12.5 C
Tiranë
E enjte, 2 Prill 2026

Lulëzime Malaj

Letër nga New York-u

Mbi rrasën e pusit pran’ shtëpisë,
ulur rri e mendoj;
për kujtimet e fëmijërisë,
që më trokasin fort në portë.
Ç’rastësi!
Një mesazh në celular më befasoi,
vjen nga im kushëri,
që banon në New York!
A e mban mend motër, më thotë;
– Kur ishim fëmijë,
kur luanim me porta,
me topin tonë prej lecke?!
Sa herë ti më bëje hile
në gjuajtje penalltije,
edhe hëna mërzitej
e ndukte faqet si rrecka!
Kur gjarpëronte
makina – postë tej në xhadetë,
në barkun e saj të bardhë,
zienin; lajme, mall,
derdheshin në ato letra;
hallet, brengat, dashuritë,
ne e ndiqnim me sy,
atje, rrëzë një pllaje në mal!
Kur ngjiteshim,
ndër degët e manit në avlli,
me gjethe na puthte
në gushë e faqe!
A e di? Për ato perëndime
t’purpurta më ka marr malli,
për të bukurat vashëza,
që binin erë manushaqe!
A të kujtohet motër,
kur laheshim te gjoli,
dhe një ditë mendova
t’i bija me not n’bregun tjetër?
Porse në mes të gjolit,
shkuma më doli,
ndërsa ti qeshje,
perëndimi digjte shallin e vjetër!

Këtu më zihet fryma,

nga rrëmuja molisëse…

Rrokaqiejt,

pronësojnë kaltërsirën an’ e kënd.

Për aty më rri mendja,

nën kuben e drurëve në harlisje,

pezull si mjegull e tejdukshme,

e avullt, e ergjendtë…!

——————————————-

Lulëzime Malaj

Marr nga libri “ Në Ballkonin e një reje”

“”””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””May be an image of flower and nature

Brenga
Në qiej kristal, ku befas shtyhen retë,
Mëngjesit ku bora gjithkund kish rënë,
Një brengë, u shtri gjerë e gjatë tek unë,
Dhe s’ikën dot, se shtigjet i ka zënë!
Më mashtroi dhe u fut nga një shteg,
Po, sidomos natën, ajo s’më lë të fle,
Shëtit e shkujdesur nëpër parqe,
Dhe kënaqet që mua të qetë s’më lë!
Kur sapo lind dielli të më buzëqesh,
Ajo më mbështjell krejt me farmak,
S’e ndryshon aspak mendimin ,
Sikur të ik nga unë, veç, sadopak!
Unë asaj, asgjë të keqe s’i kam bërë,
S’di pse s’do të më shohë të lumtur,
Unë bëj ta zboj, ajo s’më bindet,
Që në fillim më duket lojë e humbur!
Që nesër do ta zhduk në ndonjë hon,
Pa kthyer kokën, pa kthim do ik,
T’i fsheh dhe udhët që të mos më gjej,
Dhe peng t’i mbetet ai çast tragjik!

Aq më lodhi, sa e lashë fare mënjanë,

Dhe u mora pastaj, krejt me gëzimin,

Për çudi, ajo, se nga u fsheh a u zhduk,

Ndoshta u zemërua, se pa rivalin!?

——————————————

Lulëzime Malaj

Marr nga libri im “Prelude dashurie”

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.