Shpresë
E tashmja do të mbetet përmendore kujtimi
në murin e historisë njerëzore,
ndërsa anija e së ardhmes zhytet thellësive,
çan stuhitë,fitimtare mbi shtrëngatat,
lundron në skajet e kohërave
e lë pas të shkuarën e ankthshme.
Lehtas fashiten dallgët
rrugëve të bardha,në det të hapur
e ndizen flakët e shpresës së madhe.
“””””””””””””””””””””””
Çast
Çdo mëngjes më zgjon
frymëmarrja e pashterur e detit
me dallgët e trazuara
të dëshirave e ëndrrave,
të një bote të panjohur,
magjike e mistike.
Tërhequr nga shushurima e valëve,
zhytur në një kopsht
mrekullish shumëngjyrëshe,
vishem me ajër
e dritë në heshtjen e natyrës.
Në kërkim të paqes…
Përditë ecim
në shkretëtirën e mërzitshme
të monotonisë
me sytë nga brigjet e së panjohurës
që na fton në lundrim.
Shpesh refuzojmë t’i nënshtrohemi fatit
e gjejmë shpëtim në universin e marrëzisë,
si lundërtarë të palodhur
çajmë detin e jetës
me shpirtin mbushur rreze shprese
në zbulimin e së resë
që na pret krahëhapur
gjithë dëshirë
në gjetje të paqes e të qetësisë…