Një kafe me “Ty”..
Nën dritat e zbehta të bar-bufesë.
Fytyra të zbrazëta vijnë dhe ikin
Si luga n’filxhanin e kafesë.
Vështrimi yt ma trazonte shpirtin.
Me hijeshinë porsi flutur.
Shkëlqeje si nur i bukurisë.
Trëndafil i pakëputur.
Në kopshtin e dashurisë.
Në ato momente të brengosura.
Mes vetmisë që të përpin.
Davarite retë e nxirosura.
Solle diellin në shpirtin tim.
Nga ai cepi ku po rrija.
Të kundrova me admirim.
Si i dehur jo nga pija.
Por nga kupa me trishtim.
Prej shumë vitesh që jemi ndarë.
Askush s’e zuri vendin tënd.
Ti mbete aroma e puthjes së parë.
Por edhe e fundit nuk qe e thënë.
Veç një shikim larg teje jam.
Por të të afrohem s’po mundem dot.
Një perde ngurrimi nga ty më ndan.
E endur me zhgënjim dhe lot.
S’e di pse të të flas po druaj.
Dhe po ndihem kaq i lëkundur.
Ndoshta për ty jam bërë i huaj.
Që atëherë kur të kam humbur.
Ende edhe sot si për ironi.
Buzëqeshja jote më del vegimesh.
Mbase për të më bërë shoqëri.
E të ngushëllohem disi kujtimesh.
Mungesa jote ma la këtë zbrazëti.
Që jetën ma bëri kaq monotone.
Kurrë s’është vonë për dashuri.
Por as dashuria nuk qënka me stacione.
S’i mbeti tjetër kësaj historie.
Gjithçka ka marrë fund tashmë.
Veç disa copëza nostalgjie.
Janë pak më shumë sesa asgjë.
Vetminë e shpirtit kur ta ndjesh.
Nëpër kujtime duke lundruar.
Dallgëve të mallit shpresoj ta gjesh.
Edhe zemrën time dikur të refuzuar.
Këmbët po më dridheshin.
Nga tavolina mezi u çova.
Me sytë që më përvidheshin.
Si një “fajtor” u largova..
Sajmir Çoku