THESARET e trashëguara
Bëj të hesht, nuk gjej qetësi
Për furrë me të bakërtat tepsi
Sjell me vete të parët tanë
Nga gjëmëmadhja Çamëri
-Folna moj nan’ për të rit e tu.
Mledhur rreth saj, jo një, as dy
Na flit për mingladhe dhe krua
“Para se të fikem, t’i shoh, u dua”
Molloiste shtruar, sytë perënduar
Fshehur dhimbja, keqaz lënduar
“Ortek fustanellash n’luftë e valle
Burrat çam, gratë si sorkadhe”
“Nderuar flamurin edhe djepin
Që në vogëli mësuar dyfekun
Çdo pëllëmb’ toke me gjak lar’
Dhe n’Çamëri, mburoj’ për vatan”
“Na rridhte jeta tallaz, stuhi
Ikur së keqes me gjith’ themeli
Marr me vete gjith’ mjeshtëritë
Dritë mandilja,zbardhur shtëpitë”
“Nusja larë, edhe kocat krehur
Bukur, nën bel lëshuar, derdhur
S’ ishte e vetmja gjumin prishur
Vallja e trimit bukur kishte nisur”
“Ngrihej zonja e shtëpisë
Nikoqirja flutur, brenda magjarrisë
Drita e diellit mirë pa aguar
Mëngjes e drekë, nisur gatuar”
“Dikush zonjë pune e pa fjalë
Me qeramidhe, kashtë e baltë
Ngrinte furrën, kaluar mjeshtrit
Dhënë ndihmë, ndihur tjetrit”
“Zonjë e vjetër pritur jentë
Prer’ kërthizën n’vajza e djem
Kakua- zonj’ zbukuronte vajzat
Qibarja në të gjitha mëhallat”
“Gojëmjalta zonjë bejtesha
Hapte dasmën shakaxhesha
Lavdëronte dhe thumbonte
Bilbil gjyzarit ja kalonte.”
Magjarri- dhomë jashte banesës ku gratë gatuanin
Kocat-gërshetat
Vallja e timit -Vallja e tymit, ndizeshin furrat njëra mbas tjetrës
Mollois- tregoj shtruar
Të ritë e tu – kur ke qenë e re
Mingladhe -bajame
Qeramidhe – tjegulla
Ndihur tjetrit – ndihmuar
Pritur jentë – ndihmonte gratë në lindje
Jentë -fëmijtë
Kakua – emër per tè nderuar një grua tè re
Qibarja -grua e pastër që e vlerëson veten
Poezi nga permbledhja me poezi
“Lule mbi thinja “
“”””””””””””””””””””””
LARG LAKMISË
Rënkon shpirti i një nëne, i një babai
Motrat janë në gjygj kundra një vëllai.
-Ç’ kërkoni moj bija, ushqyer me gji
S’ ua kurseva ledhet, edhe dashuri.
-S’ u kurseva mundin, sa qesh në jetë
Ç’më dëgjojnë veshët, është e vërtet’?!
-Për një mur dhome e një rrënjë ulli
“Kjo e drejta jonë.” Po vini kufi?!
-Lini ligjet, se ju ngatërrojnë shpesh.
Shihni sy e zemër, sa jeni mbi shesh.
-Mos ia mbyllni vetes, të ëmblën derë.
Kështu bëmë ne, vepruan dhe të tjerë.
-Gëzoni sa morët dhe vutë me djersë.
Malli i tjetërkujt, është i pavlerë
-Shkelmin e urryer, derës së kujtimeve?!
Mos ushqeni ndarjen, ju, pro bashkimeve.
-Çfarë mirrni sot, ndoshta juve u kënaq
Nesër nga fëmijt’ tuaj u kthehet farmak.
U bëfshin të mënçur, plot me urtësi.
“Keq keni gabuar, na latë pa kushëri”
-Fjala ime sot, të paktë e ka peshën.
Do ju zbardhet zemra, do ia dini vlerën.
“”””””””””””””””””
TA DINI
(Falenderimet
të venë atje ku duhet.)
Të dashur Bij,
është mire
ta dini
që tani
Jam llogjik’ftohtë
edhe pse
para në kohë.
Ta kyç? Jo
Ta marr me vete?!
E drejt’ s’është kjo.
Nëna zemërplot
largohet nga kjo jetë
Më vlerësuat.
më çmuat
ndonjë tekë
dhe ma plotësuat.
E di, nënë
dhe gjyshe shembullore
s’ kam qenë.
Jeta me vështirësitë
shtigje s’ më ka lënë
Ju dhashë sa munda
dhe pse më tepër
desha t” ju jap
t’ ju kënaq
përtej
të ëmblit qumësht
dhe timit gjak.