Me penen brilante Nikolle Loka
Një libër i ri po vjen. Është libri i parë për Bisakun e Fanit si fshat, i shkruar nga studiuesi Preng Gega, që e ka kaluar të gjithë jetën në këtë fshat, me të cilin e lidhi jeta dhe puna. Edhe sot në pension, kur jeton midis Laçit dhe Bisakut, mësues Prenga mendjen dhe zemrën e ka atje, në Bisakë, ku dhe është shkruar ky libër, në mes të kujtimeve dhe dokumenteve të shumtë.
Sot, shkrimet e monografive për fshatrat janë bërë një praktikë e zakonëshme dhe me mjaft vlerë. Duhet që mos ta lëmë të kaluarën që të na humbë, ndërkohë që familjet janë shpërndarë nëpër qendra të ndryshme urbane brenda vendit dhe në emigracion. Për më tepër, Bisaku nuk është më. Lagjet e katundit të madh Bisak, më vonë fshatra më vete: Shtrungaj, Bisakët e Venit, Klos janë pakësuar, përgjysmuar e disa gati zhdukur nga Rruga e Kombit. Nga Bisaku ka mbetur i pacënuar fshati Fanë(Kujt) dhe lagjet e Klosit : Shtil e Kry. Në ato kushte, një libër për të kaluarën e Bisakut vjen si domosdoshmëri. Por libri “Bisaku ngjit shkallët e historisë” është më shumë se fotografim i një kohe të kaluar. Ai është një paraqitje me dokumente e rolit të Bisakut në histori.
Mësuesi Preng Gega, me profesion mësues i historisë, ndër më të mirët që ka pasur Fani dhe Mirdita, i nderuar dhe i respektuar për kontributet si mësimdhënës, por edhe si drejtues në arsim, u ka mësuar histori mijëra nxënësve nga Fani dhe një libër i shkruar prej tij pritet me interes të veçantë. Pas librit për kontributin e Bisakut në arsim, Prenga vjen me këtë libër, që dallon nga librat e tjerë, përfshirë dhe ata që janë shkruar për fshatrat e Fanit. Ndryshe nga librat e tjerë, ku autorët kanë shkruar histori për fshatin në vetvete (dhe kjo ka vlerat e veta të padiskutueshme), mësues Preng Gega shkruan historinë e Bisakut në përbërje të Fanit(shkalla e parë e njohjes-vendlindja); të Bisakut në përbërje të Mirditës(shkalla e dytë e njohjes,- historia krahinore) dhe Bisaku në përbërje të kombit(shkalla e tretë e njohjes,-Bisaku në historinë kombëtare). Preng Gega sjell kontribute konkrete për të gjitha ngjarjet e mëdha, ku bisakasit kanë marr pjesë, duke na dhënë dije të reja, por edhe duke treguar se fshatrat tona, si vendbanime njerëzore, kanë qenë vende ku ka pasur histori, përpjekje, luftë, arritje dhe se zona e Fanit nuk ka jetuar e izoluar nga vendi dhe fati ynë kombëtar.
Si historian i njohur i zonës, me kontribute që herët në hartimin e historikut të Bisakut e historinë e arsimit në zonë e më gjërë, autori u jep përparësi dokumenteve shkencore të pashkruara(të dhënat arkeologjike) dhe të shkruara(dokumenteve historike), pastaj analizon toponimet si burim historik me vlerë dhe në mungesë të të dhënave të tjera, u adresohet edhe gojëdhënave. Trajtimi shkencor i librit, analiza që u bëhet ngjarjeve të ndodhura në Bisakë në kuadrin Fanit, Mirditës dhe të kombit në tërësi, i jep librit kronologjinë e nevojëshme, trajtimin e qartë dhe ballafaqimin me të vërtetat e njohura. Autori beson te historiografia, te dokumenti, te faktet e analizuara me profesionalizëm dhe të dhënat e tij i kalon nëpër sitën e kësaj historiografie, duke eleminuar trajtimet subjektive, që edhe në studimet monografike kanë zënë vend në kuadër të lirisë së mendimit.
Autori Preng Gega ka dhënë mjaft mire kontributin e Bisakut, por edhe të Fanit në tërësi, në lëvizjet e mëdha kombëtare: Lidhjen e Prizrenit, Lëvizjen për Pavarësi Kombëtare dhe Luftën Nacionalçlirimtare. Parë me këtë këndvështrim, libri është një kontribut me vlerë jo vetëm për Bisakun e Fanit, por edhe për studimin e historisë së Fanit dhe të Mirdiëts. Me shumë vlerë është dhe paraqitja e kontributit të rëndësishëm të Derës së parë të Fanit, asaj të Tuc Dodë Gegës.
Kur lexon librin e Prengës e kupton se, pavarësisht si e ka marr të drejtën e prijes Bisaku,(gojëdhënat e trajtojnë si më të parin në atë trevë), ai e ka merituar plotësisht, pasi ka ditur t’u paraprijë zhvillimeve dhe ka treguar me vepra mençuri, drejtësi dhe përgjegjësi. Bisaku ka qenë qendra administrative dhe fetare e zonës dhe sot mbetet i tillë, i nderuar jo vetëm për hir të traditës, por edhe të kontributeve të bijëve të vet. Emri i Bisakut lidhet me kontributin e madh të Ndrecë Ndue Gjokës në zhvillimin e arsimit në Mirditë, si dhe të bijëve të tjerë të shquar, ndër të cilët edhe autorit të kësaj monografie.
Dikur, mësuesi Preng Gega ne, bijëve dhe bijave të Fanit, na ka mësuar historinë, na ka hapur portën e parë për të hyrë në labirinthet, magjinë dhe mrekullinë e saj. Sot, si pensionit, por edhe si një qytetar aktiv, na mëson ende për vlerën që ka e vërteta shkencore si pasuri e komunitetit dhe e kaluara si një arkiv i madh që koleksionon ngjarje.
Libri është një kushtim ndaj vendlindjes, e cila ka ndryshuar shumë dhe një testament që u kujton bijëve të Bisakut se kudo që të shkojnë, ata duhet ta marrin historinë e vendit të tyre me vete, pasi vetëm historia e vërtetë u tregon atyre se kush janë në këtë botë globale në ndryshim dhe zhvillim të pandërprerë.
“”””””””””””””””””””””””