– Në dhomën e pritjes ka vetëm heshtje,
asgjë nuk lëviz,
karriget si statuja të ngrira,
thuajse janë ngulur në vend
e iu ngjajnë katërdhjetëkëmbëshave
rreth tavolinës,
e ajo vetë me shkëmbin e gdhendur,
të paprekur.
Në të katër cepat e mureve,s’pipëtin send
dera rri hapur,gati,më e bindura,
jastekët mbi divan si sy të fryrë,
të lodhur,
të mavijosur,
sikur mbajnë shikimin drejt,
si roje brenda muzeumëve,
pa asnjë vizitor,fortesë jashtë mode,
e papreferuar,”ncu”,s’ia vlen”.
Orenditë si grumbuj-grumbuj,si të zaptuara
flenë e zgjohen bashkë pa kthyer
asnjë brinjë,
si të gozhduara,me ndonjë krimb
që bën gërr-gërr në trupin e tyre,
a thua se është djalli
ai që ndalon hyrjet,ai,ai,
që ndalon ftesat,mirëseardhjet.
Një lule në këndin e dhomës,
takohet me pllakat,
krahëtharë me gjethet varra-varra,
tjetra më tej verdhacuke ngjyrë dryshku,
kokulur sikur qan.
Eh?! nuk ka më aromë,
nuk ka zhurmë,as dialog,as biseda,
as buzëqeshje,as komunikim,
miqtë nuk vijnë më,ose nuk ka,
ose nuk kanë qenë kurrë?!!!
Përshëndetemi në rrugë,bile shpejt,
me vrap,si të çmendur,
të zënë me një mijë halle….
e paarsyeshme,e paimagjinueshme,
aspak e dhimbshme,aspak tronditëse,
vetëm shpërfillëse,habitëse,
e pabesueshme.
Oh,e di si është puna,
duhet të jenë rrugëve,shumë të zënë,
lokaleve,kafeneve,kazinove,restoranteve,
me kë?!
Me endacakë,servilë,monstra,hipokritë,
mashtrues të sekteve të ndryshme,
me kompromentues modernë,
me mjeshtra të fëlliqur,
ose me gra që vjedhin,
edhe burrin,edhe dashnorin.
E pra,askush nuk vjen,
shtëpia e shkretë,krejt e shkretë,
e ftohtë,krejt e ftohtë,
e akullt,krejt akull.
Dhoma e pritjes aty rri,e vetme,
si nuse e re dhe si plakë e vjetër.
“””””””””””””””””””””””””
Të kam thënë e prap po ta them
asnjë grusht përpara hundës,
përpara turinjve
asnjë ultimatum,
asnjë shkëmb,
asnjë mur,
në marrëveshje,në ekuilibër,
pa ulërimën më të vogël
deri në pikën e fundit.
Në lëkurën e kohës ngjiten zvarranikë,
plehra të llojeve të ndryshme,
sadistë nëpër dhoma të errëta,
nëpër dyer të fëlliqura,
mazohistë me thumbim nga mbrapa,
mashtrues me fjalën brisk,
qelbësira që ngrenë gishtin si tehu i thikës
deri në fyt,
racë servilash,hipokritash
që shiten mbi dhe’ si shpëtimtarë,
majmunë që kacaviren trup mbas trupi,
pemë mbas peme,degë mbas dege,
litarë që shtrëngojnë qafën e butë e të lëmuar
të mjelmës që shndrit,
skile të intrigave makbethiane.
Me ta asnjë takim,
asnjë përshëndetje,
asnjë hedhje syri.
deri në grahmën e fundit,
asnjëherë palë me ta,
shikimin larg,
vështrimin deri në majë të Kreshtës,
deri tek ylli më i largët,
deri tek rrezja më e vogël që prek lindjen,
deri tek puthja e diellit me bregun e detit
n’perëndim,
afër deri në përqafimin nënë e bijë,babë e bir,
motër e vëlla,motër me motër e vëlla më vëlla.
Afër deri në fjalën e nderit
që shkëputet nga gjuha
përmes shtegut të buzëve
e bukurisë së gojës që qesh me sytë
afër fjalës që del,
pa hile,
pa dredhi!
Faleminderit- Bardh Leci 2021!