– kujtimit të Motrës –

Pa bie një mall më dredh në zemër,
Se paç një Motër që më iku,
Sa zë me të e luaj në ëndërr,
Më zë një vesë, laget qerpiku.
Si në një lojë me mbyllje sysh,
Diku u fsheh dhe më s’u gjet…
Oh, sa herë shoh shoqet e saj
Një dhembje çan si thikë e mprehtë.
Më mori malli, Motër xhani,
Ti ç’bën akoma, eja pak,
Të shohësh se si çeli mani,
Se si qershia u përflak.
Të shkojmë atje mes malesh tutje,
Ku ti më thoshje se është deti,
Ku është një peshk i madh, i kuq,
Sa një pallat i madh qyteti.
Ç’e doje detin aq shumë, Motër,
Ç’ia kishe kaltërsinë në sy,
Dhe unë sa herë tek deti shkoj
Pak det me vete marr për ty.
Po ti më ike, shoqe e bukur,
Moj leshraverdha, dritë e hënës,
Ti jetëshkurtra sa një flutur,
U bëre rrudhë në ballë të nënës
Ka zënë kjo dhembja të më meket,
-Tretet, shuhet…po a ka fund,
Se malli ende trazon degët,
Si bli i gjelbër degët tund.
Po ndoshta unë vetë nuk dua,…
Pak dhembje zemra le ta ketë,
Se pa atë, Motër moj,
Çdo ishim vallë në këtë jetë?!..