20.5 C
Tiranë
E shtunë, 4 Prill 2026

AlidaFlower Lula

KUSH DHURON SOT NJË LIBËR?Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Teksa pashë të hapur përbri bulevardit një mori titujsh librash, mbeta për disa minuta duke soditur larminë. Shumë botime më ngjallën nostalgjinë kur i tërhiqnim në biblioteka e kishim garë kush lexonte më shumë duke i numëruar në kartelat përkatëse. Shumë prej këtyre librave të hapur aty në një bordurë, ishin të vjetra madje kishin dhe numrin nga bibliotekat, që se di si kishin përfunduar aty. Marr në dorë novelën ‘Dy kronika për një vrasje’ … Më ktheu disa vite pas. Ishte ky libër që në vitin e 2-të, shkolla ime e mesme ma dhuroi si një prej nxënëseve më të dalluara. Sa vlerë kishte libri e po ashtu një dhuratë e tillë. Ndërsa tani janë të rrallë ata që bëjnë dhuratë libra, e të rrallë edhe ata që kënaqen kur marrin një të tillë. Prita të vinte shitësi aty në bulevard. Nuk dukej askund… Mendova po pres deri sa të vijë se ndoshta ja grabisin… Por, ai e dinte shumë mirë se ai që do të blejë do të presë, pasi askush si do librat që t’i vjedhë…. Ehh libri, i vetmi që të përfshin dhe të jep ndjesi ndryshe. E tek të shoh në raftin tim në shtëpi, më duket sikur më thua: Sot më premtove që do të më shfletoje e do të ishe në shoqërinë time, por të dolën njëmijë gjëra dhe kur erdhe tek unë, fuqitë të lanë edhe përkundër dëshirës dhe dashurisë së madhe ndaj meje. Na ndodh të harxhojmë kohë pafund në internet, duke neglizhuar librin ‘mikun’ më të mirë. Është ai që të pasuron mendjen dhe zemrën ta mbushë me optimizëm, të qetëson trurin dhe të bën të ndjehesh komod vetëm në shoqërinë e tij..,më kujtohen sfidat që kisha në të kaluarën për të pasur një libër të mirë në duar, duke kursyer për të krijuar bibliotekë, ndërsa tani ….më mungon jashtë mase gëzimi kur e kisha në duar librin e shumëdëshiruar, pasi tani kam kaq shumë libra dhe kaq pak kohë për të lexuar. Libri, i vetmi shok, i cili sado ta lësh anash me dashurinë dhe kujdesin që mund t’i ofrosh, prapë të pret. Teknologjia duket sikur e veniti nga viti në vit leximin e botimeve, por vlera dhe rëndësia e madhe e librit asnjëherë nuk mund të humbasë, përkundrazi, në mes të “pluhurit” të kohës së teknologjisë, shkëlqen dhe është i vetmi që të fal ndjesi të papërsëritshme. Lum ai që ja di vlerën librit.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.