Shokëve komunistë, nga komunistja e shekullit të ri!
28 JANAR 2017
Në biseda të ndryshme me shokë është e vështirë ti bindësh të gjithë po ashtu është vështirë të përgjigjesh pyetjeve të disave të quajtur radikalë të majtë, të etiketuar trockictë (e ashtuquajtura O. P) apo të padefinuar.
Më ka rastisur në takime të më pyesin sesi një komuniste kandidon në koalicion me ps-në? Si mund të jesh me borgjezinë në një tavolinë për biseda ndërkoh që e majta mbron idenë e revolucionit? Gjithashtu pyetje të llojit se si mund të jesh një komuniste pro amerikane, pro nato-s dhe pro be-së?
Të gjitha këto pyetje me qëllim për të ulur nivelin bashkëbisedues në mënyrë që të ulet besueshmëria e argumentave të palës tjetër përballë lexuesit dhe qytetarit.
Përgjigjet e tyre mund të jepen brenda një kohe të shkurtër disa sekondave, ose minutash të cilat janë të parapërcaktuara në shkencat politike dhe përbëjnë volumet e librave të teorive politike. Ndërkoh që, nuk mund të kërkohen me të njëjtën shpejtësi edhe arritjet dhe hapat në realitetin praktik, të cilat për tu aplikuar dhe arritur rezultatet e dëshiruara kërkojnë strategji dhe qëndrime të mirë kalkuluara me objektiva afatgjatë dhe afatshkurtër.
Individi i lodhur, mungesa e sindikatave të pavarura, shoqëria e dalë nga konturet e saj, media e varur, organizatat politike dhe përpjekjet për të krijuar një të majtë radikale në vend, të gjitha këto qëllimisht apo jo janë larguar nga objektivi kryesor dhe harrojnë se, situata aktuale është si në vitet ’39-’45 të shekullit të kaluar, për të mos thënë se si përgatitje politike individuale dhe shoqërore jemi në gjendjen e pas viteve ’20.
Gjithashtu harrojmë se e majta komuniste nuk është më në pushtetin e saj të dikurshëm dhe nuk mund të sillet me arrogancën, psikologjinë e pushtetit të burokracisë që u tregua thembra e akilit, në rënien e saj në fillim vitet ’90.
Në këto raste gabimi që bëhet është se ata elementë që e bëjnë me pavetëdije në mënyrë indirekte ndihmon ata dashakeqës e mosbesues për të ngritur barriera midis ideologjisë dhe njeriut të sotëm për ti përçarë e për ti sunduar më lehtë me kapitalin elitar nëpërmjet fashizmit të ri që është rendi i ri botëror, i cili sapo ka filluar dhe është 15 vjeç, në adoleshencën e tij.
Duhet të përmendim se, në bazë të shkencave ekzakte (matematikë) një problematikë/çështje e caktuar në parim ka një qasje të parapërcaktuar teorikisht, ndërkoh që në praktikë në momente (që është faktori kohë) të caktuara nxjerr rezultate të ndryshme në bazë të faktorëve të jashtëm që lozin rol të rëndësishëm në përcaktimin e politikave të brendshme.
Nëse pyetjet bëhen me qëllim për të vendosur një vijë paralele midis fashizmit dhe komunizmit me indicje sipërfaqësore, atëherë kjo përpjekje është qesharake, pasi faktet historike vërtetojnë rolin negativ dhe pozitiv të secilit prej tyre.
Lufta është art, ashtu siç është edhe paqja. Përzgjedhja e tyre është çështje personale e nxitur nga interesat individuale nën influencën e botkuptimit tonë ndaj koncepteve universale. Përcaktimi i përparësive në kohën dhe vendin e duhur janë të rëndësishme në suksesin e veprimtarisë politike. Ndërkoh që, edhe përcaktimi i saktë i aleatëve në kohë e rrethana të caktuara përbëjnë sukses në vetvete. Aleati bëhet lehtë kundërshtar dhe kundërshtari bëhet lehtë aleat sipas problematikave dhe objegtivave që, vendosen kohë pas kohe.
Të kandidosh nën siglën e PKSH-së në një kohë kur ky koncept politik ishte tabu për 23 vjet me përkrahjen dhe mbështetjen e shokëve, simpatizantëve, votuesve, qytetarëve, studentëve është një hap më vete.
Të mashtrosh, të gënjesh, të mohosh ka qënë rruga e lehtë e suksesit në realitetin e ri çerekshekullor. Personalisht nuk më kanë tërhequr rrugët e lehta, përkundrazi sfidat dhe vështirësitë kanë qënë adrenalina më e mirë për tu çliruar nga vetja në një përpjekje për të përcaktuar kufijtë e vetes duke i thyer dhe tejkaluar ato.
Nëse do të mohoja të shkuarën time dhe kandidimin tim nën siglën e PKSH-së, nuk e bëj një gjë të tillë se, respektoj mbështetjen e partisë, shokëve, anëtarëve të thjeshtë, simpatizantëve, puntorëve, grave që, shfaqën ndaj meje në momente të vështira përzgjedhjeje.
Mos mohimi vjen jo si respekt ndaj tyre, por si respekt ndaj vetes, sepse nuk mund të mohoj vetveten, të shkuarën, zgjedhjen time dhe në të njëjtën kohë të kërkoj nga të tjerët të më respektojnë për atë që jam, apo për atë që do doja të isha, por që nuk jam.
Për të lehtësuar veten dhe të tjerët shkurtoj distancën e këtij rrugëtimi llogjik. Në përpjekje të përgjigjes sime mbase dhashë përshtypjen e një komunisteje konfliktuale e papërcaktuar, sesa ikonën e një komunisteje klishe që është stamposur në mëndjet e njerëzve nga media dhe politikat neofashiste për të manipuluar dhe shpërdoruar konceptet te individi i pavendosur dhe konfuz.
Konfuzioni i masave është arma moderne e elitave kapitale kundra përpjekjeve globaliste për politikat sociale.
Kohët e fundit ështe bërë një përpjekje nga elementë të ndryshëm pedagogjik për informimin politik të të rinjve me ideologjinë e majtë komuniste.
Historia dhe e shkuara e përgjakur e njerëzimit ka treguar se kur elitat e kapitalit fryjnë dhe mbarsin fëmijën e tyre fashizmin për kontroll dhe pushtet të plotë ndaj popujve, paralelisht lind nevoja në mënyrë të natyrshme për formimin e elementëve mbrojtës ideologjik që është e majta komuniste.
Historia përsëritet kur popujt dhe njerëzimi nuk nxjerrin mësimet e duhura nga e shkuara e tyre. Kohët e fundit po tregojnë se jemi në një periudhë e cila do sfidoj sërish njerëzimin në lojën e budallikut të vetë.
Politikat janë interesa dhe ashtu si mund të ndryshojnë e prishen interesat ashtu mund të ndryshojnë e prishen politikat e caktuara.
Prandaj, nëse për dikë ose disa mund të dukem si komuniste reaksionare në një botë të kapitalizmit të egër në mungesë të revolucionit nga shtete dhe shoqëri të mëdha e të fuqishme, kanë të drejtë që më shohin si të tillë. Preferoj të jem e tillë në një përpjekje për mirëqënien e popullit dhe zhvillimin e vendit, në përputhje me rrethanat dhe kushtet që gjendemi.
Konceptet janë relative dhe si të tilla mundësojnë alibi për gjithsecilin nga ne dhe për palët që gjenden përballë njëra tjetrës dhe mund të përdoren në varësi të qëllimeve tona në bazë të kohës, vendit dhe personit. Konceptet bëhen statike, të qëndrueshme, solide dhe varen nga qëllimi i përdorimit të tyre.
Qëllimi i ndikuar nga arsye individuale, apo kolektive përcakton afatgjatësinë e suksesit të tyre në realitetin tonë. Deri në momentin që njerëzimi do të kuptoj se e Majta është e ardhmja dhe do ta përqafojë atë për sigurinë e së ardhmes së vetë, deri në atë moment do të luftojmë me ato armë e mundësi që na jepen duke iu përshtatur faktorëve të kohës.
Një shprehje thotë; ‘kur natyra të jep limona, mos u anko pse janë të tharta, apo pse s’të dha portokalle, por bëji Limonatë’!