12.5 C
Tiranë
E enjte, 2 Prill 2026

Bibë Kaza

Sot 14 vite nga shpërthimi famëkeq i Gërdecit

BESIM ÇANGA – NJË NGA 26 KURBANËT e “Fabrikës së vdekjes”, apo korrupsionit vrasës shtetëror, ende të pazbardhur, që u vetëflijua heroikisht për t’iu shpëtuar jetën të tjerëve !
Atë të shtunë të 15 marsit 2008, pasi, nxitimthi për të respektuar orarin, me siguri ka bërë ritin e tij të përditshëm të përqafimit të ngrohtë të shoqes – Dritës së tij të jetës dhe të tri princeshave të tyre, duke i’u premtuar se do bënte çmos të kthehej pak më herët, për t’ua kushtuar atyre mbasditen, Besim Fadil Çanga u nis si zakonisht për në punë. Dhe Besimi e mbante fjalën me këdo, për më tepër kur bëhej fjalë për familjen e tij që e vlerësonte e i gëzohej mbi gjithcka dhe e adhuronte pafund.
… Dhe Ai, aq fatkeqësisht e fatalisht, u ”kthye” edhe më herët se ç’kishte premtuar. U ”kthye” përmes tronditjes dhe zhurmës kobndjellëse të atij shpërthimi tragjik që shkundi e mbuloi me re të zeza tymi edhe Tiranë e Durrës, duke alarmuar jovetëm ata që kishin njerzit e tyre në Gërdec, por që la pa frymë, as në qiell dhe as në tokë, sidomos ata që kishin të dashurit e tyre atje! U ”kthye” përmes mospërgjigjes më në celular, zilja e të cilit nuk kish si të pushonte së rëni atë ditë, teksa zotëruesi ishte bërë qiellor! U ”kthye” përmes raportimeve të mediave, e deri dhe buallit të Shtetit që nuk “njihte” apo nuk i “zinte” goja të përmendtte as emrin e baxhanakut të shkrumbuar. U ”kthye” tek zemrat e vërteta të tij, por tashmë si gjëmë e peng i jetës së tyre, përmes telefonatave e fjalëve të mbytura në lot, që mezi u’a nxinte goja bashkëpunëtorëve që Ai sapo i’u kishte shpëtuar jetën apo rifalur një të re, duke mohuar heroikisht të tijën. U ”kthye”, duke u gdhendur, krahas 25 të tjerëve, edhe emri i tij, tashmë i artë, në memorialin përkujtimorë simbolik, nga banorët e fshatit fatkeq, të panjohur e të harruar deri atë ditëzezë marsi ’08.
Ky shpërthim tmerrues, me kosto tepër të larta njerëzore: 26 jetë fëmijësh, grash e burrash, tërësisht të pafajshëm, disa qindra të plagosur e gjymtuar, si dhe fshati i shkrumbuar e rrafshuar si në Alepo apo në Kiev Ukrahinë, nuk ishte ndonjë bombardim agresioni ushtarak putinist, apo e sivllezërve të tij. Jo, ndonëse krejt i ngjashëm në efekt e pasoja, kjo tragjedi masive, jo e një familjeje, as vetëm e një fisi, por e një mase të konsiderushme popullsie, me ndikim mbarëshqiptar, ishte ”dhuratë” e putinëve shqipfolës të brendshëm e me tepri, e krimit dhe e korrupsionit të gjithanshëm dhe të pafre, shtetëror dhe joshtetëror, që ishtë mbarështuar ethshëm prej dy dekadash, duke vijuar të mos ndëshkohet…
Por, pavarësisht përmasave të tragjedisë, putinët e partive politike i rrahën shpatullat ”Dashit të kurbanit” dhe njeri-tjetrit, siç rëndom ka ndodhur këto 3 dekada, t’u bërë marrëveshjen e pazarin e radhës, teksa populli ynë trim, që edhe pse i stërvjedhur, mashtruar, nëpërkëmbur e deri tradhtuar kombëtarisht, përkundrejt politikës ka durim të pasosur e pranon edhe të hajë bar (ndoshta, si asnjë popull në glob), heshti si zakonisht, duke vijuar me gam-gamet në kafenera e zijafete dhe ciu-ciu në media e rrjetet sociale. Viktimat e pafaj të radhës, u varrosën, duke iu kthyer shpinën e thuajse braktisur brutalisht familjet fatkeqe të tyre, në fatkeqësinë e hallin e tyre të disafishtë dhe degdisur ato dyerve të gjykatave, ku ende nuk kanë përfunduar proceset gjyqësore të dëmshpërblimit…
Po si u gjet oficeri specialist, njeriu aq korrekt e paqësor, qytetari, kolegu, miku e familjari shembullor, Besim Çanga në këtë fatkeqësi?! Ai, që prej një dekade, ishte çertifikuar dhe angazhuar totalisht pikërisht për të parandaluar fatkeqësitë potenciale të të tjerëve, si mbrojtës dhe shpëtues i jetës së qytetarëve shqiptar, kudo ku kishte rezik, kudo e thërriti detyra, pa marrë në sy rrezikimin e jetës së tij, pa u nxituar dhe gabuar askund, siç do cilësohet pak radhë më poshtë.
Si për tiu dhënë të drejtë atyre që thonë se aty e kishte të parashkruar, Beso, siç e thërrisnim shkurt në përditshmëri qysh kur ishim begsa qumështor, nuk kishte as dy muaj që kishte nisur punë pranë ”Albademil” Sh.p.k, alias “Fabrikës së vdekjes”, në Gërdec. Nevojat ekonomike familjare, shkollimi i vajzave që moshoheshin – gëzimit të pamatë të jetës së tij, të cilave Ai donte t’ua plotësonte medeomos çdo kërkesë në rritje, si dhe parimi i tij për t’ia dalur gjithçkaje me djersë e nder, e imponuan të bënte përkohësisht kompromisin, që rezultoi fatal – të mbyllte sytë para mosrespektimit të rregullave të sigurimit teknik që shihte në vendin e ri të punës. Provoi si specialist të sensibilizonte drejtuesit, por atyre iu ishin errësuar sytë nga fitimi. At’herë vendosi të bëjë gjithçka varej nga Ai, me grupin e tij, pa toleruar në asgjë, duke u interesuar njëherazi të gjente mundësi tjetër punësimi. ”Shef Zabiti daltë për mbarë kjo punë, me kaq shumë probleme. Ky volum i madh municioni që vjen do menaxhim dhe siguri të lartë, ku ne duhet të kemi maksimalisht kujdes se jemi edhe specialistë, pavarësisht se punojmë direkt në pozicion punëtori. Ç’t’ju bëjmë halleve, jemi nevojtarë…”, kujton kolegu Z. Çuku t’i kishte thënë Beso-ja, në një gjendje të trazuar shpirtërore, ku vetëdija qëndronte kundër halleve (Libri ”Oficerat xhenierë në rrjedhën e historisë”).
Por nuk paskësh qenë e thënë. Pikërisht kur, siç kam mësuar pas ngjarjes, kishte mbetur as një javë e plotë që do ndërpriste marrdhënien e punës e të largohej nga aty, mbrriti gjëma e 15 Marsit, të cilës, përsëri Besimi iu kundërvu heroikisht për shpëtimin e sa më shumë jetëve njerëzore.
Po, pa asnjë ekzagjerim! Këtë e pohojnë mirënjohës ata të cilëve Besimi ndihmoj t’iu shpëtohet jeta, si dhe kolegë e dëshmitarë të tij në Gërdec. Me rëndësi të thuhet është se Beso sot do të ishte shëndosh e mirë në jetë, nëse Ai, pasi “Në momentin e fillimit të shpërthimit Besimi mori grupin e puntorëve dhe me shpejtësi i largoi në vende të sigurta, për mbrapa kodrës sa më larg për të mos i zënë copat e shpërthimit…” (pohon G. Loka), nuk do kthehej për të shpëtuar të tjera jetë të pafajshme. Por, edhe pse shpëtoi ata të grupit të tij, edhe pse Ai i dinte, ndoshta më mirë se askush aty, limitet e katastrofës që mund të ndodhte, zëri i brendshëm i vetëdijes së tij aq humane, i shpirtit të ndjeshëm, fisnikërisë e dashurisë së tij për jetën, përfshirë atë të të tjerëve, triumfuan dhe e kthyen rrufeshëm drejt shpëtimit të jetëve të të tjerëve, fëmij e gra të papërvojë, qoftë edhe duke flijuar të tijën. Rasti e koha nuk priste për kalkulime…!
Gjithësesi Ai bëri të tijën, jo në letër apo filma, por duke nënshkruar një akt real heroizmi me jetën e tij, duke e ndërprerë atë për të tjerët, pikërisht at’herë kur ajo ishte bërë edhe më e shtrenjë për t’u shijuar, bashkë me Dritën – dashurinë e jetës së tij dhe vajzat e rritura e të mirëedukuara, që po shkolloheshin me rezultate të shkëlqyera e për të cilat kishte aq e aq plane optimiste në kokë, sikurse më pati folur me plot shkëlqim në sy, teksa bashkëshijonim kafen, që na mbeti e fundit, disa muaj para fatkeqësisë.
E ç’far dimensionesh të tjera ka heroizmi i vërtetë: aq shprehës e bindës, pa nevojë për fjalë të tepërta, prezencë kamerash televizive a ç’far tjetër, paçka se tituj e dekorata pa doganë janë dhënë rëndomtë edhe për kriminelë, njerëz me kontribute mediokre, deri edhe guzhinierë për dreka-darka, por askush nuk besoj se ka dërguar një propozim në Presidencë për Besim Çangën, i cili shpëtoi e siguroi disa jetë dhe u flijua për të mbajtur të tjerë në jetë…Mund të jetë një imazh i zjarr dhe qiell
Po kush ishte Besimi, për ata që nuk e njihnin apo të tjerë që kanë interes të dijnë?
I lindur më 12 dhjetor 1957 në Gurakuq, Librazhd, në një familje plot derte, si gjithë familjet tona, sidomos ato në zonat rurale shqiptare, mësimet e para dhe arsimin 8-vjecar i kreu në vendlindje dhe Dushk të Lushnjës, ku qe vendosur më pas familja. Me dëshirën për t’u arsimuar, për t’iu bërë krah prindërve të urtë e fisnik dhe familjes, si dhe bërë dikushi me vlerë në jetë, i’u dha mundësia të ndjekë Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej”. Si pa miq që ishim, “shorti” na ra të dyve në degën ndërtim në vitet 1972-1976, ku edhe u bëmë bashkënxënës të një klase, pikërisht 50 vjet më parë, me plot bashkëmoshatarë të tjerë të mirë, nga Tropoja në Sarandë. Përgjatë viteve 1977-1981, ndoqi me vullnet, sedër e sukses studimet në specialitetin e Xhenios dhe stazhin vijues, për t’u titulluar oficer me 18 Maj 1981. Dy javë më pas paraqitet dhe nis punën e karrierën e oficerit si komadant toge xheniere në BrK, Elbasan. Për cilësitë e aftësitë e treguara, pas dy vitesh emërohet komandant kompanie xheniere po në Divizionin e Elbasanit, për të kaluar pastaj me detyrë shef vesh-mbathje e karburanti në BrK Përrenjas, gjatë viteve 1986-1988, e më pas kaloi në BAM në Qafë-Thanë. Me rivendosjen e gradave u gradua Kapiten i parë dhe emërua Instruktor i përgatitjes xheniere në DK Librazhd, duke përballuar volum të madh detyrash e përgjegjësish për sigurimin e objekteve dhe masave efikase shtesë përgjatë kufirit shtetëror, teksa ishin bërë masive kalimet e paligjshme të kufirit dhe shtuar veprimtaria e elementëve keqbërës. Për arsye të formimit, betimit ushtarak e lidhjes shpirtërore me profesionin, si dhe karakterit të tij të qëndrueshem, Beso, nuk i’u lëpi e jargavit palo-politikanëve e partiçkave politike, për post e privilegje të pamerituara, apo bërë organika “demokratësh” në karrierë dhe lista hedhje në rrugë të të etiketuarve “socialistë” apo “jo tanët”, sic bënë disa individë të tjerë, por dinjitetshëm vazhdoi të mbaj me nder uniformen ushtarake, duke iu falur detyrës, nderit dhe Atdheut.
Përmes të ashtuquajturave reforma, në 1993 caktohet Shef Xhenio në Regjimentin e Artilerisë Kundër Ajrore në Vorë, Tiranë.
Pas “luftës ’97” absurde ndër veti të bandave, ku më e rrezikshmja ishte ajo që kishte uzurpuar të ashtuquajturin shtet, nën dirigjimin e agjentuarave antishqiptare, luftë të cilës i dihet vetëm nisja në panverën e vitziut 1997, i përzgjedhur si specialist i aftë xhenier dhe kualifikuar si më i miri në kursin e parë që organizoi NATO “Për asgjesimin e municioneve me plasje”, Beso iu përkushtua në vazhdim eleminimit të pasojave të ’97-s, atyre të Luftës për Çlirimin e Kosovës etj., për pastrimin, sisteminin, asgjesimin e municioneve të paplasuara në rajonet që mbulonte BFUTiranë. Në vitet 2001-2004 kreu detyrën specialist drejtues i Kompanisë EOD, në BFU, më pas në KML Tiranë. Kurse dy vitet e fundit të karrierës shërbeu si oficer shtabi në KML, derisa më 1 shtator 2006 u nxuar në lirim. Por për aftësitë e tij si specialist i kompletuar,në periudhën mars-dhjetor 2007 angazhohet specialist xhenier, EOD, Qendra e Demilitalizimit të Municioneve (NDC), monitorues, oficer i sigurisë, në kompaninë Amerikane (CAIK), demontimin, asgjësimin e municioneve të rënda bomba ajrore, Gjadër, mina silura detare Shëngjin e Durrës. Përgjatë gjithë kësaj periudhe dhe aktiviteti të ngjeshur e me rrezikshmëri të lartë, por me disiplinë sipërore, standarte e ekzigjencë, duke i ndejtur vetë në krye punëve, Besimit nuk i ndodhi as edhe një ngjarje e jashtëzakonshme, duke i qenë mirënjohës edhe pedagogut të shkëlqyer të Luftës me mina – Memo Skendos, tashmë edhe ky në amshim, trajnimit të vazhdueshëm dhe cilësive të çmuara e temperamentit të tij si ushtarak model.
Ah more Besim sivëllai! Thuajse u rritëm e hodhëm shtat bashkë nën uniformën e gjelbër, në 8 vitet më të bukura të jetës shkollore, sikurse ruajtëm lidhjet e fatmirësisht ishim në kontakt miqësor përgjatë pas ’97, kur edhe erdhe në Tiranë. Ne shokët tuaj të njihnim për shumëcka të vyer që kishe: për intelektin, për sedrën, zemërbadhësinë e shpirtin e butë e bujar, ashtu sic ishe edhe i drejtëpërdrejtë dhe nëncmues ndaj atyre me dy a më shumë fytyra, për buzëqeshjen e përhershme apo zërin tënd të kursyer e karakteristik, me të cilin artikuloje vetëm fjalën e ëmbël për këdo , plot mirësi e pozitivitet, për dashurinë që shfaqje për prindërit e familjen e madhe dhe sidomos atë që krijove e zhvillove vetë për merak, për shokët, edukatorët e këdo me të cilët të lidhi puna e jeta.
Por nuk e paskeshim ditur mirë ne sa me fat ishim, që kishim mes nesh një shok brenda të cilit ishte rritur e formësuar një burrë hero! Na le pa fjalë, madje jo vetëm ne, për guximin, humanizmin e vetmohimin e rrallë të një heroi të vërtetë e të madh!
Përulje e nderim të përjetshëm për Ju, Besim, që ndonëse bashkëshortes (aq të heshtur, dinjitoze e fisnike, teksa e kam parë me vajzat apo fatkeqët e tjerë të Gërdecit, gjyqeve që pasuan), vajzave e të dashurve tuaj edhe sot mund të mos iu jenë tharë lotët, por që me siguri atyre përveç bekimit, iu ke dhuruar krenari dhe siguruar përjetë nderim! Madje jo vetëm atyre!
Të ndrittët emri, shpirti dhe veprimi yt frymëzues, sivëlla e koleg hero! Ke merituar dhe paç amshimin e pasosur 🙏!
Është rasti t’iu shpreh dhimbjen e solidaritetin njerëzor gjithë familjarëve të 26 viktimave të pafajshme të kësaj ngjarjeje tragjike, duke u lutur për shpirtërat e tyre 🙏!
bk, 15.03.2022
Shënim: falenderoj përzemërsisht autorin e librit ”Oficerat xhenierë në rrjedhën e historisë”, Z. Cuku, si dhe kolegët e nderuar Nënkol. G. Loka, Z. Fero, Xh. Horanlliu, M. Marku, Major P. Behari e D. Drini për kujtimet e konsideratat në atë libër, të shfrytëzuara edhe në këtë përkujtimore.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.