10.5 C
Tiranë
E mërkurë, 1 Prill 2026

David Boseta

RANGE-ROVER

tregim
Range-Roveri sportiv parkoi zhurmshëm në oborrin e bukur të lokalit ku po pinim kafen, diku në hyrje të Shirokës buzë liqenit.
Nga makina doli fillimisht një kokë e tultë qerose që ngjante si këlysh dinozauri. Një mashkull fodull totalisht indiferent me celularin në vesh përplasi derën e fuoristradës dhe u drejtua nga një tavolinë e lirë ku zuri vënd duke tërhequr zvarrë karriken e rëndë prej hekuri. Nga pas e ndiqte si një koketë e pabindur gruaja e tij elegante e cila bënte sikur po ulte pak fundin e shkurtër. Siç mund të imagjinohet ajo duhej të ishte sa gjysma e moshës së tij. Burri me pamje gangsteri pensionist, me varëse floriri e këmishën zbërthyer vazhdonte me zë të lartë bisedën në celular me një mikun e tij deputet, të cilit i kish premtuar ti sponsorizonte videoklipin e të dashurës.
– Po mor vlla e ke t’kryme at punë.
Kam fol me Fadilin. Sa të kthehet prej Dubait merret ai personalisht me tana gjánat.
Ka me dalë má e bukur se kanga e Shakires, bile ka me ja kalu edhe Azizit.
– Mos e thuj at fjalë, ta kam borxh.
E, ndërsa burri rondokop vazhdonte telefonatën gruaja e tij ja kish ngulur sytë lulishtarit të lokalit, një djalë i ri simpatik me një kanotiere të grisur ku dallohej trupi i nxirë. Djaloshi duke ndjerë vështrimet provokuese të asaj femre të bukur u ndje në siklet, iu ngrinë gërshërët në duar. Do donte ta kishte njohur në rrethana të tjera por jo ashtu i veshur keq e tërë pluhur.
Pas gjysëm ore çifti u ngrit rrëmujshëm e ndërsa burri me celularin në vesh shkonte drejt makinës, gruaja e re disa hapa pas tij hodhi një copë letër përtej luleve ku po krasiste lulishtari, i cili e hapi dhe regjistroi në celularin e tij numrin e asaj femre të panjohur.
Makina la pas një ré pluhuri bashkë me ftesën për një aventurë të bukur.
Mbase isha i vetmi spektator që po ndiqja atë teatër-jete por çuditërisht u ndjeva mirë, ndërsa mu kujtua thënia e një filozofi të madh “shumë vite para se të shpikej Range-Roveri” i cili thotë:
Me pará mund të blesh trupin e një femre por nuk blen dot zemren e saj.
David Boseta

Shkoder 19 Prill 2018

“””””””””””””””””””””””””Mund të jetë një imazh i monument dhe qiell

RIPOST
EJA
Endem më kot udhëkryqesh,
rrugëve bosh të lara nga shiu,
ku ndrijnë tek-tuk rrufetë,
kërcënim që vjen nga lart
për udhëtarë të pafat.
I vetëm,
mes trafikut të zhurmshëm
ku mijëra makina e kalimtarë
nxitojnë
kush e kush të arrijë më parë,
pa e ditur se
destinacioni është fundi i aventurës.
E unë mes tyre ec ngadalë
rrugëve bosh – mes turmës
bosh – pa ty.
Më kot provoj të orientohem me erërat
si marinar i braktisur mbi një copë dërrasë,
shkëputur prej asaj që dikur ish anije a varkë.
Këmbët çapiten pa komandë,
këpucët prej plumbi të rëndë
gërvishtje plagësh lënë pas,
ca shenja ndryshku mbi asfalt.
Ec ngadalë,
drejt aromës së blirit mashtrues
që më ngjan me parfumin tënd,
por e ndjej që ti je larg,
ky çorientim po më çmënd,
aq sa gjilpëra e busullës brenda meje
shkakton aritmi.
Të lutem e dashur,
më nis një puthje me shiun
të gjej koordinatat e të vi te ti.
Mjaft më,
nuk duroj dot,
nuk mundem,
qetësoi retë të lutem.
Rrufetë ma verbuan shpirtin
eja,
më jep një puthje,
që busulla ime të gjejë perëndimin,
e mëngjezesh të lindë sërish diellin,
syve të tu.

David Boseta

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.