Çerdhja që ndërtoi im atë, u prish,
dhe molla në oborr këtë vit s’lulëzoi.
Në hambar mbaroi drithi që ish,
dhe oxhaku s’nxjerr më tym, pushoi.
Zogjtë u shpërndanë nëpër botë,
ikën të gjithë në muzgun e murmë.
Tek sytë e tyre shihje vetëm lot,
teksa shkonin larg, larg shumë.
Ra një ditë dhe çatia e shtëpisë.
bunari në fund të oborrit kish shterruar.
S’gjante më asgjë me çerdhen e fëmijërisë,
përveç kujtimeve çdo gjë kish mbaruar.
Erdhën e ikën shumë pranvera.
në çerdhen e parë s’u kthyen varg e varg.
Kot trokitnin njerëzit tek dera,
se njerëz s’kishte, ishin larg.
“”””””””””””””””””””””””””
Im bir, pa më pyetur fare,
Hyri me vrap në një lulishte.
S’pyeti, por hyri ashiqare,
Mblodhi ca lule, për mamin ti kishte.
I turpëruar i thashë të dilte menjëherë,
Ndërsa ai kërcente në kopësht, vërdallë.
Nga sjellja e tij, sa keq isha ndjerë,
Po ç’bën kështu, ç’bën mor djalë?!
Djali më pyeti:- Babi ç’ka ngjarë?
Dhe thirri kopshtarin me nxitim.
– Merri lekët dhe të të vejë mbarë!
Se i mblodha lulet, për mamin tim.
“”””””””””””””””””””””
Një nënë u ngrit herët në mëngjes,
dhe përshëndeti qytetin, të tërin,
tek ecte si në mjegull e thyer në mes,
se nusja mbrëmë i kishte ngritur zërin.
Edhe ajo veten nuse e kish ndjerë,
dhe ajo patjetër që vjehrrë kishte,
por zërin vjehrrës s’ja ngriti asnjëherë,
se e lumtur me të jetoi, sa ishte.
Një nënë u ngrit herët në mëngjes,
dhe përshëndeti qytetin, të tërin,
tek ecte si në mjegull e thyer në mes,
se nusja mbrëmë i kishte ngritur zërin.