Me një mike e shoqe të vërtetë.
Është krejt e sigurtë se te ne, bashkëshortja e shokut konsiderohet si motër. Nuk ka anallogji tjetër që të mund ta bëjë më të kuptueshme këtë lloj mardhënje.
E mbërtheva këtë zonjën në foto fort prej krahu. “Tani, i thashë, nuk ke ku lëviz pa bërë një foto me “popullin”! Sepse tani nuk je më “e madhe”, nuk ke frikë se mos “komprometohesh”, por edhe ne nuk kemi frikë se të sulmojnë ata fashistët e “pardesy bardhëve” që të vunë eksploziv deri edhe te depua e shtëpisë”.
Qeshte kjo zonja, e duke u rregulluar pak i tha të vëllait përballë : “nxirna more me këtë Bardhulin një foto! Por kujdes se mos të bën ai telefoni frap me xixa e me drita. Se na kujtojnë sikur e kemi vënë festen mënjanë e tani “hazdisemi” me poza lumturie”…
* * *
Nuk e mbaj mend se si rastisi, kur udhëtoja bashkë me të dhe me djalin e saj para 3 vitesh nga Pogradeci. “Moj “zyshe” e pyeta, pash zotin pse u largove nga politika. Nuk më thua”? Më pa duke i “thartuar” pak buzët dhe mu përgjigj : “Të lutem tregoi pak Jonit (djali i saj) ato historitë e babit të vet. Të lutem”!
E po mirë. Fillova t’ja plotësoja dëshirën. Ndërkaq çuni dëgjonte e filloi të qeshte me gjithë shpirt, ku ku ku… Histori kantieresh, në kohën e rinisë time e të babit të tij, nga ato ku “rafsha mos u vrafsha”. Qëlloi që më hypi edhe një lloj frymëzimi komik dhe edhe pse ngjarjet ishin të vërteta, i zbukuroja “karagjozllëqet” e asaj kohe, kaq sa edhe “zysha” filloi të konkuronte çunin. Qeshte me lot.
Kur ju afruam Tiranës, u kthye plotësisht nga unë e më tha, “E more vesh se pse u largova nga politika…? Sepse mu bënë kaq e kaq vite që nuk kam qeshur ndonjëherë bashkë me djalin tim, sepse mu mpi koka nga njerëz të papjekur e jo të bindjeve të mia, u neverita me qaramanë e kamaleonë politikë që nuk vinin nga rangu i familjeve tona plot halle e që nuk u ankuan kurrë, sepse e urrej veten kur detyrohem të aprovoj diçka me të cilën nuk jam dakort as me veten time, sepse nuk duroj më të dëgjoj vetëm zi e vetëm sharje, shpifje dhe poshtërsi kundër vendit tim, sepse më vjen për të vjellë të shoh “patriotë” në dukje e armiq pas shpine… E more vesh tani”? Dhe ktheu kokën përpara.
Po si të mos e merja vesh këtë “nonsens” të Ermelinda Meksit, kësaj mikeshës time të jetës, kur edhe pyetjen thuajse e kisha formale?! Një grua e ditur, një shkencëtare e vërtetë, një personalitet politik si ajo, aftësia e të cilës ngrihej edhe përmbi thjeshtësinë shëmbullore me të cilën ka brumosur jetën e vet, nuk mund të pranonte të ishte një emër listash partiake, aq më tepër të asaj partie, e cila u themelua si një parti që mori përsipër të përmbyste përfundimisht gabimet historike, ta spastronte atë nga megalomania e “partisë shtet”, të përtërinte idealet e të shenjtëronte atë luftë për të cilën dhanë jetën 28 mijë djem e vajza të reja, për të kthyer lirinë, barazinë e vëllazërimin si një aspiratë te vërtetë për krejt shoqërinë.
Edhe pse rreth 10 vite më e re se unë, kam afro 40 vite që e njoh profesoreshën, qysh nga ato këshillat që i jepte mama e saj e mrekullueshme. Por e njoh mirë këtë shoqe e mikeshë të rrallë, këtë bijë të Mallakastrës heroike jo vetëm nëpër vizita familjare, por edhe kur udhëhiqte konkretisht ato demostratat popullore apo grevën e vërtetë të urisë, nëpërmjet të cilave reagonte e nuk i bënte syri dritë kundër spiunëve e xhelatëve të regjimit të ndyrë të viteve 96-97 i cili kërkonte të mbyste gjithëçka në gjak e me helm.
E pikërisht pse e njoh kështu, e kam krejt të qartë se pse në këtë vendin tonë gjërat nuk shkojnë siç duhet. Sepse kërkojmë njerëz të mirë e përparimtarë dhe ata i kemi parasysh, por nuk dimë ti mbajmë e ti ruajmë si vlera kombëtare. Kërkojmë zëvëndësues për këta “rrangullinat” e sotme që kanë zënë rrënjë nëpër tavolinat e kalbura të pushtetit të prapambetur, e harojmë se asnjëherë nuk do ti gjejmë. Sepse i kishim e i kemi, i takojmë çdo ditë, por nuk i dallojmë, nuk i “duam”. Sepse nuk janë nga ata që ulërijnë, që i bien podiumeve me grusht e me shqelma, që shajnë para e mbrapa. Sepse “duam” vetëm nga ata me koka pallaboks, nga ato me kauçuk buzëve e hundëve, me vila periferike e me kanale televizive, duam idjotë e të mangët nga karakteri, sakatë nga morali, të “vdekur” nga shpirti e akull nga zemra.
Iku brezi i “zyshës” edhe pse janë në maksimumin dijeve, eksperiencës dhe të pjekurisë politike, edhe pse bota e qytetëruar i vlerëson si kapital të çmuar. Iku brezi i profesoreshë Ermelinda Meksit, iku ashtu pa u ndjerë, por duke lënë prapa një vakum tepër të dhimbshëm për shoqërinë. Iku ajo e bashkëluftëtarët e saj në “punën e tyre”, në qetësi e në paqe, duke u përcjellë me “lule”. Por me “lule” nga ato artificialet e djallëzisë politike, ato që e zbrazin edhe më tepër vakumin që krijon kur ikën e mira dhe trimëria, për ta mbushur shpeshë me shërbëtorë frikacak e paçavure nga ata që ndërojnë partitë si atë “buçet” kazanët e plehrave.
I keni përpara edhe sot këta lloj qënjesh të mjera, që ruajnë si hijena të gllabërojnë privilegje e poste, fonde dhe shpërblime kriminale. Dhe nuk kanë “gabuar” jo. Aty i keni. Edhe nesër aty do t’i keni. I dëgjoni e i shihni përditë, ish ministra, ish drejtorë e ish ambasadorë, morracakë të pështirë, halabakë që “për inat të sime vjere”, shkojnë e futen në shtratin e vrasësit të shqiptarëve, të hajdutit me bllokun me bilanç.
Iku kjo gardë politike e Ermelindës, garda e luftës për të drejtë e për barazi dhe bashkë me ta ikën përfundimisht edhe partitë, këto bashkime vullnetare që u kthyen në identitete biznesi e interesash familjare, iku çdo shenjë e fuqi përbashkuese, iku ajka e inteligjencës, ndërgjegja patriotike, guximi qytetar.
Shumë mirë. Më mirë kështu. Sepse nuk ka pse të hiqemi e të bëjmë si të habitur se pse sot nuk gjinden persona të denjë, për të zëvëndësuar “më të mirët e të këqinjve”. Sepse kështu e kuptojmë tamam se e keqja që i është ngjitur këtij vendi, egoizmi, protagonizmi individual, tarafi dhe lufta e paskrupullt për pushtet, nuk erdhi befas e brenda një dite, por ditë pas dite e në sy të të gjithëve, nën degradimin ndërgjegjes “tonë” politike dhe nën “frymëzimin” partive, në flamurin e të cilëve nuk ka mbetur më shenjë përveç hijes të parasë këllirë, poshtërimit ekonomik të popullit dhe të përçarjes të tij. Më mirë kështu, sepse askurrë nuk mund ta shpresosh të ardhmen pa njohur veten, të vërtetën dhe realitetin tonë të hidhur …
* * *
– Pushoi shiu o “shefe”. Po iki unë se e lashë “kallaballëkun” pa bukë. Mirupafshim.
– Mirupafshim e të fala… Aman o Bardhi, e mban mend kur na bënte Shpresa (ime shoqe) ato turshitë e mbushura aq të mira elbasanase?
– Posi nuk e mbaj mend!? Eh …, por atëhere nuk mereshim fare me politikë oj “zyshe”.
– Atë thuaj … Të fala shumë.