15.5 C
Tiranë
E martë, 31 Mars 2026

Gjelina Maçi Keci

PARATHËNIA E LIBRIT TË SAPO BOTUAR “Përtej Mallit dhe Dashurisë “!

Nga redaktori, prof Namik Selmani!

Botuar nga shtëpia botuese “Fast Print “!

Të ëndërrosh, të shkruash e të frymëzohesh nga jeta meditative për vëllimin poetik të autores Gjelina Maçi Keçi

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe libër
Nga Namik Selmani
Diku, vetëm pak metra larg Monumentit të Skënderbeut në Lezhë, jeton, shkruan dhe ëndërron poetja tashmë e afirmuar, Gjelina Maçi Keçi. Në të njëjtën kohë, në këtë vend të bekuar, ku flet legjenda, historia, poezia e një krijueseje të letrave shqipe, si Gjelina Maçi Keçi, vazhdon dialogun më të bukur me njerëzimin që nga fillimet e tij. Është dialogu me të bukurën, më lumturinë e trishtimin; me natyrën e vendlindjes, me gëzimin njerëzor që të jep mëmësia e gjyshërimi, pa harruar që nga libri i parë deri sot te libri i tretë, emocionin që të jep ligjërimi poetik. Dhe, është i bukur ky dialog; dhe është kaq i ngrohtë ky dialog; dhe është kaq jetëgjatë ky dialog… Në këtë kohë të trazuar me kaq halle e mungesa na duket se vargu i saj është shtizimi i një dielli tjetër që na e bën edhe më të bukur gëzimin e jetës.
Tani që Gjelina del me librin e saj të tretë, bashkë me emocionin që shoqërojnë çdo vepër në këtë rast shtohet maturia. Gjelina ka pasur vëllime cilësore, por me librin më të ri vjen me vlera edhe më të cilësueshme, edhe më kulmore. Poezia ka si lëndë të parë gjuhën e një kombi, gjuhën letrare shqipe. Pa folur këtu për gjuhën me të cilën ai mund të përkthehet një ditë. Përballë pasurisë që të jep gjuha shqipe, jo gjithmonë poetët përdorin një gjuhë që të emocionon ose nuk të jep nganjëherë as durimin për ta lexuar deri në fund poezinë, pa lë të mendosh se mund ta rilexosh përsëri duke vënë në sfond dhe një muzikë të bukur në varësi të kuptimit të poezisë.
E dimë të gjithë se poezia është arti më i lashtë i njerëzimit dhe në kohën tonë është bërë një lloj mode në rrjetet sociale deri në një poezimani e vërtetë, por Gjelina, konstatoj me bindje se ka lindur poete. Ajo njeh mirë vlerat artistike të vargut; njeh folklorin e dialektin gegë që përdoret në krahinën e Veriut. E si na e thotë në disa poezi, ajo shkon shpesh në vendin e të parëve të saj, “atje ku kanë rrënjët dhe etërit e saj, nënë e atë, jo thjesht që të rishoh bukuritë e papërsëritshme, po dhe të dëgjojë atë tingëllimë të ngrohtë të këtij dialekti, të këtij stili që dikur do ta lëvronte Mjeda, Fishta, Migjeni, Filip Shiroka etj”.
Si për shembull te poezia “Në kroje bjeshke ujë kam pi”:
Ti nuk di të tjetërsohesh,
Se dashninë se ke rrena
Hanë e diell të rrezohen
Lum si ti çfarë të mban zëmra!
E, më tej edhe kontrata që ajo ka me gjuhën letrare, Gjelina bën përpjekje që të punojë mirë me gjuhën, me vargun e matur që e përkëdhel me mjaft dashuri. Madje unë do të thosha se një nga vlerat e librit të tretë ka një gërshetim të bukur, të natyrshëm të dy dialekteve. E kam ndjekur dhe shijuar secilën poezi të tre vëllimeve të saj, që nga ato më të shkurtra që ngjajnë pak a shumë si shtizat diellore që bien në shpatet e Kelmendit, të Shkrelit apo edhe fushat e begata të Zadrimës, në brigjet e Drinit të qytetit të lashtë e historik të Lezhës, apo dhe në brigjet e arta të detit të Shëngjinit.
Nuk dua të bie në grackën e një këshilltari me të cilët është mbushur shoqëria jonë e më gjerë, po modestisht do thosha se mjaft poezi të saj mund të përzgjidhen nga televizionet lokale, mund të zgjidhen nga shkollat e mesme apo 9-vjeçare të zonës ku ajo jeton, se i shkruan në mënyrë të saktë, por dhe me art historisë që të mëson, por dhe të mrekullon. Poezitë e saj mund të bëhen lehtësisht këngë të bukura, mund të recitohen në festat lokale dhe kombëtare, si për shembull poema e mrekullueshme, “Jam Malësia me lavdi!“ etj.:
Vargu zgjon trimat nga varri,
Vajzë pas vajze e djali pas djali,
Për Ded Gjon Lulin e Prek Calin,
Jam krenare e për ta falem!
Poetja Maçi Keçi, edhe në këtë vëllim nuk i largohet temës së gruas. Ngrihet me forcë kundër padrejtësive që shpesh e vënë në një lloj gijotine moderne. E kjo marrëdhënie nuk është vetëm poetike, po dhe një zë misionareje, që di se çfarë të mbrojë, e di se si ta
skalit femrën me penën e saj:
Ti botën e madhe mban në duar,
Ndaj mos tolero dhunën mbi ty kurrë!
Nuk je lindur për t’u vrarë e masakruar,
Ai që dorën ngre mbi ty, nuk është burrë!
Në këtë varg të ndritshëm të poezive mbi gruan ajo i këndon dhe shenjtërisë së Nënë Terezës, vazhdon Gjelina që të na befasojë dhe me temën historike që e njeh e di ta japë atë me një gjuhë mjaft të gjallë, si për shembull, poezia kushtuar festës së Pavarësisë, ku përfshin gjithë trojet shqiptare që janë jashtë kufirit që në krye të herës, ajo është një poemë e mrekullueshme që nuk ka të krahasuar për vlerat historike dhe mënyrën se si ajo është punuar, me titull: “Sot festojnë të gjithë shqiptarët!“
Gjelina ka një varg të matur një varg klasik që të rrëmben me ritmin
e saj.
Duke vlerësuar vargun e poetes, Maçi Keçi, poetja Mimoza Halili, shprehet se “autorja Gjelina Maçi Keçi, me spektrin e penës përzgjedh si nektari i bletës, si pjalmi i pemëve, si vetë natyra në stinët e saj ngjyrat e realitetit. Motivi këndndjellës është struktura universale si teoremë magjike që përmbledh në një koleksion vargjesh çelësin e jetës dhe, më e veçanta, e pakrahasueshme, e arrirë, janë pentagramet letrare, simboli i fjalës së artë. Kontekstin e fjalës, që me gjuhën e bukur shpirtërore e zbukuron me ngjyrën ylberore, përshkon mesazhin mbresëlënës me rrezet diellore. Në të vërtetë u mahnita kur lexova poezinë: “Mos i vrit njerëzit me fjalë!” Me një stil të përkryer, unik, herë në gjuhën letrare, herë ne dialektin gegnisht, i shkruan vendlindjes, Atdheut, Kosovës, duke përshkruar metaforat harmonike, inteligjencën dhe filozofinë plot sharmë. Në vargjet brilante të poetes Gjelina më kujton veprat e Migjenit, Gjergj Fishtës… Një meritë shembullore e autores, është etika e vlerave, ndjeshmëria njerëzore, thjeshtësia e kombinimi i imazheve, perceptimi kulmor i figurave letrare si një romancë obligimi për çka e rrethon. Në këtë cikël të bukur me notacion lirik, arkitekturë të gjerë talenti, përshkruan me pasion mallin dhe dashurinë për vatrën familjare, buzëqeshje zemre, ku veludon lumturia. Si një melodi kënge të moderuara mjeshtërisht i përjetova në dy poezitë e saj: “M’shehe Hanën” dhe në poezinë: “Në kroje bjeshke
ujë kam pi” -, shprehet poetja dhe prozatorja Halili.
Për vlerat e këtij libri të poetes Gjelina Maçi Keçi, po shkëpusim edhe këtë vlerësim të shkrimtarit dhe kritikut të mirënjohur të letërsisë shqipe, Prof. Mikel Gojani, i cili ndër të tjera shprehet: ” Vargjet e autores Maçi Keçi janë tepër të bukura, e shijeve të holla dhe vlerave kulmore esteto- artistike. Këto vargje kulmojnë vlerat e tyre përmes fjalëve të kaltra, gjithë intimitet dhe ndjeshmëri njerëzore, të cilat endin thjeshtësisht imazhe dhe metafora vezullonjëse, duke krijuar një poezi krejtësisht origjinale, plot dritë dhe sentimente”, shprehet mes tjerash kritiku Gojani.
Gjelina vazhdon të na suprizojë, e them me bindje unë si redaktori i saj, një karakteristikë e mirëfilltë janë temat e larmishme, perlat e frymëzimit. Këtë vëllim poetik do vlerësoja të një niveli të lartë.
Motivi i jetës është një burim frymëzimi për poezinë e autores:
Unë në detin e jetës mësova të notoj,
Edhe kur ish i dallgëzuar e me furtunë,
Se kisha zemrën dhe rininë e fortë,
E kërkoja të tjera maja të pakapura kurrë!
Gjelina e ka shijuar kurbetin, prandaj na jep mjaft poezi me një emocion drithërues, madje dhe me një lloj klithme të ndjeshme. Poetja është nënë, është gjyshe, e kurbetin e sheh edhe me sytë e poetes. Ajo nuk bën moral, por detajet që ajo zgjedh janë shumë më të forta se morali i saj si në poezinë: “Të Pres”:
Të pres, vjeshtë e ftohtë,
Fletët bien e zhveshën pemët.
Qyteti bosh pa ty…
Më në fund e vogla tringëllimë,
Mesazhi yt më ngroh,
E filloj të marr frymë…
Gjelina është një poete do shtoja e ardhur jo rastësisht në botën poetike, e rrallë, e kërkon që përmes penës të na sjellë tema dhe motive me vlerë të kohërave dhe figurave të ndritura të kombit; të nderojë dhe heronjtë e kombit të vet. E në fakt për këtë e admiroj,
se kështu vepron çdo komb, që vargut i lartëson dhe i përjetëson ata. Në të do të veçoja poezinë për Norën e Kelmendit dhe të heroit, prijësit popullor, Ucë Turkut. Ajo është rritur me kujtimet e gjyshërve për Norën, për këtë prijëse dhe grua të rrallë të trojeve shqiptare e që janë nga vendi i saj i origjinës:
O moj Nora mbretëreshë,
Zanë e bukur, sokoleshë,
Si Helena e Shqipnisë,
Legjendare e Malësisë!
Ucë Turkut:
Lum ai djep që e përkundi,
Trim mbi trima atë Ucë Turku,
Asnjë kral jo nuk e mundi,
Në Kelmend vello baruti.
Libri i tretë i Gjelinës është një lloj enciklopedie, jo për nga numri i faqeve, por nga temat që ajo trajton, është një enciklopedi shpirtërore e kombit tonë.
Gjelina ka një penë te mprehtë dhe do thosha të bukur fort, e me mall, bëhet si hyjneshë për lumturinë kur shkruan për fëmijët e saj, para birit të saj dhe gjithë atyre që përfaqësojnë sot brezin e ri, jep këshillat më të mençura që kanë brenda vetes shumë
dashuri.
Si për shembull te poezia, “Për ty, bir!”
Gëzimet jetës merrja, bir se nuk t’i fal,
Bashkë me to merrma dhe nektarin në shpirt,
Për ty mbjell ëndrra kudo, fushë e mal,
Në thesarin e zemrës vezullojnë dritë.
Ndërkaq, te poezia, “Falmi ti dhimbjet e tua”, autorja shprehet:
Falmi ti dhimbjet e tua,
E në shpirtin tënd gëzo,
Se unë veten nuk e dua,
Nëse ty, t’lumtur s’të shoh!
Poezitë e Gjelinës duket sikur çdo lexues i përjeton se ato të japin emocion të vërtetë sa kur një lirike të saj i kthehesh dy herë ta lexosh, atëherë mund të thuash i vetëdijshëm se ajo ja ka arritur qëllimit si poete lirike, si për shembull poezia, “M’shehe Hanën:
Do t’kërkosh të rri me ty,
T’mos largohem asnjëherë,
N’shpirtin tënd me mbyll me dry,
Dimrin akull e bëjmë verë!
Ose te poezia, “Mall:”
Të të shoh sa shumë dua,
Afër meje të të kem,
Për ty shpirti m’u shkrumbua,
Në krahët e tu dua të jem!
Te poezia e saj duket se shohim dyert e jetës së kombit tonë, fillojnë me grimcat e jetës së këtyre autorëve që na kanë lënë veprat shkronjore në jetën e pasjetën e tyre. Nëse do të zhbirosh pak në stacionet e jetës, do të shohësh të gjithë ngjyrat e saj. Në të ka shumë gëzim, ka dinjitet të papërlyer në asnjë situatë; ka mall kurbeti, ka forcë shpirtërore të një nëne, ka dashuri për jetën, ka nostalgji, ka optimizëm, ka të ardhme aq të ndriçuar, ka besim te Zoti…
Si për shembull te poezia: “ Pushime në Troje të mia”. Përtej asaj që i shfaqet para syve, lexuesi kërkon dhe pak gjurmë jete. Gjelina ka një lidhje shpirtërore, siç e kam potencuar më lart, jo vetëm me krahinën ku ajo banon, po aroma e vargut të saj, ajo traditë që Gjelina na e jep në mjaft poezi më kujton një shqiptare të mirë, etnografen e shquar angleze, Edith Durham.
Këngët, natyra e bukur e Kelmendit që është vendlindja e të parëve të Gjelinës na shpalosen te poezitë e saj.
Mary Edith Durham, kjo grua e mençur, fisnike, trime dhe kurajoze, për një jetë të tërë punoi e luftoi që vendi ynë t’i shpëtonte copëtimit e të merrte përparimin dhe zhvillimin social-ekonomik.
Do thosha me plot gojë se brenda asaj dashurie të madhe, të përjetshme, pse jo dhe me sakrificë është dhe poetja jonë që pas më se njëqind viteve kërkon që të sjell filiz të rinj të dashurie për të bukurën, për Malësinë, për të parët e saj.
Duke e uruar Gjelinën për librin e tretë, unë mendoj se ajo ka për të na dhënë akoma më shumë, si në poezi që i buron nga shpirti i çiltër, por pse jo edhe në zhanre të tjera të letërsisë shqipe.
Prill , 2022
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.