“ E etun, fluturoj të gjurmoj ândrrat e mbetuna peng, barrierave të krizave në kohë të shkuar…
pa marrë parasysh shuplakat e llastuara të të ftohtit, dhe fikjes së ditës në “paradhomën” e dëshirimit, për të marrë sa më shumë bukuri të virgjër në përqafimin e syve të mi…
– Është magjepse, liberalizimi i Zotave, në lindjen e krijesave të tilla, që kanë nji pushtet absolut joshës, mitik, ushqyes, kreativ…
– Në humbjen e përhumbjes, labirintheve të shpirtit, ehot e dallgëve të largëta, mbushin brigjet me serenata të dashurive të ngjizura nân shkumën e prekjes, dhe mbulohen puthjesh prej muzgut që digjet lëkurësh deri në eshtër…
– Plasariten të djeshmet, zbaticave të valëve
pa shtyllë kurrizore, deri në harrim…

e nji baticë e papërmbajtun, si bekim i padeshifruar përshkallëzohet mbi vetëdijen, trupin, fatin, dhe qesh diellshëm si për të thënë:- lumturia është si ti, e thjeshtë, pa komplekse, e lirë, e ajërt, si një vjeshtë e sapo dalun nga labërtatori i përsosmërisë…
– Dehem, dehjesh të stolive të natyrës, e dashurisht i përvetësoj në memorie, si relike portretizuese të stacioneve ku shpirti e ripërtërin veten, në format lindjeje…
19 nëntor 2022
L’Île Madame, Francë.
“”””””””””””””””””””””””
Ati jem u rrit me mortjen n’gji,
qyshse i vdiq i ati
në errsinën e shekujve…
Bijtë sot, hapin vorre lirike n’ikje !
Foto e poezia:- Pranvera Drita Gjoni
“””””””””””””””””””””
Në të linjtat e brishta t’vjeshtës,
bio-dinamika e idiomave t’D(r)itës
âsht’ fsheh nân sy, vesë e ylbere…
Horizontet heshtojnë mbi buzë, kulmet!
Foto e poezia:- Pranvera Drita Gjoni
“””””””””””””””””””””””””””””””””””
Burgut
të mendjes teme,
rromujë e çertifikueme
që në embrionin e dyfishtë,
ti i ke çelsin…!
Formateve plot vjeshtë,
më shtrëngon me puthje
nân tingujt e zâshëm
të shpirtit veshun llavë,
që t’kthehem në frymë
e t’digjemi të dy
krahëve lirik të diellit…
Burgut
tem të trungut,
brishtësisë së thyeshme
në djersitje ehosh,
duart dirigjojnë botën
mbi melodinë e qeshjes,
zbehun pritjes
nân çarçafët e erës…
Peisazhit të Mitit
pelegrinoj e dehun,
e në sytë e qielltë
mbytem e virgjun,
për të avullue
trandjet e ândrrave
gravue në librat e shënjtë…
Burgut
tem të lirisë,
ti më mban lidhë në ty…
Foto e poezia:- Pranvera Drita Gjoni