6.5 C
Tiranë
E premte, 27 Mars 2026

Rovena Shuteriqi

Përshëndetje miqtë e mi të respektuar! Meqenëse jemi në ditë festash, atë të fitoreve ndaj pushtuesve, flamuri ynë kuqezi ka rolin kryesor, atë të simbolit të vendit tonë, të shqipeve të pamposhtura që luftuan me vetëmohim në çdo epokë të historisë shqiptare. Sadoqë u përballën edhe me vdekjen, nuk e mohuan kurrë, se ata i përkasin vetëm çështjes së kombit shqiptar, vetëm lirisë dhe pavarësisë ndaj barbarëve pushtues. Me këtë rast, dua t’ju ofroj për lexim, qëndresën e personazhit tim të librit historik/artistik “Nëpër breza me idealin lirisë”, atë të Lemës (Muharrem Kryeziut)

Gëzuar për shumë vjet 28-29 nëntorin!

Gjithashtu jam krenare që jam mbesë e Ymer dhe Aleksandra Zenelit, të cilët qenë pjesëtarë në Luftën Nacional Çlirimtare, në Luftën e dytë botërore.

Edhe pse qielli sterronte, edhe pse thundra serbe shkelte eshtrat e një kombi që dhimbnin deri në shpirt, një rreze dielli shpoi dritaren e qelisë.

I burgosuri i birucës shikonte i habitur lojën e rrezatimit të diellit në atmosferën e lagësht të dhomëzës së ftohtë që të përcillte mornica deri në ashtë.

—Si është e mundur që po ndriçon dielli më shumë se kurrë?!- do vetëpyetej i dënuari. Mos ndoshta planetët kanë ndërruar vendet dhe Toka i është afruar më shumë Diellit?!

Fërkoi sytë me dorë sikur donte të zbonte vegimin që po i shfaqej si një reklamë e teknologjisë shkencore.

Zhurma gërvishtëse e portës së hekurt të qelisë, e cila mbante në shpatulla histori ngjethëse torturash nga më të ndryshmet, u hap rëndshëm, duke e shkundur nga iluzionet që e kishin kapluar të tërin. Kthen kokën me ngadalë, sikur të mos donte të humbte ato skena të magjishme që i ishin shfaqur papritur pak më parë. “Jo, jo! S’kishte mundësi! Para tij qëndronte madhërishëm, ai. Ai, që kishte vënë në dyshim forcën burrërore të kaq e kaq milicëve serbë. Ai, që s’ishte dorëzuar asnjëherë edhe pse vdekja i ishte kanosur sa e sa herë. Ai është shëbëlltyra e forcës, guximit, e luanit që mbijeton i vetëm edhe në xhungël. Ai me shtatin e tij të lartë, u jepte fantazinë e një mali që nuk tutet nga asnjë tërmet, asnjë fuqi natyrore. A ka mundësi të futet mali në një birucë të vogël, ku as rrëzët e tij s’kanë vend të shtrihen?!

Po, mor po! Ishte vetë, ai! Plaku i mençur i maleve, baca Muharrem Kryeziu!

Aty tek tëmthat, pranë vetullave, fjolla gjaku lëshoheshin si vetëtimat që lajmërojnë kohën e keqe.

Mezi merrte frymë dhe lotët i ngatërroheshin me frymëmarrjen.

Dera pas pak oshëtiu sërish nga një shkelm i fuqishëm që sa gati-gati nuk e rrëzoi.

Hyri një bishë e zezë serbe, një kriminel afro të 35-ve, i shkurtër, pa pikë bukurie dhe si i xhindosur, ulëriti duke iu drejtuar Lemës:

-Çohu dhe shkele!

Përpara gjunjëve të bacës, u shpalos butësisht, shqiponja dykrenare mbi fushën e kuqe të flamurit. Pranë tij, qëndronte si një kodër e vogël e mbuluar nga bora, qeleshja që burrat e malësisë e kishin për nder dhe krenari kur kokën u hijeshonte. Me duart që i dridheshin nga zemërimi dhe lotët që i vareshin në zgavrat e syve, mori flamurin shqiptar, e vendosi mbi pëllëmbët e mëdha dhe të rreshkura, dhe aty ku loti pikoi, e puthi.

Psherëtiu thellë në shpirt dhe mblodhi gjithë forcat duke u ngritur mbështetur në gjunjë.

U përkul edhe një herë përpara flamurit dhe tha:

– Qe besa, shqiptari përulet vetëm para Zotit, dhe zot për të, është flamuri! Është atdheu!

Po ku di ti more xhandar se ç’është flamuri dhe vatani!?

Në këtë çast, shkjau e goditi me kondakun e pushkës.

Sakaq, bacë Muharremi u shtri përtokë i mbuluar nga flamuri i kuq mbi gjoks. Dukej sikur u përqafuan të dy për të mos u ndarë. Dukej sikur shqiponja u ringjall prej frymëmarrjes që ngulmonte të dilte prej gjoksit dhe donte të fluturonte së bashku me shpendin kryelartë duke prekur majat e bjeshkëve që oshëtinin nga thirrjet e luftëtarëve shekullorë. Pra, mes atyre luftëtarëve patriotë që jepnin edhe jetën për atdhenë, rreshtoheshin edhe trimat e kullës së Kryezinjëve. Kullë, që dinte t’u bënte ballë çdo pushtuesi gjakatar.Mund të jetë një imazh i 1 person dhe në këmbë

“””””””””””””””””””””””””””””””””””””””

E nëse fati do më degdisi larg e më larg,

s’do dua, jo, t’harroj vendin, ku kam lerë.

Me kujtimet për të, ëndërrat do stivos,

do puth një nga një çdo detaj, që ëmbël më flet.

Vjedhurazi do vizitoj odat nga çdo anë

Do rrëmbej zakonet që zonat na ofrojnë

Me to do mitëzoj çdo legjendë të pashkruar ende,

do nderoj emrin e të paharruarve heronjë.

Do vrapoj lëndinave dhe bjeshkëve të larta.

Do kërkoj kroin me ujin më të kulluar.

Një tingull fyelli do më fluturojë ndër male,

atje ku shqiponja, ndërton folenë qëndrestare.

Do ulem këmbëkryq me burrat e besës

Do ndez një cigare në kujtim të të rënëve

Do u jap fjalën, se kullave, do jem si çiftelia,

që rri varur, në pritje të këngës legjendare.

Me gratë trimëresha që sfiduan çdo kanun,

do ngjesh plisin e bardhë si bora,

me fustanellat që flladi lehtë na përkund,

do përcjellim erën e dashurisë, nëpër oda.

Do ç’ngujojmë të rinjtë, të zvenitur nga mungesa e diellit.

Do u terim lotët, që shpirtin u kanë mbytur.

Hapat e parë drejt dritës së ditës,

do i bëjmë pa armën mbi supin e rënduar.

E lodra do oshëtijë prej haresë,

djemurinë do ftojë të marrë vallen e shqipeve,

Falja e gjakut nuk është kaq e lehtë,

sepse nënat që vuajnë, e dinë, se hasmëria vret.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.