Aman, më le në hallin tim!
Po si është e mundur o i dashur “frend”, që për aq kohë sa bashkë kemi rënë dakort për lidhjen në fb më dërgon çdo mëngjes në “massenger” nga këto lloj urimesh, në qendër të të cilave qëndron filxhani me kafe?! Po çfar të kam bërë xhanëm që çdo ditë, të parën gjë më duhet të rrëshqas gishtin, minimumi të të heq nga pamja e ekranit të telefonit?!
Ore por ka kuptim, që në të rrallë edhe mund ti dërgosh dikujt ndonjë urim të tillë, psh një herë apo dy në vit. Edhe atëhere biles, vetëm kur mëngjesi që vjen lidhet me ndonjë ngjarje, festë, datë të shënuar etj. Por që këtë ta bësh përditë e me një disiplinë të tillë që do ta kishte zili edhe roboti më i sofistikuar japonez, kjo nuk shkon fare.
Le që ma shpife, edhe me këto kafe që më “ofron”. Ja shihe se me çfar sorrugato më ngrite sot në mëngjes! Krejt me një si bark kalamajsh, me të cilën më bëre të nxjer zorrët. Por hiq dorë more jahu, hiq dorë nga kjo torturë “naziste”, se më ke futur tre fazorin! Por, a nuk e kupton se nuk e dëshëroj këtë lloj urimi për deri sa asnjëherë nuk të përgjigjem?! Nuk dua or vëlla i dashur, nuk dua, a e kupton?!
Mbase, po ta shkruaje vetë urimin e bukur shqip “mirmëngjes”, qoftë edhe pa ndonjë shkak intim, pas të cilës të presësh këtë urim të bukur edhe prej meje, hajde mo, edhe mund të pranohet. E kjo është një lloj mbarësie. Por ti ore “frend” me sa duket përton të shkruash dhe ende pa e mbyllur të gërrhiturit e natës të gjatë, që me sa duket kalon pas asaj rakije që ke rrëkëllyer, akoma pa u çuar nga shtrati e ende pa larë sytë, më lëshon atë gishtin tënd si kopaçe beisbolli mbi këtë lloj urimi, a thua se në këtë mëngjes dielli shkëlqen, e ai nuk ka lidhje me mejhanen ku ke qënë në mbrëmje, aty ku u bë hataja duke thyer gota e karrike nëpër kokat e klientëve, aty ku tingujt e xhezit dhe kitarave me korent hidrocentralesh PPP-je kalonin 200 decibelët vrastarë.
Përveçëse me ato lajle e lujle, me ato filxhanë e xhingla, me atë kafe për ibret, në mes të të cilave lexohet urimi i “llahtarshëm” nuk më falet më të pranoj. Le që me këto marifete që i mer nëpër “kazanë” e mi dërgon mua, po më duket sikur punoj në komunalen e këtij lali Erit të Tiranës, por shpesh tmerrohem e më duket tamam, sikur më pas do të dëgjoj detyrimisht atë zërin tënd të fuqishëm e tërë ojna (që nuk ta kam dëgjuar ndonjëherë), por që duket sikur më thotë “hajde kush ka hekra, lavatriçe, frigoriferë të vjetër me shit, hajde”!
Po i parapri mëngjesit të nesërm tani në mbrëmje o frend : mirmëngjesi 366 herë, për krejt një vit. Aman, më le në hallin tim!
“”””””””””””””””””””””””””””””””
“Nuk çalon gomari nga veshët”
Pra, në Tiranë “Piramida” po kthehet në qendër të inovacionit të teknologjisë dixhitale më të madhe në rrajon me sipërfaqe rreth 11 mijë m2. Se çfar do me thënë “qendra më e madhe dixhitale në rrajon”, kjo mbetet të na e spjegojë udhëheqja që përdor këto terma “ultra perëndimorë”. Po mirë pra, pse u ndërtua?! Që të bëhet diçka e tillë, pa dyshim që vendi duhet të kishte nevojë urgjente për inovacion të teknollogjisë dixhitale. Dhe çfarë teknollogjie do ti shërbejë kjo teknollogji dixhitale?
Asaj të parmendës që jo pak raste tërhiqet me gomerë, të mekanikës të çekiçit e të çelsit fiso, të fushave që zhuriten nga mungesa e ujit, të kullotjes të dhive në rrëpirat e katundit, apo të nakatosjes të llaçit me çizme llastiku? Cila është ajo degë e ekonomisë tonë që ka “shpërthyer” e nuk mund të përmbahet, përveçëse me dixhitalizim të saj.
Apo mos ndofta niveli i arsimit, është ngjitur në ato maja, kur dijenitë e studentëve kanë vajtur deri aty sa përveç mjekve, inxhinjerëve, agronomëve, zooteknikëve, ekonomistëve etj. që kanë arritur “kulmet” shkencore, kjo qendër duhet të përgatisi masivisht specialistë të teknollogjisë dixhitale që ti përgjigjen kësaj aritje “madhështore”? Mos ndofta qeveria duke parë nivelin e “shkëlqyer” arsimor e kulturor në të gjithë vendin, mendon se teknollogjia dixhitale “made in albania” mund të programojë e të shesi produktin e vet dixhital në mbarë Europën (në Ballkan po e po)?
Me kaq po e le këtë hulumtim “dixhital”. Megjithëse jo! Pse po më “ha fyti” edhe për nja dy pyetje thuajse retorike. Ore po kur do heqim dorë nga krahasimet idjote, nga ato : më të mëdhenjtë e Ballkanit, para Francës e pas Gjermanisë, çmimi më i madh në Europë, arkitekti që ka projektuar “hënën”, kemi lënë mbrapa Malin e Zi e jemi para “Kodrës pas Bregut” etj. krahasime bajate që të bëjnë të mbash kokën në lavaman? Dhe më e rëndësishmja, kur do ta kuptojmë se një shtet i varfër si ky i yni, fundoset për “vdekje” në se nuk ka minimumin e arsyetimit të efektivitetit ekonomik para se të investojë? : Sa dhe kur konkretisht do të përfitojë ekonomia, sa do rritet rendimenti i punës, apo sa do të rriten të ardhurat për frymë…
Si mund të mos e kuptojmë ende, se të investosh në këtë mënyrë është një ekstravagancë, ashtu siç një papion në qafën e një “brekë grisuri!”? Një vend me gdp më pak se 5 mijë usd/frymë nga afro 35 mijë si mesatare të BE, tregon fare qartë se nuk është teknollogjia dixhitale që na mungon. “Nuk çalon ai gomari i parmendës nga veshët”. “Çalon se është “gomar” dhe nuk e di se ku i “dhëmb”, nuk ha pyka, nuk “pëllet” të tregojë këmbët por tund veshët.
Është ligji nr.1 i çdo vendi që kërkon zhvillim : së pari të investojë në dije, në arsimimin e përgjithshëm bazë të popullsisë, shkolla e universitete. Më tej si të “mbushi barkun me bukë” e pastaj të tjerat me rradhë. E te ne kjo punë ka marë fund qysh nga dita kur në vend mbizotërojnë doktorët e shkencave, në një vend ku fjala shkencë ka mbetur vetëm si pasuri e fjalorit të gjuhës shqipe.