“”””””””””””””””
NESËR DUA TË FLAS ME TY
Dua të flas pafund me ty
me veten në ty
të të them njëmijë fjalë, njëmijë herë të dua
të flas për zogjtë, për yjet, për sytë e tu
për frikat e mia, ëndrrat, dallditë
për mallin që më merr për ty
për luftën që bëjmë me dalë nga varri
si e tërheqin njerzit njëri – tjetrin në gropë
e s’e lënë të dalë
të flas për dorën që më zgjate e më ngrite
për dritën e syve që ma lëshove në fytyrë
të të falenderoj që je
e që më bën të kem mall për ty.
Nganjëherë dua të hesht,
të vdes, të mos dëgjoj zhurmat që më çmendin
të dëgjoj frymëmarrjen tënde
të harrohem duke të parë ty
të mos më thuash, ik tani, akoma nuk ike
të humbas në sytë e tu
të mbështillem me qeshjen tënde.
Nuk dua të vdes, ende nuk dua të vdes
se nuk mundem as dua të rri pa ty
nuk dua të më shohë askush
askujt s’dua t’ia vras sytë
dua të jem send që veç ti e di se jam unë
dua të jem stilolaps p.sh. që ti e mban në dorë
dhe vizaton me të ëndrra
dua të jem një libër që nuk e lexon askush
libër i mërzitshëm që s’i hyn kujt në punë
qoftë edhe gjemb në trëndafil dua të jem
të ta shpoj gishtin e ti të zemërohesh
e të mos kesh ç’të më bësh.
Nesër dua të flas me veten në ty
dhe nuk dua të vdes.
—————
(Nga libri Dita e gjashte, Rexhep Shahu)
“””””””””””””””””””””””
Me kryet përdhe
Nuk shoh askund në horizont një Jan Pallah shqiptar
Që proteston duke djegë vetën për të tjerë
Për t’i bërë dritë të nesërmes tonë
Pa thirrë më shihni, pa u djegë për t’u dukë
Një Jan Pallah që s’i përket askujt veç njerzve
Që ia di dhe na e mëson vlerën e lirisë.
Vuaj që kam frikë dhe s’kam forcë të jem Jan Pallah.
Nuk shoh askund në horizont, në udhët e dheut tim
Një njeri si qytetari kinez, që guxoi t’i dalë para tankut
Të dhunës së verbër të shtetit të vet
E nën zingjirët e tij të coptohet në emër të lirisë
Duke mundë vdekjen e pavdekshme.
Vuaj që kam frikë të jem trim si qytetari kinez.
Vuaj që s’pata fuqi ta kafshoja gishtin që ma fusnin në gojë
Duke më tallë. Vuaj që prita të tjerët të bëhen trima
Dhe besova se trimëri është të mbetesh gjallë edhe me turp
Duke u fshehë prej dhunës që s’i fshihesh kurrë
Edhe me hy nga ke dalë.
Vuajmë dhe ecim me kryet përdhe
Shtizën e flamurit pa flamur
E kemi ngulë në gardh për hu
Për me pushue ndonjë sorrë.
————–
(Nga libri Kjo vere merzie, Rexhep Shahu)