“BOTË E PIKËPYETJEVE TË MËDHA” – është libri i katërt i poetes Dava Gjoka Lleshaj. Lexim të këndshëm!
POEZIA E DAVA GJOKA LLESHAJ DHE RITMI BASHKËKOHOR I SAJ
Poezia ka ritmin e saj, melodinë dhe bashkëkohësinë e saj, mbushur me vlerat e personalitetit të autorit dhe të kohës kur ajo shkruhet, duke mos shmangur dhe reciprocitetin e poezisë me lexuesin, ku poezia duhet të jetë e tillë që t’i “ngjisë” lexuesit dhe lexuesi të dijë ta shijojë poezinë dhe ky reciprocitet pëlqimi është një kusht dominant në marrëdhëniet e qëndrueshme të poetit me lexuesin.
Tek poezia e poetes Dava Gjoka Lleshaj, në librin e katërt të saj me titull “Bota e pikëpyetjeve të mëdha”, gjendën faktorët e mjedisit, të cilët dominojnë dhe krijojnë pëlqyeshmëri artistike të mjaftueshme për të bërë lidhjen harmonike mes poetit dhe poezisë, si një atraksion reciprok që e çon krijimtarinë artistike në një ndërvartësi të vullnetëshme dhe kërkesë për vlera.
Libri “Bota e pikëpyetjeve të mëdha” ka pikërisht këtë sistem angazhimi, sistem lidhjeje reciproke, ka këto vlera që përçohen në një shtrat konkret mjedisor, duke i dhënë krah vlerave drejt lexuesit.
Në 102 poezitë e këtij vëllimi mbizotëron dashuria, si një vlerë dhe kërkesë e njeriut për ekzistencë paqësore dhe për një jetë harmonike në një shoqëri të kultivuar, jo vetëm emocionalisht, por dhe filozofikisht. Dashuria është për poeten një “shtyllë kurrizore” e jetës në të gjitha format e saj, në të gjithë konsistencën e saj sociale.
“Qeshu, gëzohu, se koha nuk pret,
Fali jetës çdo ditë dashuri,
Veç dashuria urrejtjen e vret,
Dashuro pra, dashuro ti.” (Poezia “Dashuro pra, dashuro ti”.)
Ose tek poezia “Do t’shkruaj gjithmonë për ty dashuri”:
“Vendosa të ndahem unë nga mërzia,
Po, po, prej saj të rri sa më larg,
T’u jap buzëqeshje viteve të mia,
E mërzitjen ta mbyll e t’i vë kapak.
E shpirtin tim ta kthej në pranverë,
Lule plot ngjyra të mbjell brenda tij,
Se jeta jetohet vetëm një herë,
Ndaj do t’i jap veç dashuri.
Buqeta me lule nga kopshti i zemrës,
Do t’i mbledh unë vetëm për ty,
Vargjet më të bukura nga muza e penës,
Do shkruaj gjithmonë për ty, dashuri!”.
Brenda këtij vëllimi poetik, poetja ka menduar që të shtrojë dhe shumë ide lidhur me marrëdhëniet sociale, personale, lakmitë, keqdashjet, pangopësinë, vlerat e njeriut të mirë, shembulli i tij dhe motivimi, filozofinë mbi jetën dhe mënyrën e të jetuarit të saj etj., duke përdorur gjithnjë një gjuhë të moderuar, me një simbolikë të menduar mirë, me një muzikalitet poetik të këndshëm. Ajo di të përdorë me qartësi dhe në vendin e duhur tropet letrare, për t’i dhënë poezisë ritmin e duhur dhe ngjyrimin artistik të vlefshëm.
Shpesh tek poezitë e kësaj poeteje paraqitet dhe një lëvizje e këndshme për tek intimiteti racional, si psh tek poezia “Pak zihemi, shumë duhemi e flemë në një shtrat”:
“Kur ziheshim bashkë, unë edhe ti,
Se ndodh të zihen dhe zorrët në bark,
Më pas më thoje, t’kam dashuri,
Eja, afrohu të të puth pak…
Kur ziheshim bashkë, unë edhe ti,
Unë, nga mërzitja, rrija pa ngrënë.
Eja, më thoje, ti dashuri,
Sa herë për ty gjumi s’më ka zënë.
Sa herë ziheshim bashkë, unë edhe ti,
Kurrizin kthenim, kur flinim në shtrat.
Eja, më thoje, ti dashuri,
Se shpesh ngatërrohen dhe zorrët në bark.
Kur zihemi bashkë, unë edhe ti,
Me njëri-tjetrin nuk mbanim inat,
Se brenda shpirtit mbajmë dashuri,
Pak zihemi, shumë duhemi e flemë në një shtrat!”
Në këtë vëllim poetik gjejmë elementet e një poezie që futet në çdo aspekt të jetës tonë të përditëshme dhe në poezi të ndryshme dalin në pah dhe cilësi dhe vlera, që nganjëherë i japin librit peshë mendimi për t’u vlerësuar nga lexuesi dhe shumë këshilla jetësore që do t’i vlenin gjithësecilit.
Prandaj, duke lexuar poezitë e poetes Dava Gjoka Lleshaj, mendoj se i shtojmë vetes tonë më shumë dashuri për jetën, për njeriun, për natyrën, për familjen etj.
I urojmë poetes suksese dhe lexuesit lexim të këndshëm!
NDUE DRAGUSHA
Psikolog, poet & gazetar