“””””””””””””””””””””
N E S Ë R
Në dhomën time të punës hyj në mesditën
E dielltë, të zakonshme, përkëtej perdeve.
Stivat e librave rëndojnë si copa kristalesh
Të qëmtuara nga minierat e çmuara të botës.
Fotografitë e prindërve të vdekur vështrojnë,
Sikur më kërkojne ndjesë që nuk mund të ulen
Edhe ata në tavolinën e përbashkët të drekës.
Por ja, thonë, shpejt do rikthehemi nga udhëtimi
Prej varrezave të lagështa të Nartës sonë.
Nuk e di se si do të jetë nesër ajëri i Tiranës,
Mineralet e ndryshkura të librave të mia,
Të panjohura do të mbeten sepse,
Minierat e mbyllura, të shembura, do ngjajnë
Si gropa humnerash të mbushura me ujë të turbullt,
Heshtja e personazheve të larguar edhe ata,
Cerga merimangash do pushtojë cepat e ankthit.
Siç do ndodh, pyes, kur në murin përballë do të jetë
vendosur fotografia e pasvdekjes sime?
____________________