8.5 C
Tiranë
E premte, 27 Mars 2026

Sakip Cami

Qofsh i parajses miku dhe kolegu im Besnik Xhepa
Portret ushtaraku dhe pasardhësi veterani
Besnik Xhepa,Mund të jetë një imazh i 1 person
mësues, ushtarak dhe bir i një familje luftëtarësh për liri dhe pavarësi
Besnik Xhepa, i biri i Nazif Xhepës dhe Safie Osmanit është lindur me 12 qershor 1945 në fshatin Çerenec të rrethit të Dibrës.
Në vitet 1953-1957 mbaroi shkollën fillore në Çerenec, në vitet 1957-1961, përfundoi Shkollën 7 vjecare në Shupenzë dhe në vitet 1961-1965, kreu Shkollën e Mesme Pedagogjike në Peshkopi.
Mësues në Radovesh të Dibrës
Pasi mbaroi studimet, në shtator 1965, u emërua si mësues në fshatin Radovesh të Komunës së Ostrenit, në zonën e Gollobordës. Këtu në këtë fshat kishte qenë mësues Spiro Velko nga Korça, ai që do të bëhej komisari i çetës së Gollobordës dhe që do të jepte jetën në luftën kundër pushtuesve nazi – fashistë. Këtu nisi bazat formimi i kësaj çete që do të bëhej pjesë e Batalionit të Dibrës.
Vështirësitë ishin shumë të mëdha. Besniku u sistemua për banim në një familje shumë të respektuar në zonë, në familjen Rama dhe kthehej pranë familjes vetëm në raste festash. Përveç familjes Rama, gjeti ngrohtësi edhe te i gjithë komuniteti , i cili e vlerësonte dhe respektonte shumë.
Të bënte përshtypje zgjuarësia e fëmijëve radoveshas dhe dëshira e madhe që kishin për shkollën.
Me 6 Qeshor të vitit 1967 Besniku martohet me Razie Seit Shehun nga fshati Ilnicë, Peshkopi. Familja Shehu ishte dhe është shumë e njohur, e nderuar dhe e respektuar në gjithë zonën e Dibrës.
24 vjet si oficer në Forcat e Armatosura të Shqipërisë
Me 16 dhjetor 1968 Besniku shkon për të kryer shërbimin ushtarak, në Marinën Ushtarake në Durrës. Brenda vitit për shkak të rezultateve të larta të arritura, e përzgjodhën për të studiuar në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Shkollën e filloi me 1 shtator 1969 dhe u specializua si oficer artilier tokësor. Pas mbarimit të shkollës ushtarake emërohet si komandant baterie në Brigadën e tretë të Artilerisë, në Divizionin e Elbasanit. Trajnohet në kurse të ndryshme dhe ngrihet nga ana profesionale dhe ushtarake. Në vitin 1989, transferohet në qytetin e Laçit me të njëjtat detyra ushtarake.
Në tetor 1992 e liruan nga ushtria në moshën 47 vjecare me vështirësi të mëdha familjare dhe ekonomike. Ishte kryefamiljar me katër fëmijë, dy vajza dhe dy djem, Mandi, Enkelejda , Altini dhe Dritani.
12 vjet të tjera në Kavajë si arsimtar në shërbim të edukimit të fëmijëve
Detyrohet t’i kthehet profesionit të vjetër, atij të mësuesit dhe në shtator 1994 emërohet si arësimtar në fshatrat Çengelaj dhe Kazie të Kavajës. Shkollat ishin shumë larg, mbi 3 orë rrugë për të shkuar dhe ardhur nga shkolla, por nevojat ekonomike e detyronin të punonte më shumë se mundësitë fizike.
Nga shtatori i vitit 1996 deri në gusht 2005 punoi në fshatrat e qytetit të Kavajës. Nga shtatori 2005 deri në shtator 2006 punoi si arësimtar në Shkollën “Tre Dëshmoret” të qytetit të Kavajës. Në tetor 2006 del në pension pleqërie.
…Zanafilla e familjes Xhepa
Sipas të dhënave që unë kam, tregon Besniku, zanafilla e familjes dhe më vonë e fisit Xhepa daton rreth vitit 1800.
Në vitin 1883, Rexhepi bashkë me familjarët e tij vendosi të shpërngulet nga Zerqani në Çerenec, (ku jane edhe sot), në trojet e fisit Lleshi.
Për shkak të lidhjeve të afërta familjare që kishin nga nënat, të parët e Haxhi Lleshit dhe Adem Xhepës, këto troje ju falën fisit Xhepa.
Fshati Çerenec është një fshat shumë i bukur, që kufizohet në veri-lindje me Gjoricën dhe Viçishtin, në jug-perëndim me Shupenzën dhe Zerqanin.
Jonuz Xhepa, gjyshi i Besnik Xhepës ka lindur në vitin 1880 në Mallakastër, lagje e Çerenecit dhe në moshën tre vjeçare ka ardhur në Çerenec, Qendër.
U martua në vitin 1900 me Naile Seit Tashën nga Bllaca. Nga kjo martesë erdhën në jetë 3 djem, Shaqiri në vitin 1903, Ademi në vitin 1906 dhe Nazifi në vitin 1909. Gjyshi i tij, Jonuz Xhepa, ka qenë njeri i dashur, familjar dhe shumë punëtor. Por xhepajt ka qenë edhe të pushkës. Nga gjiri i tyre ka patur luftëtarë dhe dëshmorë të Atdheut.
VELI XHEPA, LUFTËTAR NË LUFTËN E SHKODRËS (1912 – 1913)
VRASJA E JONUZ XHEPËS NGA SERBËT NË OBORRIN E SHTËPISË
Lufta e Shkodrës, Tetor 1912 – 23 Prill 1913 ka qenë dhe mbetet lufta më e vështirë e popullit shqiptar për mbrojtjen e tërësisë tokësore. Lufta e Shkodrës përbën rastin më unikal të qëndresës heroike të shqiptarëve në Luftën e Parë Ballkanike. Nga familja Xhepa, ashtu si shumë luftëtarë dhe patriotë dibranë dhe shqiptarë, mori pjesë Veli Xhepa. Lufta zgjati 6 muaj.
Pas mbarimit të luftës kundër malaziasve, në vitet 1913 filloi një luftë akoma edhe më e egër ndaj serbve, të cilët nuk pajtoheshin as me kufijtë e vitit 1913, por donin të dilnin në bregdetin e Durrësit. Gjatë luftës së parë botërore 1914-1918, për shkak të kontributit dhe qëndresës luftarake të familjes Xhepa, serbët, ashtu si në të gjithë verilindjen e Shqipërisë, erdhën edhe në shtëpinë e Xhepajve, plaçkitën dhe i vunë flakën plotësisht shtëpisë.
Të parin e shtëpisë, Jonuz Xhepën e marrin e largojnë disa metra nga shtëpia, pranë “mashnës së gjësë së gjallë” dhe e pushkatuan, por përsëri nuk u mjaftuan, pasi e vranë, e shqyen barbarisht me bajonetën e armës.
Jonuzin e vranë në moshë shumë të re, 38 vjeçare, duke lënë të vegjël tre djem.
ADEM XHEPA, KRYETAR I KËSHILLIT ANTIFASHIST TË FSHATIT
Tradita luftarake vazhdoi edhe në vitet e mëvonëshme. Xhaxhai i Besnikut, Adem Xhepa ka qenë një shembull për brezin e tij dhe të pasardhësve. Ashtu si të parët e familjes Xhepa edhe Ademi dha kontributin e tij. Mbështeti dhe ndihmoi Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Shtëpia Xhepa në Çerenec u bë strehë për luftën dhe për partizanët.
Gratë e familjes gatuanin bukë dhe ushqim dhe përgatitnin veshmbathje për partizanët dhe për të ndihmuar në luftë.
Djali i Ademit, Rrem Xhepa, doli në mal dhe ju bashkua forcave që luftuan për çlirimin e atdheut, në rradhët e Br. 18.
Gjatë luftës, Adem Xhepa ka qenë kryetar i Keshillit N.Ç. si dhe në një periudhë të pas çlirimit. Pas çlirimit të vendit, Ademi ka qene kryeplak i fshatit Çerenec. (Kryepleqësine, historikisht e kanë mbajtur burrat e Fisit Xhepa, kjo për shkak të karakterit të fortë, drejtësisë dhe fisnikërisë që i karaktriznonin. Në vitet e mëvonëshme, këtë detyrë e mbajti deri sa vdiq, në vitin 2014, Novruz Xhepa.
Daja i Besnikut, Ibrahim Ramë Osmani, krah për krah Mujo Ulqinakut me 7 prill 1939 në Durrës.
Ibrahim Osmani është lindur në Bllacë të Dibrës, në vitin 1919. Në moshën 20 vjeçare shkoi ushtar në zonën e Martaneshit. Në prill të vitit 1939, u bë thirrje për të shkuar në Durrës. Ibrahimi vendosi me dëshirën e tij për të shkuar dhe për të dhënë kontributin e tij, për të mbrojtur trojet tona.
Në mëngjesin e 7 prillit, ushtria fashiste shumë e madhe në numër, prej 40 mijë ushtarësh sulmoi vednin tonë. Ushtria e vogël shqiptare e drejtuar nga kapteri i marinës Mujo Ulqinaku, i bëri qëndresë pushtuesit. Gjatë luftimeve, Ibrahim Osmani luftoi heroikisht në moshën 20 vjeçare dhe e pushkatuan dy vjet më vonë. Ai është një ndër 8 dëshmorët e parë të atdheut, në një luftë të pabarabartë kundër pushtuesit fashist.
Emri tij është gdhendur në memorialin e Durrësit përkrah Mujo Ulqinakut, Hamit Dollanit, Isak Metalisë nga Strikçani dhe Ramadan Veliut nga Homeshi i Dibrës.
Sakip Cami
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.