10.5 C
Tiranë
E shtunë, 28 Mars 2026

Dragusha Ndue

Sot, në Muzeun Historik Kombëtar, salla e madhe, Tiranë, me moderator shkrimtarin, publicistin e gazetarin e njohur, z. Albert Zholi, u zhvillua promovimi i tre librave të poetes Dava Gjoka Lleshaj, ku morën pjesë shkrimtarë, poetë, artistë, gazetarë etj. nga e gjithë Shqipëria. Në këtë promovim mori pjesë dhe artistja jonë e madhe, “Nderi i Kombit”, zonja Margarita Xhepa, e cila interpretoi pjesë nga krijimtaria e poetes. Pas promovimit, për pjesëmarrësit u shtrua dhe një kokteil. Gjithashtu, pas kokteilit, poetja, në nder të miqve të saj pjesëmarrës në këtë eveniment kaq të rëndësishëm, shtroi dhe një drekë, pasi kishte dhe ditëlindjen e saj.
Në këtë takim folën z. Ndue Dragusha (si redaktor i tre librave te fundit), Profesori i Nderuar, z. Përparim Hysi, poeti ushtarak, Mhill Marku, etj.
Përshëndetje të gjithëve,
Të nderuar pjesëmarrës,
E nderuara poete, Dava Gjoka,
Urime dhe suksese!
Gëzuar ditëlindjen Tuaj dhe të tre librave të tjerë me poezi!
(Dava ka botuar gjithsejt 4 libra me poezi: “Dallgët e jetës”, 2017, “Dhimbje dhe Mall”, 2022, “Kalimtarë në këtë jetë”, 2022, “Botë e pikëpyetjeve të mëdha”, 2022.)
Sot, në këto momente, jemi mbledhur së bashku për të “shuguruar”, për të uruar dhe përgëzuar një poete, e cila na befasoi të gjithëve me shpërthimin e saj poetik e si rrjedhim na dhuroi dhe tre libra me poezi, të cilat sjellin një kumt të këndshëm etik dhe estetik, si një shprehje e së bukurës në jetë dhe e ligjeve të pasqyrimit të saj në art.
Është inkurajues fakti që në ditët e sotme ka një “bum” krijimesh të niveleve, formave, zhanreve, gjinive të ndryshme, çka e pasuron fondin e letërsisë artistike kombëtare me prurje të reja. Kjo është rrjedhojë e shpirtit krijues të popullit tonë, por edhe e “çlirimit” nga censura dhe autocensura që imponohej dhe pengonte shpirtin e lirë të ligjëronte natyrshëm, me zërin e secilit.
Në krijimtari, shpirti është një parim ekskluziv i jetës, që na sjell ne deri tek forca shpërthyese krijuese, që zien brenda individëve të talentuar, për t’i dhënë shoqërisë një produkt motivues, nxitës dhe inkurajues.
Pikërisht tani, në radhën e krijuesve, vjen nga “mushti” jetësor i Bukmirës së Mirditës me tradita të vlerta kombëtare dhe poetja Dava Gjoka Lleshaj, e cila në përmbledhjet poetike të saj sjell, në mënyrë të koncentruar, lidhjen e realiteteve ekzistuese me botën e brendshme jetësore të krijuesit, si një përvojë jete dhe argument artistik me përplasjet, dallimet, relacionet, ndikimet, si një tërësi rastësore brenda jetës sonë, por që vendos rregull, ku forca shpirtërore nuk i imponohet realitetit, por i jep shpirt atij.
Poezia ka ritmin e saj, melodinë dhe bashkëkohësinë e saj, mbushur me vlerat e personalitetit të autorit dhe të kohës kur ajo shkruhet, duke mos shmangur dhe reciprocitetin e poezisë me lexuesin, ku poezia duhet të jetë e tillë që t’i “ngjisë” lexuesit dhe lexuesi të dijë ta shijojë poezinë dhe ky reciprocitet pëlqimi është një kusht dominant në marrëdhëniet e qëndrueshme të poetit me lexuesin, edhe përmes një diversiteti të madh kulturor të fjalorit emocional, mbështetur në vlerat e kulturës dhe të ndërveprimit social.
Nëse poetit i vjedhin disa të vërteta, që lidhen me frymën, shpirtin e frymëzuar, aftësinë për të idealizuar, dashurinë për të arritur tek shpirtërat e të tjerëve përmes fjalës artistike etj., si pasojë do të vjedhin edhe të vërtetën e dinjtetit tënd si krijues. Poeti duhet të futet tek shpirti i njerëzve në atë mënyrë që lexuesi të mendojë se çdo intrigë artistike e krijuesit është e tij. Kjo e bën poeten Dava Gjoka, poete me frymë shpirtërore frymëzuese dhe tërheqëse për çdo lexues.
Poetja Dava Gjoka Lleshaj përdor mjeshtërisht tropet letrare, si: metaforën, si një nga tropet kryesore poetike, krahasimin, kërkimin, si parim në themel të studimit të jetës, metoniminë, me rëndësi në përdorimin e gjuhës poetike, metrikën, si masë dhe sistem i rregullave, sipas të cilave ndërtohet vargëzimi dhe ritmi i poezisë, muzikalitetin poetik si një metrikë tonike etj. Të gjitha këto i japin jetë poezisë, rrisin vlerat e librave dhe ngjallin kërshëri për lexuesin.
Në librat e saja duket qartë vijimësia lineare e lidhjes së shpirtit të poetes me dashurinë, si forma më e lartë e paraqitjes së brendësisë së njeriut në raport me jetën e gjallë dhe aktivitetin.
Poetja, përmes paraqitjes së drejtpërdrejtë të argumentit, ndjek dhe linjat simbiotike të ndjenjave, mbi të cilat zhvillohet dhe lënda depërtuese brenda shpirtrave të lexuesve, si një llavë përvëluese brenda një dashurie të pastër, të sinqertë, argumentuese, në një deduksion harmonik me brendësinë e poetit dhe të lexuesit, duke arritur që në poezitë e saja të ketë frymë, moral, përplasje dashurie, intrigash, dhimbjeve që sjell emocione, mall, dashuri, krijon raporte të reja me dashurinë në krijimtarinë e saj, të shprehur brenda këtyre librave, dashuri e cila esklamon shpirtin e njerëzve për ta vlerësuar dhe rikthyer në shinat e filozofisë së ndjeshmërisë së lartë, përmes detajeve unike historikisht të provuara dhe të pranuara, jashtë ndotjes morale dhe celebrimeve aventureske të dashurive pa sens, pa shpirt, pa ndjenjë.
Në mënyrë konstruktiviste, ajo aludon mbi zhvillimet e shkencës dhe teknikës, si një domosdoshmëri që koha e sjell para një bote të re globaliste, por ajo paralajmëron lexuesin dhe për pasojat negative të këtij zhvillimi, nën të cilin mund të vdesin dhe disa vlera morale të shoqërisë njerëzore.
Gjithashtu ajo prek dhe plagët shoqërore, siç është emigrimi, i cili bëri të derdhen shumë lotë nënash, motrash dhe grashë, kriminalizimi kanunor i gjakmarrjes, gjuha e urrejtjes, denigrimi përmes thashethemeve, boshësia e të jetuarit pa ndjesi shpirtërore humane etj.
Poetja, si çdo qënie njerëzore, përmes ndjeshmërisë së saj artistike, i jep frymë realitetit, larg depresionit intelektual, për t’i dhënë lexuesit veç të vërteta, të cilat mund të njihen gjatë gjithë jetës dhe përvojës së secilit. Mjaft bukur, përmes dashurisë, përmes ngulmimit për të kuptuar realitetin, poetja sjell në vëmendjen e lexuesit, si një postulat i mirëfilltë, thënien e Jezusit se qielli u dorëzohet vetëm atyre që luftojnë për të.
Kjo mënyrë komunikimi, aftësisë për të thjeshtëzuar të vështirën dhe për ta bërë sa më të kuptueshme dhe të kapshme, poetja sjell poezitë e saja me një besim të plotë tek inteligjenca njerëzore për të arritur atje ku e vërteta qëndron dhe bëhet pjesë e veprimtarisë sonë në jetë.
Sot ka shumë rryma, shumë ndërhyrje në jetën e njeriut, kulturalisht apo “dhunshëm” në ndërgjegjen e njerëzve, duke “turbulluar” mendjet dhe duke i larguar njerëzit nga arti i vërtetë, nga një dashuri sublime, e cila kthjellon individin dhe shoqërinë dhe kjo është e veçanta e poetes, e cila bën të mundur të sjellë ato që ne i harrojmë: traditat e mira, zakonet inkurajuese, dashurinë e pastër, fakte këto që bëjnë të mundur që të kuptojmë se nuk janë opinionet ato që kanë vlerë më shumë se e vërteta, e dukshmja, e prekshmja.
Në ditët tona bëhet një diskriminim i së vërtetës ndaj ekzistencës, ndaj asaj që është e shenjtë dhe asaj që shihet si liri për të deformuar realitetet dhe mbi këtë bazë synohet të deformohen dhe të harrohen ato vlera që mbanin dhe mbajnë familjen, shoqërinë dhe bëjnë që proceset dialektike të jetës të shkojnë në drejtimin e duhur.
Janë pikërisht këto pikëpamje të shprehura në formën e artit poetik nga poetja, që i bën librat e saj mjaft të këndshëm, mjaft atraktivë, për t’i dhënë jetës një kuptim dhe motiv për të cilin ja vlen të jetosh dhe të gëzosh.
Në të tre librat e kësaj poeteje trajtohen temat e dashurisë për vendin, për natyrën, për komunikimin njerëzor pa diskriminim, për miqësinë e pastër, për vlera e cilësi patriotike e atdhetare, për pangopësinë e disa pushtetarëve, për të kuptuarit e jetës dhe administrimit të saj me shpirtin e së bukurës, sepse vetë jeta na ka kalimtarë dhe përpiqet të na ndërgjegjësojë se përballë këtyre motiveve, njeriu të gjejë motivimin e duhur për të krijuar një klimë dashurie, respekti dhe harmonie mes njëri-tjetrit: “Lum kush e kupton sa është gjallë,/ Se bota s’është e imja, as e jotja, / N’këtë jetë, t’gjithë janë kalimtarë, / E askujt nuk është as bota!” (Poezia “Në këtë jetë jemi kalimtarë”.
Gjithashtu, duke parë se mes brezash ka një lloj kundërshtie kulturore mbi mënyrën e jetesës, poetja shprehet: “Ti brezi i ri, çuditesh me të vjetrin, / Se sot je në ajër me internet. / Thua, janë përralla këto, me mbretin, / E nuk beson se është e vërtetë. / Eh, brezi im e brezi yt, / Ditën kur lindëm, njësoj kemi qarë. / Një lëmsh i madh m’është mbledhur në fyt, / Se bashkë kemi rrugën, por ecim të ndarë!”
Brenda këtyre tre vëllimeve poetike, poetja ka tentuar që të shtrojë dhe shumë ide lidhur me marrëdhëniet sociale, personale, lakmitë, keqdashjet, pangopësinë, vlerat e njeriut të mirë, shembulli i tij dhe motivimi, filozofinë mbi jetën dhe mënyrën e të jetuarit të saj etj., duke përdorur gjithnjë një gjuhë të moderuar, me një simbolikë të menduar mirë, me një muzikalitet poetik të këndshëm. Ajo di të përdorë me qartësi dhe në vendin e duhur tropet letrare, për t’i dhënë poezisë ritmin e duhur dhe ngjyrimin artistik të vlefshëm.
Prandaj, duke lexuar poezitë e poetes Dava Gjoka Lleshaj, mendoj se i shtojmë vetes tonë më shumë dashuri për jetën, për njeriun, për natyrën, për familjen etj.
I urojmë poetes suksese dhe lexuesit lexim të këndshëm!
Ju falënderoj për vëmendjen!
NDUE DRAGUSHA
Psikolog, poet & gazetar
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.