Ndue Lazri
“””””””””””””””””””””””
NË LAURËN E ERZANËS…
Arben Hallidri në rininë e vet kishte një ëndërr; të vazhdonte shkollën e lartë. Ai i donte librat, ishte i etur për të lexuar. Lexonte libra nga të gjitha llojet, në prozë e poezi, në literaturë shkencore e historike. Me një fjalë nuk e lëshonte thuajse kurrë librin nga dora. I lindur në Rajcë të Librazhdit, ai ishte kurioz të mësonte sa më shumë për vendlindjen, për historinë e traditat, për vallet e kostumet e Rajcës e të zonave përreth. E këto njohuri ai donte t’i pasuronte edhe më tej, duke arritur një profesion e kualifikim në shkollë të lartë. Por, siç ndodhte në Shqipërinë e kohës së luftës së klasave, ëndrrën e tij për shkollë të lartë ia këputën në mes. Sepse familja e tij kishte një cen në biografi.
Dhe ai i hyri punës së ndershme si punëtor, për të fituar me djersë jetesën për veten e më vonë edhe për familjen që krijoi. E kudo ku ka punuar, si në Shqipëri e në emigracion, edhe pse në punë jo të lehta si punëtor, librin nuk e ka ndarë e nuk e ndan nga dora. Me kulturën e tij ai nuk u lë gjë mangut as intelektualëve më të mirë dhe me të mund të hysh në diskutim në tema nga më të ndryshmet në fushën e letërsisë, të shkencës, historisë etj.
E bëra këtë hyrje të gjatë, sepse e pashë Benin dje të emocionuar përpara Universitetit të Trentos, në pritje që bija e tij, Erzana, të bënte mbrojtjen e laureas. Një familje me rreth të gjerë, këtu në Rovereto të Italisë, kishin ardhur në numër të madh për të ndjekur këtë moment të gëzuar e të rëndësishëm.
Erzana ka studiuar në letërsi e filozofi dhe tezën e saj të laureas e ka ndërtuar pikërisht mbi këto dy fusha, duke bërë një ndërthurje origjinale për raportet midis utopisë e distopisë, bazuar në veprat e autorëve Burdekin, Orwell, Huxley. Gjatë gjithë jetës së saj shkollore ka patur gjithnjë rezultate të larta. Prindërit e saj, Arbeni e Donika, kanë punuar gjithë jetën duke i edukuar fëmijët me dashurinë për shkollën, që të paktën të shikojnë të realizuar tek ata ëndrrën për shkollën e lartë. Dhe Erzana e dëshmon më së miri përgatitjen e saj. Njeh shumë mirë gjuhët italisht, anglisht dhe spanjisht. E vendosur prej më shumë se një viti në Madrid, ajo ka pasuruar gjerësisht kulturën e saj edhe duke njohur historinë, kulturën e traditat e popullsisë së gadishullit iberik. Laurean e mbron në dy gjuhë, në anglisht e në italisht. Prezantimin e parë të tezës përpara komisionit me pesë profesorë, ajo e bën në një anglishte perfekte. Pastaj anëtarë të komisionit i drejtojnë pyetje në italisht dhe ajo iu përgjigjet me të njëjtën saktësi e kompetencë, duke shkëputur buzëqeshje admiruese nga fytyrat e anëtarëve të komisionit.
Në fund, mes emocionesh të të gjithë të pranishmëve shikojmë një komision që ngrihet në këmbë, i shtrëngon dorën me dashamirësi e përgëzime studentes shqiptare, duke i komunikuar vlerësimin më të lartë: 110 e lode. Të gjithë të pranishmit shpërthejnë në duartrokitje, e përgëzojnë dhe e përqafojnë Erzanën. 14 muaj pune ne pergatitjen e kesaj teze shperblehen me rezultatin e larte.
Pa dyshim, një atmosferë e bukur, që na bëri të ndiheshim krenarë edhe ne bashkëatdhetarëve të saj.
-Më së fundi po fillojmë të kthehemi atje ku duhet të ishim,- thotë Dine, kushëri i Arbenit. Dhe na tregon ata djem e vajza të reja të fisit të tyre që kanë ardhur në këtë festë e që janë nxënës shumë të mirë në shkollat italiane, duke aspiruar secili shkollën e lartë.
Përveç festës së bukur, që u organizua në një lokal, pronë e dy djemve shqiptarë nga Mjeda e Shkodrës, mua më mbeti në mendje një frazë që midis entuziazmit në sallën e provimit, Arbeni ia drejtoi vajzës së tij më të vogël, Edlirës, nxënëse shumë e mirë në shkollën e mesme: -Së shpejti dua të të shikoj edhe ty pëpara një komisioni të tillë. Dhe vajza iu përgjigj me buzëqeshje e me vetësiguri:-Patjetër, baba.
Ishte i emocionuar, miku im Arben Hallidri. Por edhe i lumtur që ëndrrën e vet e sheh të realizuar tek fëmijët e tij.
Ndue Lazri