzës nga shtëpia përfundon edhe ritin që quhet “Dita e nuses”, ndërsa i gjithë ceremoniali zhvendoset drejt shtëpisë së dhëndrit. Edhe sot, kur një pjesë e madhe e zakoneve janë zbehur, pak nuse dalin nga shtëpia e tyre para se të perëndojë dielli. Kjo pasi me perëndimin e diellit simbolizohet largimi përgjithmonë nga shtëpia prindërore, ndërsa dielli i ri do ta gjejë atë në shtëpinë e bashkëshortit, ku do të kalojë gjithë jetën e vet.
NDËRRIMI I RRUGËS
Është bërë zakon që krushqit të ndërrojnë rrugën (edhe ky një rit që vazhdon të ndiqet), për shkak të frikës nga magjitë. Në Gjirokastër nusja rri ulur, por sa herë hyn dikush, detyrimisht duhet të çohet në këmbë. Një rit i posaçëm zhvillohej në mesnatë, kohë në të cilën vinte sinia me bukëvale, që quhet bukëvalja e nuses (rit dhe nevojë- për të shuar urinë, për të marrë fuqinë). Në momentin kur nusja shkonte për të fjetur nën jastëk i vinin frerin e kalit që ta kishte gjuhën e shkurtër dhe të ishte me fre.
KËRCIMTARËT E RAKISË
‘’Bjerna moj nuse bjerna
bjerna raki të pimë …’’
Dita e diel kishte një tjetër veçori, shtroheshin tryezat me gjithë të mirat dhe aty zhvillohej vallja e sinisë. Një valltar kërcven brenda një sinie të mbushur plot me gota rakie dhe në kokë mban gjithashtu një tabaka plot me gota dhe gjatë kërcimit nuk duhet të derdhë asnjë pikë.
Një tjetër element shumë i veçantë, ku në momentin që çifti shkonte për të fjetur në dhomën e tyre, në të njëjtën dhomë qëndronin dy plaka, të cilat qëndrojnë të fshehura dhe kur shikojnë ndonjë gjë thërrasin: “Ju pamë, ju pamë” dhe ky është gjithashtu një moment humori.
KAKO PINO
Gruaja e parë që merrej me stolisjen e nuses quhej Kako Pino, e portretizuar edhe nga Ismail Kadare në romanin “Kronikë në gur”. E zonja dhe e respektuar ishte ajo në zbukurimin e nuseve, saqë të gjitha pasardhëset e saj thirreshin Kako Pino-t. Procesi i kryer për zbukurimin e nuses prej saj, quhej shumë i rëndësishëm, pasi me përfundimin dhe veshjen e nuses, dasma quhej e filluar.
PËRJETËSIMI I DASMËS
Dasma dhe të gjithë ritet përbërës të saj si askund tjetër, janë përjetësuar në librin “Sa u tunt jeta” nga Musine Kokalari, ndërsa folkloristi i njohur, doktori i shkencave Tasim Gjokutaj, i fokusuar në anën muzikore të saj, nga 11 dasma të vrojtuara boton “Lirika e dasmës tradicionale gjirokastrite”. Të tjerë studiues e kanë vënë në fokus këtë ritual.
Në festivalin e dytë folklorik kombëtar riti i dasmës gjirokastrite, merr Urdhrin e Klasit të Tretë “Naim Frashëri”.
Kënga e nuses “Dallandyshe e vogël-o” këndohet në çdo dasmë. Ka humbur veçantia dhe nuk mund të thuhet se në Gjirokastra e ka humbur traditën. Por, jeta vazhdon, pamvarësisht lëvizjeve demografike, ceremonialin e ditës më të veçantë dhe ëndrrës së cdo vajze, e bëjnë në këtë qytet që të fal magjinë
‘’ eehh cbenetë në shtëpinë tonë e cbënetë në shtëpinë tonë
Gjithë valle, gjithë këngë….’’