4.5 C
Tiranë
E dielë, 29 Mars 2026

Shoqata Kallarati

NJOFTIM PËR NDARJEN NGA JETA TË VETERANIT TË LUFTËS ANTIFASHISTE NACIONALÇLIRIMTARE, KALLARATASIT SEIT MAZE JONUZAJ.May be an image of 1 person
Kryesia e Shoqatës Kallarati dhe familja Jonuzaj njoftojnë se sot është ndarë nga jeta në moshën 94 – vjeçare veterani e ushtaraku i lartë i Marinës Luftarake, SEIT JONUZAJ, bashkëshorti i Poliksenit (ndarë nga jeta), babai i Gentianit dhe Sedatit, vëllai i Hadërit, Subiut, Ibros (ndarë nga jeta dhe Dhuratës.
Varrimi bëhet ditën e hënë, datë 25.07.2022, ora 12:00, në varrezat e Vlorës. Nisja e funeralit do të bëhet nga Lagjia “Uji i Ftohtë”, Rruga “Dh. Konomi”, mbi Kampin e Punëtorëve, Vlorë.
Seit Jonuzaj u lind në Kallarat të Vlorës më 29 janar 1928 në një familja me ndjenja të theksuara patriotike dhe atdhetare nga prindërit Maze e Xhevo Jonuzaj. I rritur në këtë ambient familjar të përkushtuar ndaj luftës kundër pushtuesve të vendit, përfshihet në lëvizjen nacionalçlirimtare, fillimisht si aktivist i rinisë antifashiste. Më 1944, në moshë fare të re, Seiti doli partizan në radhët e Brigadës 8-të Sulmuese, duke arritur me formacionet e kësaj brigade deri në afërsi të Vishegradit, ku e zuri urdhri i Komandës së Përgjithshme të UNÇL, që pionierët e formacioneve partizane të ktheheshin në Tiranë për të ndjekur shkollën ushtarake “Skënderbej”.
Pas mbarimit të shkollës ushtarake “Skënderbej”, në tetor 1947 u dërgua për studime në Akademinë Detare të Splitit, ku qëndroi vetëm një vit për shkak të prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë. Prej vitit 1948–52 studioi në Akademinë Detare “Kirov” në Baku të BRSS, kurse gjatë 1955-57 kreu kualifikimin pasuniversitar në fakultetin e lundrimit në Leningrad (Shën Petërsburg).
Ka kryer detyra të ndryshme komanduese në përbërje të Flotës Luftarake-Detare, në fillim si Komandant Anijeje, pastaj si Shef i Degës së Lundrimit në Komandën e Forcave Detare, si Shef i Shtabit të Brigadës së Anijeve Mbiujëse në Sazan dhe Shef i Shërbimit Hidrografik të Forcave Detare. Prej vitit 1972 e deri më 1985 ka qenë pedagog në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu” (1972–75) dhe në Akademinë e Detarisë në Vlorë (1975–85), ku, pas daljes në pension, ka vijuar si pedagog i jashtëm në Universitetin “lsmail Qemali” të Vlorës, si dhe detyra të tjera.
Ka lundruar në detet e Mesdheut dhe jashtë tij me anije ushtarake e tregtare (1952-1983). Ka udhëhequr ekspedita studimore hidrografike e hidrologjike në Adriatik e Jon (1964). Ka marrë pjesë si kryespecialist lundrimi në realizimin e çminimit të ngushticës se Korfuzit (1958). Seiti Ishte njohës i 4 gjuhëve të huaja.
Ai mbajtur një varg kumtesash mbi leksikun detar dhe mbi traditat detare të popullit shqiptar. Ka botuar, si autor e bashkautor, një varg librash në fushën e detarisë, si “Udhëzues lundrimi për detin Adriatik e Jon “Fjalor i termave të detarisë”, “Parandalimi i përplasjeve në det”, “Historia e Detarisë shqiptare në rrjedhën e kohës”, si dhe disa rregullore lundrimi etj. Është autor i shumë kumtimeve në tubime shkencore dhe i mjaft artikujve shkencorë të botuar në shtypin shkencor, si dhe i një fjalori 4-gjuhësh me mbi 8000 terma të detarisë.
Me daljen në pension Seiti nuk e ndërpreu aspak aktivitetin e tij shkencor e shoqëror. Ai iu përkushtua veprimtarisë shoqërore në lagje dhe në qytetin e Vlorës. Prej disa vitesh kreu detyrën e Kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të rrethit të Vlorës, vitin e fundit për shkak të moshës “Kryetar Nderi” i kësaj organizate.
Seiti e deshi shumë vendlindjen Kallaratin dhe iu përkushtua historisë, vlerësimit të luftës nacionalçlirimtare dhe figurave të tij. Për shumë vite ai ishte kryeredaktor i gazetës “Kallarati”, si dhe ka dhënë një kontribut mjaft të rëndësishëm në krijimin dhe funksionimin e shoqatës “Kallarati. Ka botuar libra dhe artikujt të shumtë kushtuar vendlindjes, datave historike dhe figurave të shquara të Kallaratit.
Ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në median e shkruar si në shtypin ushtarak, gazetën “Labëria” dhe shtypin në përgjithësi e në mediat lokale. Me punën e tij plot pasione përkushtim punonte që brezave të rinj tu transmetonte ndjenjën patriotike dhe atdhetare e dashurinë ndaj atdheut. Ndjenja kombëtare për të ishte mbi gjithçka. Ai ishte i prerë dhe kundërshtar i rreptë i atyre që donin të shtrembëronin historinë dhe të përbuznin luftën heroike të popullit shqiptar ndaj pushtuesve fashistë e nazistë.
Për kontributin e tij ndaj vendlindjes, Labërisë dhe qytetit të Vlorës, Seitit i është dhënë “Certifikata e Mirënjohjes” nga Shoqata Kallarati; “Mirënjohja e Labërisë” nga shoqata Labëria; “Mirënjohje e qytetit të Vlorës” nga Bashkia e qytetit të Vlorës. “Certifikata e Mirënjohjes” nga Shefi Shtabit të Përgjithshëm të FA; “Certifikata e Mirënjohjes” nga Ministri i Mbrojtjes, “Nderi i Organizatës së veteranëve të LANÇ-it” nga Kryesia e Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it, rreth 12 dekorata të luftës e të punës, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe autoritete të tjera të vendit, si dhe medaljen për pjesëmarrjen në luftën ndaj fashizmit, nga federata ruse, etj, vlerësime, të cilat ia hijeshonin gjoksin e tij.
Seiti përveç se një ushtarak i zoti, një veprimtar i shquar shoqëror, ishte edhe një bashkëshort i mirë, një prind i shkëlqyer, një gjysh i dashur, një familjar i rregullt e pa vese.
Seiti për shumë vite e kishte sfiduar moshën dhe ishte tepër aktiv në jetën shoqërore edhe pse në një moshë të thyer 94 – vjeçare, por ditët e fundit mosha nuk mundi ta përballonte sëmundjen, duke mbyllur për gjithmonë sytë. Ai u nda nga jeta fizikisht, duke lënë pas një emër të nderuar dhe një pasuri të madhe artikujsh, librash e studimesh të rëndësishme për ushtrinë, për luftën dhe vendlindjen.
Kryesia e Shoqatës Kallarati dhe kryesia e fshatit u shpreh ngushëllimet më të thella e të sinqerta, djemve Gentit e Sedatit, fisit Jonuzaj, nipërve dhe mbesave dhe gjithë të afërmve. Një ngushëllim të veçantë i shprehim Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të rrethit të Vlorës, të cilët edhe ata humbën një anëtar të denjë e të devotshëm të organizatës së tyre, humbën “Kryetarin e Nderit”
Qoftë i paharruar kujtimi dhe emri i Tij! U prehtë në Paqe!
Kryesia e Shoqatës dhe kryesia e fshatit të Kallaratit
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.