Nga përurimi i librit “Zjarri arbëror i pashuar” në Filadelfia
“ZJARRI ARBËROR I PASHUAR”- LIBËR GJITHËPËRFSHIRËS DHE SHPRUSHJE NË SHPIRTIN ARBËRESH
Dr. BEXHET ASANI: “Zjarri arbëror i pashuar” (Profile, studime, skica letrare), Tiranë 2021
Në vitin 2021, studiuesi i palodhshëm Dr. Bexhet Asani, ka botuar në Tiranë librin monografik, ”Zjarri arbëror i pashuar”, një titull sa simbolik, aq edhe domethënës dhe përmbajtësor. Brenda këtij libri lexuesit dhe studiuesit mund të gjejnë materiale interesante dhe të rëndësishme për gjuhësinë dhe etnografinë, që ndërlidhet me arbëreshët kudo që ndodhen ata, qoftë në Itali, përkatësisht në Kalabri e Sicili, apo qoftë edhe në vende të tjera të Europës dhe të botës, si në në Argjentinë, në Greqi, në Turqi, në Ukrainë, në Kroaci, në Bullgari etj. Subjekte të librit të profesor Asanit janë personalitete të rëndësishme arbëreshe, shkrimtarë, muzicientë, regjisorë, punëtorë të palodhshëm të kulturës, arsimit, priftërinjë, aktivistë shoqatash arbëreshe, por edhe njerëz të thjeshtë të këtij komuniteti, të cilët tash e sa shekuj, ndonëse me vështirësi, mundohen të ruajnë gjuhën dhe kulturën e lashtë arbërore, të trashëguar nëpër shekuj si një shenjë e mrekullueshme e identitetit të tyre arbëror, përkatësisht shqiptar.
Gjuha arvanitase – një shqipe arkaike, e ngjashme me të folmen arbëreshe
Në librin e profesor Bexhet Asanit, përveç gjuhës dhe traditave të lashta arbërore, me shumë kujdes janë prezantuar edhe veshjet popullore, qoftë ato të grave, qoftë ato të burrave, por edhe aspekte të tjera që karakterizojnë jetën e arbereshëve të cilët jetojnë jashtë trungut arbëror tash e gjashtëqind vjet.

Libri hapet me një parathënie të autorit, e shoqëruar nga një fjalë e thukët e mikut të tij dhe punëtorit të palodhur të kulturës shqiptare, profesor Kristaq Shabani, për të vazhduar me kapitullin e parë me shkrimin me titull “Hershmëria e identitetit dhe gjuhës”, me nëntitullin “Gjuha e Skënderbeut apo arbërishtja një raritet kulturor”.
Në këtë shkrim studiuesi dhe profesori Bexhet Asani ngre problemin e ruajtjes së gjuhës apo dialektit arvanitas, por edhe shqetësimet për moskujdesin e duhur të studiuesve tanë ndaj kësaj gjuhe, të cilët, në të kaluarën, siç shprehet ai “ me vetëdije apo pa vetëdije, asnjëherë nuk e kanë përmendur”. ProfesorAsani është i mendimit (natyrisht i mbështetur edhe në studime), se gjuha arvanitase është një shqipe arkaike e ngjashme pak a shumë me të folmen e arbëreshëve, përkatësisht me gjuhën e Skënderbeut. Madje Asani shkon edhe më tutje duke e shpier atë edhe përtej kohës së Skënderbeut, përkatësisht deri në epokën e lashtë pellazgo- ilire.
Duke shtruar pyetjen se si qëndron puna sot me dialektin e arbërishtes, në kohën kur atë e flasin një numër shumë i vogël i banorëve arbëreshë, ai njëkohësisht vjen në një përfundim mjaft skepitik për “mbijetesën e tij”. “Fatkeqësisht, arbërishtja nuk mund të quhet më dialekt i shqipes, por ajo mbetet edhe më tej e folme e shqipes”, thotë Asani, sipas të cilët për këtë kanë ndikuar një sërë faktorësh, ndër të cilët shpërngulja e arbëreshëve nga krahinat jo të industrializuara të Kalabrisë dhe të Sicilisë, për në Veri të Italisë dhe në vendet e tjera të botës, pastaj moshapja e shkollave në gjuhën arbërishte nga shteti italian etj.

Nga shpërnguljet e mëdha, me përmasa të dhimbshme, ka bërë që aty të mbeten vetëm pleq e plaka që e flasin arbërishten, në ndërkohë që, sipas studiuesit të historisë dhe kulturës arbëreshe Franco Marchiano, në shumë fshatra, kjo gjuhë, pra arbërishtja, është zhdukur prej shumë shekujsh dhe në disa të tjerë zhduken dalëngadalë nga ulja demografike për mungesë sensibiliteti dhe kulture të familjeve dhe për shumicën e familjeve që nuk janë të huaj. “Nga e gjithë ajo që ka mbetur është ruajtja e disa zakoneve dhe adeteve, veshja dhe busti e kujtimet për Skënderbeun si dhe origjinën e tyre matanë detit!”, thotë studiesi Franco Marchianoi, i cituar nga studiuesi Asani.
Duke pasur parasysh këto elemente, Asani vjen në përfundim se “arbërishtja, gjuha e Skënderbeut, në mos tani, së shpejti, do të mbetet vetëm një raritet kulturor, nëse të dy shtetet, ai shqiptar dhe ai Italian, nuk marrin masat e nevojshme për ta ruajtur këtë të folme arkaike të shqipes, me vlera historike, gjuhësore e kulturore…”
Këngët popullore të Mbuzatit-të ngjashme me këngët popullore
shqiptare përtejdetit
Shkrimi në vijim i librit të Asanit është ai i prof. Kristaq Shabanit për veprën e Aristidh Kolës “Gjuha pellazge -gjuha e perëndive”, ndëkaq, kapitulli i dytë nis me shkrimin: “Studimiologjia arbëreshe dhe disa nga përfaqësuesit tipikë të saj”. Një nga shkrimet interesante dhe me shumë vlerë është ai në të cilin autori flet për katundin Qefti (Chieutit ) dhe të folmen e tij, parë përmes analizës së veprës së prof. Mario Massaro “Qefti dhe e folmja e tij”, që, sipas Asanit “është një libër, sa historik, sa gjuhësor, po aq etnografik dhe me vlera të çmuara për shkencat albanologjike; Apo edhe një vepër monumentale jo vetëm për Qeftin, por edhe për kulturën arbërore – shqiptare, në përgjithësi.
Një shkrim tepër i rëndësishëm është edhe ai me titull “Gjaku ynë i shprishur”, një libër me vlera nga Mbuzati”, që flet për librin “Gjurma e një moti ç’shkoi”, në të cilin janë përfshirë një numër këngësh popullore arbëreshe nga katundi Mbuzat. Libri në fjalë është një libër dygjuhësh, arbërisht dhe italisht, ndërsa këngët arbërishte, dhe gjithçka që përmban libri, janë përkthyer edhe në gjuhën italiane, përkthim ky i qëllimshëm, pasi pjesa dërrmuese e popullsisë arbëreshe nuk e njeh arbërishten, të cilën siç e thotë autori, “e flasin më shumë plakat dhe pleqtë”.

Në vështrimin e Asanit, më tutje shohim edhe strukturën e këtij libri, ku këngët popullore janë ndarë në tre kapituj në: “Vjersha malli” (Në italisht është përkthyer si: “Këngët e dashurisë”), “Vjersha kulltime” (Në italisht është përkthyer si: “Këngët e keqardhjes”), kurse në kapitullin e tretë janë përfshirë “Kënka nusje” në shqip “Këngët e nuses” (Në italisht është përkthyer si: “Këngët e dasmës”). Kënka nusja, siç i quajnë arbëreshët në folkloristikën shqiptare dhe atë të huaj, njihen me termin “Këngët e dasmës” dhe jo me termin “Këngët e nuses”.
Asani konstaton se prof. Francesco S. Marchiano, një nga studiuesit e njohur të historisë së arbëreshëve, ka plotësisht të drejtë kur thotë se arbërishtja ka shumë fjalë nga gjuha italiane dhe kalabreze. Asani, tregon se për shkak të futjes së fjalëve të shumta të huaja në gjuhën arbëreshe ka hasur vështirësi në punën e tij në vlerësimin dhe studimin e mirëfilltë të këngëve arbëreshe të prezantura në këtë libër. Megjithatë, ai vlerëson se këngët popullore të katundit Mbuzat, janë të ngjashme me këngët popullore shqiptare përtejdetit, disa vargje të të cilave, pa kurrëfarë ndryshimi, i gjejmë edhe në folklorin shqiptar.
Te “Rilindësi i fundit i Hieutit”, B. Asani na sjell portretin e studiuesit arbëresh, Mario Massaros, duke na njohur me kontributet e tij në ruajtjen e gjuhës, traditave dhe të historisë së arbëreshëve të katundit Kieuti, apo Qejfi”, kurse te “Atë Antonio Belushi, Jeronim de Rada i ditëve tona”, përmes një bisede gjatë një takimi rasti në aeroplan me Atë Antonio Belushin, ai arrin të mësojë shumë për kontributet e këtij prifti arbëresh të ritit katolik-bizantin, por edhe për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe kultivimin e saj edhe tek të rinjtë arbëreshë.
“Atë Antonio Belushi dhe shumë priftërinj të tjerë nga Kalabria dhe Sicilia janë rilindësit e ditëve tona. Atë që bënë Rilindësit arbëreshë si: Jeronim de Rada, Zef Serembe, Gavril Darët, Anton Santori e shumë e shumë të tjerë, sot e bën Antonio Belushi me shokë”. Në gjakun e tyre të shprishur vëlon dashuria ndaj gjuhës, veshjes, zakoneve, popullit e, mbi të gjitha Shqipërisë, tokës mëmë, epokës së lavdishme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Vepra e Atë Antonio Belushit duhet të jetë shembull për ne shqiptarët. Ai është një enciklopedi, lum ne që e kemi!”, thotë në mes tjerash në shkrimin e tij studiuesi Bexhet Asani.
Asani në këtë kapitull të librit të tij, na sjell informcione edhe për një Bellush tjetër. Është fjala për folkloristin, antropologun, teologun, historianin dhe etnologun arbëresh, Kostandin Bellushi, të lindur në fshatin malor të Pllatënit të krahinës së Kozencës së Kalabrisë, në Alto Jonio Kosentino. Pastaj për poetin, profesorin dhe shkencëtarin e njohur arbëresh, Xhuzepe Skiro Di Maxhio (Giuseppe Schirò Di Maggio), i cili zë një vend të merituar në letërsinë arbëreshe në veçanti dhe në letërsinë shqiptare në përgjithësi.
Shkrim me interes është ai për Prof. Zef Kjaramonte, tek i cili Asani veçon mesazhin e tij se “Punën më të mirë që mund ta bëjnë arbëreshët sot e në të ardhmen është që të mësojnë alfabetin e Kongresit të Manastirit, e me të, të shkruajnë arbërishten e tyre të bukur dhe të mësojnë gjuhën letrare të Kongresit të Tiranë, i cili u mbajt në vitin 1972. Asgjë tjetër nuk iu duhet më shumë!”
Në fokus të shkrimit “Bashkëshortët në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës arbëreshe”, Asani ka mësuesen dhe poeten Maria Xhovana Rico – Maria Giovanna Rizzo, e cila është e lidhur ngushtë me traditat arbëreshe, me adetet dhe zakonet, me veshjen popullore arbëreshe si dhe përpjekjet për ta kultivuar dhe ruajtuar gjuhën arbëreshe, të cilën siç shprehet ajo: “të parët tanë e ruajtën për më shumë se pesëqind vjet”. Ndërsa te shkrimi “Regjisorja Luçia Martino dhe shoqata “Vorea” nga Frasnita” shohim kontributin e kësaj shoqate dhe të regjisores Luçia Martino” po ashtu në ruajtjen e gjuhës dhe të kulturës arbëreshe. Shkrime me interes janë edhe shkrimet: “Gjaku arbëresh (s’)po shkon!..”, “Shqiponjat” arbëreshe të Shën Sofisë së Epirit fluturuan në Amerikë!”, ashtu siç janë edhe shkrimet: ”Një studiues erudit, me përmasa ndërkombëtare”, “Studiues i arkivave dhe dokumenteve arbëreshe” , “Prof. Italo Elmo një etnomuzikolog i shquar në botën arbëreshe dhe atë shqiptare”, “Një punë titanike e profesoreshës dhe piktores Çetina Macei”, etj,
Arbëreshët e Argjentinës mesha në gjuhën shqipe dhe evokimi
i historisë kombëtare
Te kapitulli i tretë i librit studiuesi Asani na sjell informacione interesante për arbëreshët e Argjentinës, përkatësisht për teologun Aleksandër Greco (Imzot Alejandro Greco) të lindur në Buenos Aires, në të cilin shkrim, përveç që njihemi për numrin e arbëreshëve që i ka nën “juridksionin” e tij, po ashtu njihemi edhe për përpjekjet që zhvillohen në mbrojtjen dhe ruajtjen e identitetit dhe kulturës shqiptare, sado që një gjë e tillë është e vështirë dhe dëshpruese. Kryepeshkop Aleksandri thotë me keqardhje se në Argjentinë gjuha nuk është ruajtur:
“Këtu në Argjentinë, shqiptarët dhe arbëreshët nuk e flasin gjuhën shqipe, unë jam duke studiuar gjuhën shqipe, pak nga pak, këtu është shumë e vështirë të gjesh dikë që mëson gjuhën shqipe. Brenda kolektivitetit arbëresh këtu, ka të moshuar të mëdhenj që e flasin arbërishten, por shumica e të rinjve jo. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme ta mësojnë gjuhën shqipe, ta ruajnë dhe ta transmetojnë traditën dhe vetëm atëherë do ta mësojnë dialektin e arbërishtes”.
Megjithatë përmes këtij shkrimi mësojmë se në Kishën Ortodokse Shqiptare të Argjentinës mesha mbahet në gjuhën shqipe dhe spanjisht, ndërsa në kishë zhvillohen aktivitete të ndryshme ku kujtohet e kaluara e lavdishme e historisë së popullit shqiptar, duke filluar nga koha e Skënderbeut e deri të lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës.
Te shkrimi “Mario Kaliva një artist arbëresh që premton” autori na sjell figurën e poetit, dramaturgut dhe fotografit arbëresh që jeteton në Piana degli Albanesi (Horën e Arbëreshëve). Ndërsa shkrime me interes janë ato ku flitet për Papas Pietro Lanza të Kozencës, pastaj për punëtoren e palodhur të kulturës dhe gjuhës, Margarita Shilipa (Scilippa) të lindur në Palermo nga prindër me origjinë nga Hora e Arbëreshëve të Sicilisë etj. Po ashtu këtu kemi një prezantim të poetes Maria Antonietta Manna, të lindur në Kozencë (Cosenza) më 07.12.1978, dhe e cila jeton në Çifti.
Në kapitullin e katërt të librit të Asanit kemi shkrimet “Frymëmarrja “shqip” në hapësirë “Biltë e Firmozës” në mbrojtje të trashëgimisë kulturore arbëreshe”, që flet për Shoqërinë Kulturo – Artistike “Biltë e Firmozës” (Bijtë e Firmozës) nga katundi Firmozë i Kozencës së Kalabrisë, të themeluar në vitin 2015, i cili ndonëse si grup është i ri, por që ka lënë gjurmë të thella në kulturën arbëreshe dhe shqiptare.
Te “Një tematikë në filmin arbëresh tepër e dhimbshme”, flet për filmin “ARBËRIA” në regji të Francesca Oliveri, që është një prodhim arbëresh, një realizim i shkëlqyer, një konflikt real midis prindit dhe fëmijës, tepër i dhimbshëm që siç thotë autori duhet të shihet nga të gjithë shqiptarët.
Kontributi i studiuesit shqiptar nga Odesa e Ukrainës dhe lidhja me vendlindjen e babait të këngëtarit shqiptar nga Turqia, Serhat Nishli
Në këtë kapitull të librit gjejmë shkrime edhe për grupin e kërkimeve Etno-muzikore “Shpirti arbëresh”, pastaj për shqiptarët e Ukrainës dhe për historinë e vendojses së tyre në Ukrainë, për ekzistencën e tyre si dhe për përpjekjet e tyre për të ruajtur gjuhën dhe kulturën arbëreshe, përkatësisht shqiptare. Me interes këtu është ajo kur flet edhe për studiuesin Aleksandër Derementli të lindur më 12 tetor 1986 në fshatin Karakurt apo siç e quajnë ukrainasit Zhovtnevoe, rajon i Odesës së Ukrainës, në një familje shqiptare, prindërit e të cilit me xhelozi i ruanin traditat e të parëve të tyre, duke e edukar atë me dashuri në frymën dhe respektin për popullin shqiptar. Derementli është autor i disa monografive dhe i artikujve shkencorë si: “Kohë të vështira shtypjeje” Izmail, 2009, “Shqiptarët në jug të Besarabisë” Lviv, 2011, “Organizimi i veprimtarive në fshatin Karakurt në vitet 1920 të shekullit të XX” Izmail, 2019 etj. Aleksandri është gjithashtu autor i disa artikujve shkencorë mbi historinë e komunitetit shqiptar të Ukrainës.
Shkrim emocionues dhe me interes është edhe ai për këngëtarin turk me origjinë shqiptare, përkatësisht nga Kosova, Serhat Nishli, prindërit e të clit ishin shpërngulur nga Kosova në kohën e aksionit famëkeq të mbledhjes së armëve. Këngëtari, për të cilin flet Asani, ka gjurmuar dhe gjetur gjurmët e të parëve të tij dhe tash është i lidhur me vendlindjen e të parëve të tij, të cilën e vizion shpesh dhe ku ka gjetur të afërmit e tij.
Te kapitulli i pestë, që e ka titulluar “TË TJERA” hasim shkrime me interes për arvanitasit, pastaj për rilindësin Nikolla Naço etj. Libri mbyllet me pasthënien e Kristaq Shabanit, të titulluar “Model përkushtes në botën studiuese”.
Si përfudim, mund të themi se libri i studiuesit dhe profesorit Bexhet Asani, është një libër me interes jo vetëm për arbëreshët, të cilët janë në fokus të këtij libri, por edhe për mbarë lexuesin shqiptar kudo që ndodhet. Përmes shkrimeve të shumta, qoftë, studime, përshkrime, reportazhe, portrete, takime rasti, intervista etj., profesor Bexhet Asani na sjell para nesh botën dhe shpirtin e pavdekshëm të arbëreshëve si dhe përpjekjet dhe dashurinë e pashuar për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe traditat e lashta arbërore. Natyrisht se në këtë libër, kemi edhe shqetësimet e autorit për gjithçka ndodh në këtë diasporë të lashtë kombëtare, si dhe për zbehjen apo harresën e ngadalshme, por të vazhdueshme të gjuhës arbërore. Autori, pothuajse në çdo shkrim, bën apelin tek institucionet kompetente shtetërore të shtetit amë që të kthejnë kokën dhe vëmendjen te kjo pjesë e dhimbshme e qenies sonë, në mënyrë që të mos mbeten të harruar dhe të mos rrezikohen nga zhdukja.
Libri i Bexhet Asanit, “ZJARRI ARBËROR I PASHUAR”, padyshim është një libër me interes edhe për studiuesit të të gjitha lëmive, e jo vetëm të etnokulturës, Prandaj e përgëzojmë autorin për punën e bërë në mbledhjen e materialeve dhe sistemimin e tyre në një libër kaq voluminoz dhe kaq përmbajtësor.