Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e veta, çdo vit, 17 qershorin e vitit 1999, e shënon si ditë të kthimit nga eksodi biblik. Kthimi i madh i shqiptarëve të dëbuar nga vendlindja e tyre ka tri tipare qendrore. Ky kthim është kthim i madh, fenomen shoqëror politik dhe psikologjik në vete në dekadën e fundit të shekullit XX dhe kthim i cili ka veçoritë e një procesi. Në fillim kthimi ka qenë i madh sepse i është kundërvënë një dyndje të madhe të shqiptarëve që tundi nga themelet botën shqiptare dhe ndërgjegjen e botës demokratike dhe humaniste. E quajtëm kthim të madh sepse deri më sot dyndja e shqiptarëve të Kosovës u shkaktua nga motivet politike të drejtuara të organizuara dhe të kontrolluara nga njësitë ushtarake, policore dhe paramilitare serbe, sikurse edhe nga ish-sistemi gjyqësor i gatuar për qëllime serbomadhe.

Kthimi i shqiptarëve të dyndur u shkaktua nga ndërgjegjja e përkatësisë së tyre, vendit ku kanë lindur ata dhe të parët e tyre. Eksodi ishte i planifikuar, i organizuar, i drejtuar, i kontrolluar, i prirë nga motivi i urrejtjes dhe armiqësisë ndaj një populli të pambrojtur. Kthimi ndërkaq ishte spontan dhe i udhëhequr vetëm nga motivi individual i dinjitetit njerëzor dhe atdhedashurisë. Largimit me shumicë nga dhuna dhe terrori i është kundërvënë kthimi me shumicë i vetëdijshëm i shqiptarëve. Ky kthim është i madh sepse distanca kohore ndërmjet dy dyndjeve apo shpërnguljes masive dhe kthimit masiv ishte e shkurtër. Kthimi i madh në atdhe sikurse edhe dëbimi, përbën një fenomen karakteristik shoqëror, politik e psikologjik të fundit në qindvjetshin XX. E quajmë fenomen, kthim i madh i shqiptarëve të dëbuar dhe të zhvendosur sepse shtëpitë dhe banesat e djegura dhe pronat e asgjësuara të tyre ishin më tërheqëse nga shtëpitë, banesat, kampet dhe mikpritja e madhe e qytetarëve të Shqipërisë, të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të vendeve të tjera.
Kuptimi i qëllimit të kësaj politike dhe veprimet e organizuara kundër saj, bëri që për herë të parë trupat e paktit të NATO-s të hyjnë në Kosovë si trupa çlirimtare të Kosovës dhe të shqiptarëve të saj. Kthimi i madh i shqiptarëve të vitit 1999 ka jo vetëm anatominë e vet por do të thosha se ky kthim e ka edhe fiziologjinë, përkatësisht funksionin specifik të tij. Kthimi i madh ndriçon solidaritetin njerëzor, jo vetëm të botës shqiptare, por edhe të gjithë botës demokratike. Të gjithë të dëbuarit u priten nga populli i vendeve fqinje dhe i shumë vendeve të tjera me respektin njerëzor aq të nevojshëm për secilin të dëbuar. Të dëbuarit u pranuan me respekt të madh kudo që shkuan. Vazhda e shtratit të madh dhe të gjatë të lumenjve të shqiptarëve të cilët nën tytat e automatikëve të shqiptarëve dhe të policisë serbe, jo vetëm që u nxorën me dhunë nga shtëpitë dhe nga banesat e tyre, por u fyen dhe u ofenduan, e shumë motra e gra të tyre edhe u përdhunuan në mënyrën më çnjerëzore.
Plani i fshehtë “Potkoi”, që u zbulua më vonë, hodhi dritë të plotë në qëllimin përfundimtar të politikës serbomadhe. Kjo politikë kishte për qëllim pastrimin etnik të Kosovës. Asgjësimi i dokumentacionit personal të të dëbuarve, hapi korridore për largim jashtë Kosovës të shqiptarëve. Përforcimi i planifikuar i kufijve Kosovë – Shqipëri, Kosovë – Maqedoni dhe Kosovë – Mali i Zi dhe minimi i fushave dhe i maleve të Kosovës që gjenden buzë rripit kufitar tregon synimin e pushtetit serb, të organeve dhe të institucioneve të tij – për dëbim të pakthyeshëm të shqiptarëve nga Kosova e tyre. Me fjalë të tjera, kthimi i shqiptarëve ka qenë i paraparë që të pamundësohet dhe me të gjitha forcat. Mirëpo, habia më e madhe ngjau pikërisht me kthimin e shpejtë të individëve, të familjeve dhe të grupeve të mëdha sa më parë që ishte e mundur. Derisa organet humanitare të qeverive të vendeve të ndryshme bënin plane për të siguruar kushte për qëndrim të të dëbuarve edhe gjatë stinës së dimrit të vitit 2000 e të viteve të ardhshme, vetë qytetarët e dëbuar, të vendosur në vendet e huaja, bënin plane për kthim të parevokueshëm dhe sa më të shpejtë të tyre në vendet prej nga ishin dëbuar. Besoj se ndihma humanitare e popujve të vendeve demokratike e ka përforcuar traditën dhe zakonet e shqiptarëve, për të jetuar në çfarëdo kushtesh, rrethanash dhe raportesh në vendin e tyre dhe të të parëve të tyre. Kështu edhe ngjau, menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes ushtarake të Kumanovës, shqiptarët e dëbuar, fuqimisht u organizuan vetë për kthim në vendin e tyre.
As mungesa e automjeteve, as rrugët e dëmtuara, as fushat dhe malet e minuara dhe as vetëdija se shumë shtëpi, banesa, fshatra dhe vendbanime ishin djegur deri në themel, nuk i penguan të marrin rrugën e kthimit të tyre në ditën e kthimit të madh që në qershor të vitit 1999. Në kthim e sipër 34 veta gjetën vdekjen nga shpërthimi i minave, kurse 17 të tjerë u plagosën rëndë dhe u paaftësuan për jetë, por as ky rrezik nuk e ndali vërshimin e lumit të të dëbuarve për t’u kthyer në vendin e tyre. Ky kthim biblik, që nuk është shënuar asnjëherë në historinë e asnjë populli, na jep të kuptojmë se puna e shumë atdhetarëve për të qëndruar në Kosovë dhe për ta dashur Kosovën e bëri të veten. Ky është një kthim biblik për të cilin me siguri do të shkruaj historia edhe për shumë vite. Kosova dhe populli i saj do të jenë gjithmonë mirënjohës për përkrahjen dhe ndihmën shpëtimtare aq shumë të dëshiruar dhe aq gjatë të pritur duke e justifikuar atë me cilësinë demokratike të jetës së ndërtuar në Kosovë.
Kosova do të dëshmojë se meriton mbështetje dhe përkrahje të mëtutjeshme edhe në të ardhmen. Ju keni lënë shtëpitë tuaja për t’u kthyer sërish në to të sigurt dhe kjo do të ndodhë, – thoshte presidenti Klinton dhe vërtet ndodhi: dëbimi i madh i quajtur me të drejtë dëbim biblik, u kthye shpejt në kthim biblik. Kthim i paparë as në rrëfimet biblike. Vërshimi i refugjatëve shqiptarë për t’u kthyer ishte i pa ndalshim – shkruante gjenerali Klark.
Dëbimi i madh në vitin 1999, solli valë të re të dëbimit të shqiptarëve në Kosovë. Njësitë policor, militare e paramilitare të Milosheviqit, duke djegur dhe rrënuar fshatra e qytete, duke vrarë e masakruar mbi 12 mijë qytetarë të pambrojtur, mori para tytave të armëve, kolona të tëra kosovarësh, kryesisht fëmijë, gra, pleq e të sëmuër. Më se një milion refugjatë nga Kosova u vendosën në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi dhe vende të tjera anembanë botës, pa ditur se kur do të kenë mundësi të kthehen në shtëpitë e tyre. Kosovarët do t’u jenë përgjithmonë mirënjohës mikpritësve dhe gjithë atyre që ua mundësuan që në strehën e tyre të ndihen si në shtëpitë e veta. Mikpritja vëllazërore dhe solidariteti i gjerë ndërkombëtar e lehtësuan përballimin e dhimbjes së madhe dhe e mbajtën gjallë shpresën për ditën e kthimit. Kthimi i madh dhe dita e kthimit erdhi, falë qëndresës së popullit, angazhimit ndërkombëtar edhe ndërhyrjes së NATO-s, luftës së pashembullt të UÇK-së. Dëbimi i madh u shndërrua në kthim të madh. Kolona refugjatësh vërshuan drejt vatrave të tyre të shkrumbuara. Bashkë me të dëbuarit u kthyen edhe një numër i bashkatdhetarëve të mërguar 10 vjet, 20 dhe 50 vjet më parë. Rruga e kthimit është hapur edhe për të tjerët, për të gjithë ata që të ardhmen e tyre e shohin në një Kosovë të lirë e demokratike. E tërë Kosova u kthye në një kantier të madh ndërtimi e rindërtimi. Vendin e shtëpive të djegura e zunë shtëpitë dhe objektet e reja të cilat ia ndryshuan pamjen Kosovës të sapodalë nga lufta. Dita e kthimit në Kosovën e lirë do të kujtohet gjithmonë si ditë me rëndësi të madhe historike, si ditë e kthesës së madhe drejt lirisë, demokracisë, paqes, tolerancës, përparimit dhe lumturisë për të gjithë qytetarët e saj.
Pa Ukshin Hotin, për të cilin ende nuk dihet se nga është, pa të burgosurit të cilët gjinden nëpër kazamatet serbe. Serbia e ashtuquajtur demokratike, vazhdon të mbajë peng nëpër burgje djemtë më të mirë të kombin tonë. Peng mbahen edhe mijëra shqiptarë të zhdukur e të masakruar, peng mbahet madje edhe e vërteta për ta, peng mbahet vetë Kosova, paqja dhe e ardhmja e saj. Kthimi ynë është ende jo i plotë sepse ende nuk janë kthyer syrgjyn gjallët dhe syrgjyn të pavdekshmit tanë, si Hasan Prishtina, Isë Boletini e Shotë Galica, e sa e sa të tjerë që mbetën me sy çelur për të parë edhe një herë Kosovën martire. Me gjithë kërkesën tonë, që 17 qershori të futet në kalendarin e datave historike të Kosovës, asnjëherë Parlamenti i Kosovës nuk dha ndonjë shpjegim, se pse kjo datë nuk mund të shënohet si datë historike. Nuk e kam të qartë se a ka ndonjë datë më të rëndësishme për shqiptarët se kthimi në atdhe. Duhet të mos harrohet asnjëherë se pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me siguri se shumë shqiptarë kanë mundur të mbesin pa atdhe, prandaj edhe shënimi i kësaj dite edhe me vetë posterin e saj i cili të kujton, të përkujton një grua me një fëmijë, një grua shqiptare, me një fëmijë në gji, në krye të kolonës për të ikur nga gjenocidi sllav. Është mirë që të gjithë ata të cilët kanë mundësi të japin kontributin që të punojmë që kjo ditë të mos të harrohet kurrë se kjo do të jetë edhe një garanci se kjo nuk do të ketë shans të përsëritet.