KUSH TË MBRON TY?!
( Dymbëdhjetë trupa u gjetën të ngrirë rrugës për në Evropë)
Ti, ma sjell para syshë njeriun me fytyrë të vrarë
Me sy të perënduar dhe koca të dalë
Shpesh herë zëri i tij pa ngjyrë dëgjohet i largët
Sa për të dhënë një urim “Të ndihmoftë”…Ndërsa
Rrobat e grisura i demostrojnë lëkurën e nxirë
Lëkurë e varfër, shpirti i copëtuar…Të njeriut të mirë…
Shpesh herë ti ma nxjerr njeriun në rrugën e gjatë
Drejtë shpresës së tij të tejdukëshme
Ooooh, nëse vërtetë je në qiell, dil të të shikoj
Se Zotërit e tokës, dhe vetë tokën, duan ta fundosin
Po, ta them unë. Ata kanë ngritur shkallën
Për t’u ngjitur në fronin tënd në qiej. Dil dhe shiko!
Shpesh ti je shkaktar që dashuritë këputen në mes
Nga faqja e malit shkëputet një shkëmb
Duke lëshuar tatëpjetë gurët që kurrë më
Nuk mund të bashkohen,
Për të krijuar atë shkëmb të fortë,të ndritshëm
Që t’a zbukurojë faqen e malit përgjithmonë
Ty të akuzoj me të gjithë forcën e së drejtë
Si djegës i filizave të njomë të shoqërisë
Duke i hedhur në krahët e kalbur të dëshpërimit
Nga ku ato nuk mund të shpëtojnë
Ty,varfëri e mallkuar bijë perverse të padrejtësisë.
Bashkë me mbrojësit tuaj ju akuzoj për gjithë tragjeditë
Ty të jap një pjatë me njëmijë mallkime
Siç ua jep ti njerëzve të mi plot me dhimbje
Mbushur me përçmime dhe arrogancë
Duke m’i përplasur rrugëve të tmerrëshme të vuajtjes
Në udhën drejtë kërkimit të shpresave, rrëmbyer
Nga dora jote e mallkuar,ushqyer nga…Egoizmi…
U thashë të gjithë deteteve të botës
Dhe pyjeve me ngricë e dëborë kudo janë
T’ më tregojnë ku i mbajnë njerëzit e mi
Që ti, atje i hodhe në netët më të zeza
Oh për hatër të Zotit të paktën
Eshtrat ruajua që një ditë të mund t’i marr
Ty,varfëri, bijë të egoizmit të pamëshirshëm
Të akuzoj me të drejtën e miliona njerëzish,
Viktima të pafajshme, tuajat
Që humbasin jetën rrugëve të parrugë
Në kërkim të jetës, jetës të cilën ju ua keni marrë
Sepse për diçka të shtrenjtë të tyre ju keni nevojë…
Hej,ju po ju them
Që na urreni lëkurën e holluar nga varfëria,ndërsa
Gjakun dhe organet ua merrni për të zëvendësuar
Tuajat, të kalbura nga egoizmi, dhjami dhe droga
Rrugëve dhe durimit një ditë do t’ju vijë fundi
Bashkë me ju,që nuk do të gjeni më gjak dhe organet
Dhe ju po ju them:
Mos luani me ndjenjat e njerëzve të të varfër
Sepse ata nuk kanë çfarë të humbin më…
Pasi çfarë patën në jetë, ju, po po, ju ua morët
Tani vetëm mund t’ju kujtoj se
Toka rrotullohet…pat thënë Aristarku para Kopernikut…
Hej, më mungon fryma, sepse gjithçka ka ngrirë
Bashkë me shpirtin dhe trupin e atyre
Qyshkur dolën rrugës së gjatë, në kërkim të jetës
Ndërsa atje lart premtoje se do të zbresësh
Për të sjellur dritën e gjykimit mbi tokë. Ku je,
Apo më parë gjithë njerëzit e mirë duhet të ngjiten lart?
Joo, nuk dua më gënjeshtra nga askush!
Akulli mbush stomakun dhe venat e boshatisura
Dhe bën të thyhen gjymtyrët e holla dhe shpresat
Kohës i ngatërrohen hapat në rrugë dhe rrëzohet
Bie mbi trupat pa jetë ku dashuria puth tokën e huaj
Dashuruar, ëndërruar,mallkuar, prapë dashuruar
(Vazhdon)
4.4.22
PJESA II
Askush nuk ka kohë të mendoj për atë që mbeti
Veç një tufë korbash që nuhasin pas telave me gjemba
Kruajnë sqepin e tyre ndjellazi dhe duken sikur qeshin
Ndërsa shpirti tyre gjakftohtë
Është më i përvuajtur se i atij që mbeti
Larg tokës së tij të ëmbël,atje ku etërit e tij prehen…
Një klerik i kërrusur kalon ngadalë mes kufomash
Me sy ngulur në baltën e ngrirë shikon apokalipsin
Ndoshta për një çast dhe ai mallkon krijuesin
Që krijoj njeriun barbar, egoist, makut, në tokë
Dhe i dha të gjitha dhelpëritë,ligësitë dhe sëmirën
E paisi me forcë të shkatërroj veten dhe gjithësinë
Mes kufomash kërkon ndonjërin t’i japë bekimin
Por ata,ashtu të pa jetë duken të gjithë njëlloj
Njëlloj të pafajshëm,ateistë të pastër, si ditën kur lindën
Çuditet kleriku i mjerë dhe pse për të nuk është zbulim
Të paktën lindja dhe vdekja tek njeriu nuk bëjnë dallim
Sigurisht njëlloj dhe të pasurve një ditë s’u duhet bekim
Shko klerik i mjerë futu në guvën tënde të pafat
Padronët-Zotër të vërtetë të tokës qëndrojnë mbi ty
Ti shumë mirë e di se botën e kontrollon mbreti jeshil
Shko klerik, këta nuk kanë nevojë për bekim
Në gjithë jetën, sa e patën, morën urrejtje dhe përçmim
Tani ruaj bekimet për padronët e tokës se një ditë…
Nga larg dëgjohen veç gjëmime. I mjeri qiell i shqyer
Vendin e shpendëve shtegtar, e kanë zënë zogjtë e çeliktë
Ndotet atmosfera nga jashtëqitje e tyre. Toka rënkon.
Oh, ç’dhimbje,ç’tragjedi, sjellë nga ti njeri,tru i sëmurë.
Karvanët e pafund hedhin hapat e lodhura
Me një trastë me sende çfar mundën të marrin. Të qara.
Në sallat e shëndritëshme, zbukuruar me flori
Nxjerrë nga krahët e skeletosura të njerëzve të mirë
Që kurr barkun me bukë, nuk mundën ta ngrijnë
Diskutojnë ndarjen e yjeve në qiell
Ndërsa për tokën dhe njerëzit e saj të mirë në varfëri
S’kanë kohë të flasin një fjalë. Toka nuk u mjafton
Nuk kanë kohë të mendojnë për atë të moshuar
Që humbi të afërmit e tij pasojë e një bombe
Lëshuar “gabimisht”, nga një zog i çeliktë në fluturim
Ndërsa ai sot, nuk di kë të mallkojë më parë
Qiellin, veten, tokën,apo sallat me të florinjta, zbukuruar
Pasi fajin birin e tyre, të gjithë e gjuajnë me gurë
Ej, ju kujtohet vogëlushi Mustafa dhe babai i tij?
Nuk ishte dhuratë nga Zoti fatkeqësi e tyre
I projektuar në sallat e shëndetëshme dhe u realizuan
Laboratorëve të tmerrshëm të zhdukjes njerëzimi
Ashtu si miliona të tjerë në gjeografinë tokësore
Ku sundon uni, narçizmi, ndoshta frike juaj e çmendur
Në rrugët e Nju Jorkut,Moskës, Tiranës, Parisit a Romës
Shtrirë rrëzë pallatesh luksoze një njeri jep shpirt
Ndahet përfundimisht nga varfëria dhe mjerimi i gjatë
Trashëgim ken një çantë me rroba të palara
Dhe vendin e lirë për të tjerët që vijnë sa të vijë darka
Shpesh herë dhe në trotuare për të varfërit nuk ka vend
Kush të kërkon ty në rrugët e verbëra pa shpirt
Përhapesh me shpejtësi të çmendur virale
Toka nga i morën nesër do t’ua janë florinjtë
Në këtë botën tonë të vogël gjithçka rrotullohet
Nëse vërtetë ekziston një tjetër botë
Me viktimat e varfërisë që shkaktuat, do të takoheni
Në metropolet e zhurmëta të botës, jetët këputen kot
Sytë e rrugëve të mjegullta rrjedhin lot gjaku
Nëpër kryqëzime,apo banesa jeta për hobi këputet
Ndoshta gjaku i atij djali ishte i grupit zero minus
Nga ku një ditë mund t’jua kishte dhuruar me dëshirë
Ndërsa ju, në emër të forcës suaj akoma dalloni ngjyrën
Dregëzat në shpirtin e të varfërit rriten dhe mahisen
Ngjyra dhe shtresa sociale ndajnë botën në dyshë,
Varfëria, pllakos nëpër rrugë, apo kasolle të thjeshta
Më ndërpritet buzëqeshja dhe bij në dëshpërim
Sa herë dallgët e tërbuara sjellin në breg kufoma
Apo mbi kasolle avionët shkarkojnë bomba shkatërruese