ASHTU, SI UNË I KAM NJOHUR
Sot, për komandantin e BrS, njësi me detyra shumë të rëndësishme në kuadër të mbrojtjes së D17K në Tropojë.
Fejzo HAXHIAJ
Fejzo është nga Tepelena, por lindur, rritur e shkolluar në Tiranë, meqenëse babai i tij, pjesëmarrës në luftën nacionalçlirimtare të vendit tonë, pas çlirimit, u vendos në kryeqytet. Arsimin fillor dhe atë 7 vjeçar i ka kryer në Tiranë. Nga viti 1965 deri në vitin 1969 ka kryer arsimin e mesëm në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”. Ndërsa në vitet 1969-1971 ka kryer studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, në specialitetin e zbulimit. Nga janari deri në korrik të vitit 1972 ka kryer një kurs specializimi pranë Dzb në Zall Herr. Në këtë kurs specializimi Fejzo ka qenë nga oficerët e rinj më të dalluar. Ishte nga më të interesuarit për përvetësimin e programit të përgatitjes speciale të zbulimit me trupa, mjaft aktiv në diskutimin e problemeve që dilnin gjatë stërvitjes. Ishte edhe shumë i lidhur dhe i shoqërueshëm me ne oficerët e Dzb. Në këtë periudhë jam takuar dhe e kam njohur nga afër Fejzon. E kam njohur si një nga kuadrot e reja të zbulimit me trupa, por edhe si lidhje të afërt të njërit prej kuadrove më të njohur të zbulimit, i cili në ato vite ishte në krye të shtabit të punës për ndërtimin e bazës materiale e poligonale në Dzb, me të cilin unë kisha marrëdhënie shumë të mira, Shefqet Haxhiaj.
Për disa vite, nga viti 1972 deri në vitin 1981, Fejzo ka punuar në njësitë e K4 të Mbrojtjes Bregdetare (FUD), në detyra të ndryshme. Komandant kompanie në bzb të korpusit, komandant bzb dhe shef zbulimi në Br4K të këtij korpusi. Gjatë këtyre viteve kam patur rastin të takohem me Fejzon në mbledhje mësimore, në stërvitje treguese që bëheshin në Dzb. Gjithmonë kam dëgjuar vlerësime të mira për të nga drejtuesit e zbulimit të Korpusit por edhe nga kuadrot e drejtorisë së zbulimit. I përgatitur profesionalisht e mbi të gjitha i përgjegjëshëm për realizimin e detyrave që i ngarkonte funksioni në repartet e zbulimit. Nga viti 1981 deri 1983 ka kryer studimet në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”, me rezultate shumë të mira.
Pas akademisë, në vitin 1983, është emëruar në detyrën e komandantit të BrS Tropojë. Fillimisht kjo brigadë konsiderohej si një njësi e përzier, meqenëse në përbërje të saj, veç 3(tre) bs, një në Lekbibaj, një në Dragobi dhe një në Iballë të Pukës, kishte edhe një batalioni mitralier i disllokuar në Dragobi me tre kompani mitraliere, një në Valbonë, një Çerem dhe tjetrën në skalion të dytë, në Dragobi. Si shihet nga përbërja e saj, kjo brigadë kishte detyra shumë të rëndësishme në kuadër të mbrojtjes së Korpusit të Pukës e, më vonë, të Divizionit të Tropojës. Me forcat e batalionit mitralier organizonte mbrojtje për të përballuar një sulm të mundëshëm nga forcat e Jugosllavisë, që mund të vinin nga Plava/Gucia në drejtim Valbonë- Çerem- Bajram Curri, për të dalë në shpinë të forcave tona që mbroheshin në zonën e Tropojës, ose në drejtimin Valbonë- Nikaj Mërtur për të dalë në brigjet veriore të liqenit të Fierzës për të rrethuar forcat tona që mbroheshin në brezin e parë të mbrojtjes. Në vitin 1986 batalioni mitralier u hoq nga përbërja e BrS, sepse në bazë të tij u organizua Regjimenti i Këmbësorisë Malore(RKM), me 3 (tre) batalione në vend disllokimet e kompanive mitraliere. Kështu BrS me 3(tre) bs kishte detyrë të luftonte kundër desantit ajror dhe grupeve diverioniste që do të përpiqeshin të vepronin në prapavijat e divizionit, të godisnin objekte të rëndësishme ushtarake, politike dhe ekonomkike.Veç këtyre detyrave, BrS në rast të tërheqjes taktiko-operative kapte dhe mbante, edhe në rrethim, bashkë me forca të tjera, objekte të rëndësishme të terrenit, të cilat do të shërbenin për të krijuar kushte të favorëshme në kuadër të k/goditjeve që do të kryente Divizioni apo të k/mësymjeve të Komandës së Përgjithëshme. Në situata të veçanta vepronte edhe në front, në krah të njësive dhe reparteve të këmbësorisë. Në opinionin tim BrS e Tropojës ishte e përgatitur dhe e gatëshme t`i plotësonte me sukses këto detyra. Kjo bëhej e mundur në sajë të punës së madhe që bënte komanda, shtabi dhe kuadrot e saj.
Në këto vite në drejtim të BrS kanë qenë Fejzo Haxhiaj në detyrën e komandantit, Elmaz Ligaçi, në detyrën e komisarit politik të saj. Pas largimit të Fejzos dhe Elmazit në drejtim të brigadës erdhën Preng Prenga në detyrën e komandantit dhe Bajram Gosturani në atë të komisarit politik. Të gjithë kanë qenë kuadro të përgatitur ushtarakisht, me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe kanë arritur ta mbajnë brigadën në nivele të larta të aftësive ushtarake e morale, për të përballuar detyrat e vështira të mbrojtjes.
Më shumë kohë Fejzo ka punuar me komisar Elmaz Ligaçin, me të cilin shkonte shumë mirë. Të dy, Fejzo dhe Elmazi, përbënin një çift kuadrosh që merreshin vesh dhe bashkëpunonin shumë mirë me njëri tjetrin. Edhe në këtë “dyshe”, në fakt, dalloheshin dy karaktere. Fejzo, komandant me një sjellje disi të ashpër që, shpesh, krijonte keqkuptime te kuadrot vartës të tij dhe Elmazi/Mazja, një komisar që me sjelljen, butësinë, kujdesin e tij kompesonte ndonjë nxitim të Fejzos. Elmazi ka qenë një nga komisarët më të zot me të cilët më ka rënë rasti të bashkëpunoj. Ishte një kuadër i kompletuar ushtarakisht,vinte nga repartet e zbulimit ushtarak, por edhe politikisht e kulturalisht. Duke qenë se BrS nuk kishte shumë efektivë aktivë, pra kishte më shumë kohë të “lirë”, Elmazi ka qenë një nga anëtarët e KP të divizionit me të cilin kam bashkëpunuar shpesh. Shkonim në njësi e reparte të tjera për seminare, për kontrolle të punës politike a të organizatave të partisë. Elmazi ishte shok, mik shumë i mirë. I hapur, i sinqertë e shumë dashamirës. Këto cilësi kishin bërë që Mazja të njihej, të vlerësohej dhe të rrespektohej në të gjithë njësitë e repartet e divizionit. Fejzo ia njihte këto cilësi dhe ia ka arritur që Mazen ta kishte shok, koleg dhe një ndihmë të madhe në punët e brigadës. Por në këto shënime po shkruaj për komandant Fejzon.
Fejzo ka punuar me profesionalizëm dhe me përkushtim të madh për të realizuar të gjitha detyrat që kishin të bënin me përgatitjen ushtarake të brigadës, me organizimin dhe drejtimin e saj në kohë lufte. Ajo çka e dallonte Fejzon në krye të brigadës ishte këmbëngulja për të njohur detyrat luftarake të saj, për të bërë të mundur që këto detyra të njiheshin sa më mirë edhe nga kuadrot efektivat. Në këtë drejtim ishte shumë këmbëngulës. Po ashtu i jepte rëndësi të madhe masave organizative dhe ushtarake për të garantuar kompletimin dhe daljen e reparteve në rajonet e detyrave luftarake, brenda afateve të përcaktuara në Planin e Luftimit. Për këtë mbante kontakte të rregullta me degën e organizimit të divizionit dhe me degët ushtarake Pukë e Tropjë si dhe me organet e pushtetit dhe të ekonomisë në zonat e disllokimit të reparteve të brigadës. Në provat e gatishmërisë luftarake BrS vazhdimisht ka arritur të mobilizohet brenda afateve të përcaktuara në planin e luftimit.
Fakti që vinte nga repartet e zbulimit ia lehtësonte punën për përgatitjen ushtarake dhe komandimin e reparteve sulmuese në kohë lufte. Detyrat e forcave sulmuese ishin, në mos të njejta, të ngjashme me ato që plotësonin repartet e nënrepartet e zbulimit. Duke e patur këtë përvojë Fejzo e kishte më të lehtë të vihej në drejtim dhe në kontroll të përgatitjes ushtarake të reparteve sulmuese. Vetë ishte njohës i mirë i stërvitjes së vogël, i përgatitjes së ushtarit për të vepruar me sukses në fushën e luftës. Dhe, rezultate e kësaj njësie kanë qenë shumë të mira, në të gjitha disiplinat e përgatitjes ushtarake.
Thonë së në kujtime të tilla flitet gjithmonë mirë. Kështu më ndodh edhe mua. Kam shkruar përgjithësisht për anët pozitive, për kontributin dhe arritjet e kuadrove me të cilët kam bashkëpunuar. Kështu bëra edhe për Fejzon. Por duke shkruar për aftësitë, predispozicionin dhe arritjet e tij, nuk mund, nuk dua të mohoj se, në metodën e punës, në marrëdhënie me njerëzit, shpesh herë krijonte probleme, krijonte pakënaqësi dhe konflikte. Në raste të veçanta e kalonte masën e kërkesës së llogarisë. Më kujtohet, në një stërvitje me trupa, në një takim me bs të Iballës kritikat që kishte për veprimet e këtij batalioni i kishte bërë në terma shumë të rënda sa batalioni kishte refuzuar të zbatonte detyra të mëtejshme. Më njoftuan për këtë ngjarje. Shkova urgjentisht, takova kuadrot e bs dhe u kërkova spjegime. Më folën për sa kishte ndodhur me komandant Fejzon. Ndërkohë që Fejzos i tërhoqa vemendjen, duke i thënë se një komandant brigade, sidomos në kohë lufte, nuk duhet të komunikojë me terma të tilla me luftëtarët, kuadrove rezerviste të batalionit u kërkova që të marrin situatën në dorë. Fola edhe me efektivin e bs. Në fakt batalioni e vazhdoi stërvitjen dhe në fund u vlerësua me rezultate të larta. E solla këtë rast për të thënë se edhe Fejzo veç anëve pozitive, në metodën e punës së tij, kishte edhe mangësi. Gjithësesi kjo nuk e zbeh, nuk e pakëson kontributin e tij në mbarëvajtjen e punëve në BrS të Tropojës, komandant i së cilës ai ka qenë për disa vite. Fejzo, për mendimin tim, hynte në kategorinë e atyre kuadrove që e kishin në kontroll, e kishin në “dorë” brigadën, kusht shumë i rëndësishëm për arritjen e suksesit në luftë. Për mua kjo ishte e rëndësishme, të tjerat edhe rreguloheshin.
Pas largimit nga Tropoja, në vitin 1987, Fejzo ka punuar në detyra shumë të rëndësishme në Krujë dhe në Tiranë. Për gati 5 vjet , nga viti 1987 deri në vitin 1992, ka qenë në fuksionin e komandantit të FVVP të rrethit të Krujës. Një detyre e re për nga strukturat vullnetare, por edhe për detyrat luftarake. Më kujtohet, në një rast kur po kthehesha nga Tirana për në Tropojë, Fejzo më ftoi për një “kafe” në Krujë, me ç`rat mësova shumë për punën, arritjet dhe vlerësimin e tij nga organet e partisë e të pushtetit të këtij rrethi. Edhe në këtë detyrë Fejzo është dalluar për profesionalizëm ushtarak, për aftësi organizuese dhe drejtuese.
Për efekt të reformës që u ndërmor në FA në vitin 1992 Fejzo u lirua nga ushtria. Qendroi jashtë rradhëve të saj nga viti 1992 deri në vitin 1997. Në vitin 1997 është riveshur dhe ka kryer detyra të rëndësishme në aparatin e MM. Ka punuar në Drejtorinë e Inspektimit pranë ministrit të mbrojtjes, ka kryer detyrën e shefit të qendrës së modernizimit pranë Akademisë së Shtabit të Përgjithëshëm të FA, etj. Edhe në këto funksione Fejzo është vlerësuar për aftësi ushtarake, për aftësi drejtuese të shumë të mira.
Fejzo ka qenë një familjar, një bashkëshort dhe prind shumë i pëkushtuar. Bashkë me Aiden, juriste shumë e përgatitur, përbënin një familje model. Lindën, edukuan dhe arsimuan dy fëmije të mrekullueshem, djalin (fatkeqësisht i ndarë para kohe nga jeta) dhe vajzën e tyre.