“”””””””””””””””””””””””””””””
LE TË DIGJEMI
– në ditët tragjike të pragvdekjes-
Dy zjarre të largët jemi por flakët tona përpijnë qiellin,
Hapësira mavi mespërmes ndan shpirtërat tanë,
E errët, e turbullt, tinzare mbi ne vetëtima lëshon,
Si një det fantazmash pa fund, kërkon të na shuaj.
Dhe ti që mendohesh matanë yjeve të fikur të janarit,
Me trishtimin e pagojë të mosqasjes, të mosbesimit.
Unë psherëtimat përtyp në bregun tjetër të shkëndijave.
Le të digjemi vrullshëm prej fjalëve të fshehura,
Le të tretim ndjenjën me frikën e turbullt nga morali,
Le të shuajmë gjakun e mbetur me verën turbulluese
Të dremitjes dhe ankthit, dëshirave të trupit.
Le të vlejnë vështrimet tona, një këtu, një atje tutje,
Për të ndriçuar një pjesë të prekjes, mornicash fatale.
E vërteta e shkrirë gojë më gojë çapitet si brengë;
E vërteta me mbulesën gri të antiligjit mbëshillet,
Zjarret tona kanë, veç, flakën e butë të dhimbjes,
Dashuria ikën si shkëndijat që shpojnë qiellin e zi,
Paçka se varrmihësit enden si në kohë të kolerës,
Gropa mendimesh të dlira çelin në ditet-mërzi.
Le të shpupurishim flakët për të ndriçuar edhe pak natën,
Dhe pastaj të shuhemi në detrat e thella të kujtimeve..
Të digjemi do të thotë se kemi jetuar një copë herë,
Përkundër moralit të kalbur të varrmihësve fatzinj
Që kurrë nuk e mësuan se jeta është veç dashuri.
______________