RRIP I KËPUTUR
Mëngjes shkurti i freskët, por i bukur. Kishte preferuar të ecte në këmbë. Rrugët ishin thuajse të zbrazura në atë orë. Dëgjojej tingulli i hapave të ndonjë kalimtari që nxitonte për në punë… I pëlqente të ecte dhe në varësi të stinës dhe kohës që kishte. E linte urbanin dhe shijonte mëngjeset… Bënte hap të shpejtë, por të gjitha shqisat i mprihte për të marë gjithçka përreth.
Po lajmërohej pranvera. .Sythet ishin bymyer . Buzëqeshi.
Një poet, një ditë më parë, i kish krahasuar me gjinjtë…” po fryhen gjinjtë…”. Ndoshta dikujt i ish dukur vulgare, por ajo e kish ndjerë jetësore. Mbajti vesh.
Dielli i nxorri rrezet mbi Dajt. Zogjtë cicërijnë hareshëm. Ata e ndjejnë pranverën. U përhumb në kërkim të vargut. Shndrit, moj rreze mbi këto blire. Fryji sythet, çel pranverën. Shihi zogjtë tek dashurohen. Largo dimrin, lajmëro erën ( jugën)
Hap pas hapi, tingull pas tingulli, semafor pas semafori vazhdonte rrugën. Po afrohej në vendin e punës. Në mendje bluante vargjet. Duhej pak më tepër ngrohtësi, ja si kjo rreze mëngjesore. Duhej pak më ëmbëlsi si kjo simfoni e zogjve mbi kokë. Po duhen dhe disa vargje të tjera. “Po, hë de, vëre në punë trurin, shtrydhe! ” Por ai s’po donte t’i përgjigjej. Dëgjonte rrjedhën e ujit dhe cicërimën e zogjve. I pëlqente të ecte anës Lanës, se sa në trotuarin tjetër që ishte më i populluar. Kaloi dhe semaforin e fundit dhe mori rrugën drejt punës.
Iu largua zogjve dhe po bluante vargjet. Ishte e përhumbur krejt. Në atë orë vetëm ajo ishte udhëtare aty. Dëgjoi një klithmë: Një e qarë femre vinte nga larg. Ndoshta dy rrugica më tej U rrënqeth. U mbështoll mirë me shall. S’di pse iu kujtua tragjedia e kaq e kaq femrave të dhunuara. Instiktivisht dora i shkoi pas veshit, tek vraga aty.
U përlot. Nxitoi hapat dhe pranë kryqëzimit dëgjoi hapa të shpejtë dhe një dihatje. Gati u përplas me një djalë rreth të 25-ve. Ai stepi dhe e vështroi për një moment në sy, pastaj vrapoi andej nga ajo sapo kish ardhur. Shtangu. Çfarë e bënte djaloshin të vraponte aq shpejt? Po vështrimi i tij aq i ftohtë me ata sy me rremba të kuq? Sy vrastarë. U drithërua për të disatën herë. S’po kuptonte asgjë. Kish ngelur në vend e ngrirë, s’po i shqitej nga mendja .
Ishte i gjatë, i dobët, i veshur me xhinse dhe bluzë sportive, me kapuç . Kishte mjekërr të zezë dhe… , po si nuk iu kujtuan duart e djalit ! Tani po bënte lidhjen. Në duart e djalit ajo pa një çantë femre. Një nga ato çantat e shpinës me kapak…Ishte një çantë e zezë, chanel, shumë e bukur, por me rripin e këputur dhe kapakun e hapur. Pra për këtë ishte klithma që dëgjoi. Kaloi kryqëzimin me të shpejtë dhe instiktivisht ktheu kokën andej nga kish ardhur djaloshi. Në portën e një shtëpie pa një burrë në moshë që vështronte i çuditur në të dy krahët e rrugës. Klithma… Ajo ndoshta kish zgjuar banorët e zonës. Mendja i shkoi te ajo femër. Çfarë kish ndodhur me të? Rripi i këputur tregonte që kish pasur rezistencë, por e qara e saj fliste për dhunim. U përlot. E vërteta do ngelej enigmë, por në shpirtin e saj ngjarja la shenjë.
Me hapa të mpira shkoi drejt punës.