9.5 C
Tiranë
E mërkurë, 1 Prill 2026

Poezi nga Barie Çupi

Jam kështu…

Unë jam ndryshe sot…
ma shihni ditën,
mëngjesi mbështetet mbi mua,
format e lëvizjes së orës,
tek mua mbështesin kokën,
aty ku më ndihet kraharori,
gjaku më pulson me kohën.
Çohen peshë malet,
thyhen rrebeshet,
pëshpëritje trotuaresh,
rënkimesh ngecur nëpër dhëmbë,
dita ime me krahë të lehta,
fshin lotët e heshtjes,
ato të dhimbjes së djeshme,
asaj të gjunjëzueshmes,
të përgjumjes,
të pambrojturës.
Ndaj s’dua ta përdor më veten për lotët,
janë të parëndësishme,
ëndrrash fëminore po lexoj botën…
atë botë ku më shpërthen gjoksi,
ku lutja prek tokën.
E djeshmja e marrë më përbuzi,
s’më deshi,
më rroku fjalën,
ma këputi.
Por forca ime tani ka besë,
zhytet,
shtrydhet,
qesh e kuvendon mbi fjalën jetë.
Matem e zvogëlohem,
sundoj e zhurmohem,
njësoj sikur të mos kisha qenë unë “dje”
mendoj vetëm për sot,
prej asaj dite…
kur zhgënjimi u mbyt nëpër lot.

Sepse jam sot një fjalë ndryshe,

e vogël sa një petale,

e zmadhueme,

e zgjueme,

nuk jam buzëqeshja fatale,

nuk jam më as e robërueme.

Fryma ime i dha forcë,

forcës së lëndueme,

mrekullitë u rritën,

në mendje të kthjellët,

por pakëz me kokë të rëndueme,

një zile telefoni,

në prehër një përqafim,

faleminderit Zot…

e buza më dridhet e lumturueme.

Jam unë jeta sot,

që noton e zgjerueme,

sa një oqean,

që sundon valët e thyerjes,

e mijëra halle të kohës dallgësh i qan,

Jam krejt ndryshe,

jam ngushëllim i rrekjes sime të djeshme,

nuk iki e vrarë…as kuturu,

nuk jam e rrejshme,

jam këtu sot me bijtë e mi,

jam kështu…

për vete dhe për Ju.

“””””””””””””””””””””””

Bulqizës sime…
Do të bëhem sot,shtroja jote e zemrës,
aty ku shfletova,agimet e para,
aty biokimia,m’u bë si ngërçi i lemzës,
aty petalesh m’u zbrazën,përrenj e ujvara.
Aty ku shkëlqimin,ia kam vjedhur dëborës,
aty fjalët e shpirtit,i mblodha si fara,
aty dhimbja më lëndoi,si kuti e pandorës,
aty dhe buzëqeshjen e vesha me arna.
Shtëllungë m’u avitën,shkëndijat e zjarrit,
shkëmbinjsh veç intriga,plagët do m’i qepinin,
gjinjsh do më kullojë,vetëm qumësht’ i mallit,
por besimit mistik,i kam lënë amanetin.
Aty valët ndër vena,si dallg’e detit zi,
aty zbraza mundin,si në torbën e dreqit,
aty i lypa jetës,një grusht dashuri,
aty jam rritur,përsëritur,ninullave të djepit.
Aty zëri i ngjirur,më avitej rreth buzës,
si xixëllonjë m’u trembën,gurgullimat e dritës,
supet m’u thyen,m’u përmbys sofr’e bukës,
ku më qeshën në sy,e pas shpine maj’n e thikës.
Qafësmalit i varet,një gjerdan gurësh kromi,
ballit bulëza gjaku,si marhama e kuqe,
sot qytezës sime i zbërthehet kraharori,
por jeleku me pare,don koh’me ndërru huqe.

Dramat tua vajtuese,mua m’vijnë si mjaltë,

dhe kthej kokën pas,e bryma prap e ftohtë,

gjersa të prehem një ditë,në varr tek im atë,

për vargun tim do mbetesh,çerdhja e parë n’botë.

“”””””””””””””””””””””

Porta e syrit
Një shikim rastësisht bëhet vizitor i çuditshëm,
por rastësisht nuk e kap dot në hapësirë,
porta e syrit lejon dritën e shpirtit të depërtoje magjishëm,
pakuptuar që një rrugë mund hapet e vështirë.

Shikimi dhe pastaj verbimi,

syri dhe loti,

sikur fillimi dhe mbarimi,

armiq të përbetuar

në dashuri dhe urrejtje i ka lënë vetë Zoti,

puthen si akull e zjarr bashkë në kraharor,

në gërma poetësh bëhen meteorë.

bashkë zemërohen,

bashkë buzëqeshin,

në gjumë harrohen,

u përkasin ëndrrave,

ndërsa zgjuar kalimtarësh ngecin,

nuk dalin kurrë jashtë mode.,

Më duhet të zbus perceptimin,

mjafton syri të shohë premtimin.

Gëzon mëngjesi,

vjen dhe pranvera,

dhe themi gjithçka rilind…

por sytë e çelur nuk janë gjithmonë ditë,

ngadalë koha shekullit ia vjedh vitet,

ethja e moshës zbret çalë-çalë,

lule sërish çelin në natyrë,

por shum’kujt përbrenda i çel si një vdekje,

vdekja që nuk është ende mort,

as ajo qē lind e ikën bashkë me njeriun,

as ajo që spërkatet me valë përqafimi,

syri nē lot,

si lot perëndimi.

Gjurmët bëhen më të rënda,

nënlëkurës nuk i tretet dhimbja,

malli dhe jeta,

zbardhen si dy thinja,

shikimi mbetet gjithmonë premtim…

i shenjtë sikur dielli,

sytë si dy yje që shuhen lehtë,

herë-herë mërzitshëm u mjegullohet qielli.

Sytë…

shkrepëtimë dashurie nën qerpikë,

janë gjithmonë guximtarë të fatit.

por të fatit pa”fat”,

kur bien në demonët e djallit.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.