Nga libri në proces :”Dibra, ngjarje dhe luftëtarë” po paraqesim Sohodollin në vitet 1911 – 1921. Falenderoj mikun tim Shuaip Methasanin për bashkëpunimin.
Luftëtarë nga Sohodolli 1911 – 1921
Abdyl Frashëri në qershor të vitit 1878 rrugës nga Dibra për në Prizren ka pi kafe te Rexhep Koka në Sohoholl, i cili e përcolli deri në Vleshë.
Në vitin 1911 turqit masakrojnë në Sohodoll Rexhep Xhedikun, Sinan Spahiun, Sejfulla Sali Pallacen, Zenel Nelën, Arif Nelën.
Luftëtarë në Karadak 1912:
Elmas Mona (Methasani, Asllan Baftjar Merdini, Zyber Iljas Cibaku, Sulejman Avdiu, Rustem Selman Oreshka. Sherif Islam Bali. Avdul Gjoka, Adem Demir Titini, Sahit Sadik Huta, Musa Avdia, Izet Feta Daxha, Habe Sava, Ahmet Methasani, Ymer Oreshka, Ajdin Nuz Bali, Tasim Halimi.
Mbeti dëshmor Tasim Halimi dhe u plagosën Llan Merdini dhe Musa Avdia.
Në luftën e Kolesjanit 1912 kanë qenë:
Rexhep Cibaku, Emin Cibaku, Rushit Xhediku, Rakip Xhediku, Mustafa Kurdedja, Riza Kurdedja, Hakik Merdini, Islam Merdini, Sul Bali, Idriz Bali dhe Salip Tafa , i cili ishte komandanti i tyre. Në këto luftime ra dëshmor Emin Cibaku dhe u plagosën Rushit Xhediku, Rakip Xhediku dhe Hakik Merdini.
Masakrat serbe:
Serbia në vitin 1913 dogji 13 shtëpi në Sohodoll. Kapi dhe torturoi Zyber Cibakun, Halit Cibakun, Rushit Cibakun dhe Hasan Sadikun, i lidhën me breza dhe i dërguan për t’i pushkatuar. Rrugës ata prenë brezin dhe ikën. Në ikje e sipër serbët vranë Abdulla Cibakun dhe Hasan Sadikun. Ata rrethuan shtëpinë e Masllam Dalip Methasanit në Vincë, I cili luftonte në shtëpi, bashkë me të shoqen, Bihure Osman Methasani. Masllami u vra, ndërsa Bilurja vazhdoi luftën serisa e dogjën të gjallë Brenda shtëpisë.
Në Luftën e Kaushit (Trojakut):
Morën pjesë Elmas Methasani, Zak Zuna dhe Tahir Tafa.Në këtë betejë në Qafë të Kaushit mbi Trojak u vra Dalip Tafa.
Serbët kanë masakruar Habe Zan Merdinin në Brest të Poshtëm, ndërsa Maliq e Rexhep Haraçiun, babë e bir, i therën me thika në Herbel, duke i çuar për Dibër të Madhe.
Në luftën e gushtit 1920
me 16 gusht në Miravec u vra Sherif Ismail Bali, ndërsa më 20 gusht u vra Zeqit Baftjar Merdini.
Në betejën e Lan Lurës
Me 29 tetor 1921 është vra Osman (Man) Elmas Methasani. Në Kodër Leshe luftëtarëve po u printe Osman Methasani dhe në përpjekje për të eliminuar një istikam armik ku qëllonte një mitroloz ra vetë Osmani.
Populli e përjetësoi në këngë:
Ti biem burra ktij dushmani
Po vikat Man Methasani
Në kodër të Arrasit fyt a fyt
Me dushmanin gryk’ për grykë.
(Sh.Methasani, Sohodolli i Dibrës faqe 20 – 22, viti 2004)
“””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””
Gjorica e Dibrës
dhe fshatrat përbërës të saj, si pjesë e krahinës së Grykës së Vogël, një prej 9 maleve historikë të Dibrës, ka dhënë një kontribut të çmuar në luftën për liri dhe pavarësi kombëtare.
Kontributi i saj fillon që nga rezistenca e dibranëve kundër osmanëve në kohën e Skënderbeut, ku Gjorica ishte një nga bazat e kësaj rezistence.
Kulmi i luftës dhe rezistencës antiosmane arrin në luftën e Gjoricës në tetor të vitit 1844 kundër forcave të Hajredin Pashës, të cilat u thyen dhe u zbrapsën drejt Manastirit. Nandë Malet e Dibrës u bashkuan në këtë luftë ku epiqendra e luftimeve ishte Fusha e Thatë në fshatin Gjoricë e Sipërme.
Në vitin 1910 biri i Gjoricës, prijësi Azis Xheka së bashku me bashkëfshatarët e tij bëri rezistencë të pashembullt ndaj forcave dhe artilerisë osmane. Shtëpia e tij u bë kështjellë e pamposhtur nga osmanët.
Gjatë lufrave ballkanike dhe Luftës Parë Botërore e deri në vitin 1921 nga tetor 1912 deri në tetor 1921 për 9 vjet me rradhë banorët dhe luftëtarët e Gjoricës sikurse të gjithë dibranët luftuan direkt në luftime kundër serbve, të cilët kërkonin t’i aneksonin, me gjithë vendimet e vitit 1913 nga Fuqitë e Mëdha.
Çetat e komanduara nga Dan Cami dhe Feta Cami në bashkëpunim me çetën e Mersim Demës organizuan disa beteja kundër serbve dhe bullgarëve. Qindra të vrarë e të plagosur, dhjetra shtëpi të djegura ishte bilanci i kësaj qëndrese heroike që çoi në zbrapsjen e serbve përtej kufijve të vitit 1913.
Gjatë luftës së dytë botërore dhe gjatë Luftës antifashiste nacional-çlirimtare kundër nazifashistëve Gjorica u bë baza e kësaj lufte në Dibër. Mësuesi i këtij fshati Fasli Cami vrarë në prill të vitit 1941 është mësuesi i parë dëshmor në shkallë vendi gjatë LANÇ. Po në prill të vitit 1941, pas një sulmi ndaj një garnizoni fashist, arrestohen dhe më pas pushkatohen Ejup Cami, Musa Cami, Mexhit Lezi dhe Sefer Cami. Arrestohen dhe dërgohen në burgun fashist të Burrelit edhe 19 burra të Fisit Cami.
Pas daljes nga burgu dy vjet më vonë u rreshtuan në çetën e Gollobordës të komanduar nga akademisti Ahmet Cami.Me 26 korrik 1943 mbi bazat e 4 çetave antifashiste të Dibrës, në Gjoricë të Sipërme u formua Batalioni Partizan i Dibrës me komandant Haxhi Lleshin. Në këtë batalion dhe më pas në Br 18 dhe të IV Sulmuese morën pjesë me armë në dorë dhjetra partizanë gjoricarë deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Në luftën për çlirimin e Tiranës, në nëntor 1944 dha jetën edhe biri i fshatit Gjoricë Mahmud Dalip Cami.
Kontributi në luftën për liri dhe pavarësi dhe në shërbim të atdheut i kësaj zone dhe njësie administrative është i pashembullt.