6.5 C
Tiranë
E premte, 27 Mars 2026

Bibë Kaza

In Memoriam, GËZIM LILO
SAKRIFIKOI JETËN E TIJ PËR T’IU DALË ZOT JETËS SË USHTARËVE DHE DETYRËS, ENDE I PAMIRËNJOHUR NGA
Sa shpejt i’u ngjite Qiellit dhe bashkove përjetësisë, Gëzim i dashur! Dhe kur, se? Bash kur jeta qe bërë për Ju më e dashur e joshëse se kurrë! Bash në zenitin e djalërisë, kur pate gjetur dashurinë e jetës dhe kishit nisur bashkërisht të gëzonit frutin më të ëmbël të lumturisë – engjëllin me të cilin i’u bekoj Krijuesi, madje pa pasur kohë t’i shijoje mirë as aromën dehëse – bekimit magjepës të çdo prindi!
* Sapo bashkëkrijuat folezën tuaj të ngrohtë dhe nisët t’u jepnit jetë ëndrrave vetiake, prindërore e familjare! Sapo patët marrë për dore krijesën tuaj, veçse 4-vjeçare, për në institucionet parashkollore, me përfytyrimin që të niste shpejt fluturimin udhëve të dijes e jetës, pa të lënë kohë detyra ushtarake dhe përkushtimi yt për të, që qoftë edhe vetëm gjatë këtyre aq pak viteve, të kishe ndonjëherë kohë të bollshme të lozje a flisje, siç t’a donte zemra Ty me tët bir, apo yt biri me babain! Pa le t’i flisje për ëndrrat tuaja në sirtar, apo të dëgjoje për dëshirat e para a ëndrrat që po nisnin të merrnin formë e harliseshin tek yt bir…!Mund të jetë një imazh i 1 person
* …Por ka djemë apo burra në moshë djaloshare, aq fisnik e të virtytshëm si Ty Gëzim, që për të mbrojtur jetët e djemve të tjerë që nanat t’i kishin besuar Ty, Ushtrisë, Atdheut, pa hezitim a ligështim, përmbahen e vetëtimthi ç’vendosin vemendjen nga fragmenti parajsor familjar që po përjetonin dhe përmes, por edhe në emër të simfonisë së ndjenjave e të imazheve të tyre më magjik e frymëzues, siç kishe Ti ato të Ermirës dhe Ermalit, atyre që të falën jetën dhe motra-vëllezërve, zgjedh, sikurse Ju zgjodhët, të luftosh për të kursyer djemtë e tjerë të nënave, jetët edhe më të njoma të tyre, se kështu e kërkonte formimi yt njerëzor, nderi, detyra dhe misioni për të cilat ishe betuar!
Ja pse edhe vetë besa e betimi nderohen me Ju!
🔹 Kush ishte Gëzim Lilo(a) për ata që nuk e njohën së afërmi?
Gëzimi e pa për së pari dritën e Diellit në fshatin Radanj të Leskovikut, më 9 të Shkurtit 1957, në një familje të thjeshtë, por të nderuar, me taban të shëndosh popullor e kombëtar dhe tradita e kontribute atdhetare. Babai i tij, Beqir Lilo pati qenë nga të parët në krahinë që hodhi pushkën krahut dhe u rreshtua si partizan aktiv në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Fillimisht në batalionin “Hakmarrja” me komandant Petrit Dume, duke u inkuadruar më pas në radhët e Br14S. Për trimërinë dhe kontributet e dhëna në beteja të veçanta kundrejt pushtuesve nazifashistë, babai ishte vlerësuar e nderuar me dekorata, sikurse nuk u kursye së kontribuari edhe pas çlirimit në sektorë të ndryshëm të rindertimit dhe ekonomisë së vendit.
Edhe pse shtëpia e Beqir e Hajrie Lilo ishte rinuar, zbukuruar e gumëzhinte nga zërat gazmore të 5 fëmijëve të shëndetshëm, 3 motra e 2 vëllezër, prindërit i’u gëzuan aq shumë të gjashtit, si të ishte i pari. Ndaj edhe e pagëzuan me emrin Gëzim. Dhe fatmirësisht, ai Gëzim që përkundi dora e nënë Hajries u bë vërtetë gëzim e promotor i të mirës në familje, punë, shoqëri e kudo, duke mbimerituar bekimin për gjirin e nënës!
I rritur në një mjedis të shëndetshëm atdhetar dhe i mëkuar me virtyte e vlera të çmuara njerëzore, pasi kreu suksesshëm dhe me rezultate shumë të mira arsimin fillor e tetëvjeçar në vendlindje, Gëzimit i lindi dëshira dhe jepet mundësia të vijoj arsimimin në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, gjatë viteve 1972-’76 në degën mekanike. Pas stazhit njëvjeçar të punës, të cilin Gëzimi e kreu suksesshëm në Hidrocentralin e Fierzës, Ai vazhdoi zellshëm studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, tashmë në specialitetin e xhenios. Të dy shkollat nën uniformë ushtarake, Ai i kurorëzoi me përgatitje sistematike serioze, sjellje shembullore, rezultate shumë të mira dhe respekt të epërm, jo vetëm ndër shokë.
Stazhin për oficer si komandant toge “Moli” e kreu në batalionin autonom të Urave të Lehta në Kavajë dhe po aty dhe në atë detyrë, u emërua edhe si oficer aktiv xhenier, pas titullimit si i tillë me urdhër të ministrit të Mbrojtjes dt. 18.05.1981.
Edhe pse larg Kolonjës së tij dhe njerëzve më të dashur, Gëzimi u miqësua shpejt me Kavajën dhe qytetarët e saj. Madje shpejt u njoh dhe më pas u dashuruan me vajzën kavajase Ermira, me të cilën lidhen në martesë në vitin 1982. Po në Kavajë, në Gosë, ku ishte e martuar edhe motra e dytë e Gëzimit, Lumturia, qifti i ri do të bënin dasmën e tyre. Dhe dashuria e tyre u bekua e kurorëzua me 25 maji 1983, me ardhjen në jetë të frutit të ëmbël të dashurisë së tyre, djalit, të cilin e pagëzuan Ermal. Jeta fitoi një dimension të ri, edhe atë të prindit të lumtur, teksa zemrat e dy prindërve të ri, të mbushura me gëzim e dashuri, u ngjanin me male.
Ashtu siç Gëzimi i jepte jetës vetëm pozitivitet e mirësi, me të njëjtën monedhë, edhe jeta po tregohej aq bujare dhe e dashur me Atë në këtë fillim karriere ushtarake. Në detyrë e për shkak të saj, u njoh, ndau eksperienca e u miqësua qysh në fillim me kolegë e shokë plot vlera, si Zabit Çuku – shef shtabi batalioni, Jorgji Çeku – komandant kompanie, si dhe Myslim Topalli – komisar i batalionit, me të cilin fatmirësisht punoi më gjatë e mundësoi konsiderata më të thella.
Dita – ditës Gëzimi u bë oficer specialist i zoti për përgatitjen e efektivave dhe ndërtimin praktikisht të pikave të kalimit dhe të mbështetëseve bregore që luajnë rol kryesor në sigurinë e lidhjes dhe peshëmbajtjes së urave me gjatësi të ndryshme. Në harkun e 6 viteve që ushtroi këtë detyrë, denjësisht përkrah kolegëve të tjerë xhenier me përvojë, Ai mori pjesë e kontribuoi në ndërtimin e disa pikave të kalimit me lundra, si dhe ura të tonazhit 12, 24 e 50 mbi lumenjtë Shkumbin, Vjosë, Drin e Mat në Shkopet, si dhe Lanë në Tiranë, apo misione të tjera të vështira të Xhenios, pa asnjë ngjarje të jashtëzakonshme. Falë aftësive e sidomos personalitetit për të cilin e admironin vartësit, kolegët, por edhe komuniteti në ndihmë të të cilit kreu detyra, suksesi dhe vlerësimet nuk i munguan asnjëherë. Ndaj me optimizëm dhe energji të shtuara, Ai vazhdoi të shërbej me përkushtim e devocion, në marrëdhënie të shkëlqyera qoftë me kolegët, ashtu dhe me vartësit e eprorët, i thjeshtë, i ndershëm, i drejtë, modest, i mirëkuptueshëm e i durueshëm, gjer në admirim, deri në natën e 25 Nëntorit 1987, kur gjatë shërbimit 24 orësh të oficerit roje, për të shpëtuar jetën e një ushtari të shërbimit si dhe repartin nga djegja, mori vetë plagë të rënda djegje, të cilat i kushtuan jetën, ende pa shijuar mirë gëzimet kulmore të jetës, kur sapo kishte lënë pas vetëm 30 pranvera.
Por, edhe pse çasti e detyra e thirrën të bëhej qiellor dhe të fitojë aq parakohe përjetësinë, Gëzimi vazhdon të jetoj mes nesh. Ai jeton jo vetëm në mendjen e zemrën e më të dashurve, përfshi atij që i shpëtoi jetën, në kujtesën më të mirë të kujtdo që e njohu së afërmi, por jeton edhe në nipin e tij që trashëgon emrin aq të nderuar të gjyshit – Gëzimin e vogël të Ermalit, që po rritet me dëshirën për të trashëguar vlerat e Gjyshit.
🔹Portreti i djaloshit që nuk shlyhet nga kujtesa më e mirë e shokëve
Rasti e fati e solli që me Gëzimin të takoheshim e njiheshim plot gjysmë shekulli më parë. Dëshirat apo mosakordimi i ndonjë burse më të mirë, bëri që mes qindra moshatarëve 14-15 vjeçar, edhe ne të dy, njëri nga rrëza e Gramozit në Kolonjë e tjetri nga këmbët e Malit të Shenjtit në Mirditë, të vishnim uniformën e gjelbër dhe nisnim udhëtimin, sa sfidues, privues edhe të bukur, atë skënderbegas. Por, ndërsa uniforma ushtarake e begsit, që shpejt na pëlqeu dhe imponoi dashuri, ishte e njejtë – përjashto masat, Gëzimi, që i kishte frymuar mushkëritë me ozonin dhe ajrin magjik të Gramozit, dallonte nga shokët edhe për trupin e bëshëm e të lidhur, në shtatin e të cilit uniforma fitonte tjetër hijeshi. Meritë kishte natyrisht edhe fytyra e tij e rregullt, mjaft e ëmbël dhe e këndshme, ku sytë e tij bojëqielli rrezatonin vetëm mirësi e miqësi prej shoku të mirë, gjithë mirësjellje, të ndjeshëm dhe të gjendshëm, si në fundgushtin 1972 kur u ngjatjetuam së pari, edhe në majin ’81 kur titullimi oficer dhe detyra na ndanë e larguan fizikisht nëpër Shqipëri.
Edhe pse nuk u caktuam në një klasë e specialitet, Unë në ndërtim, kurse Ai në mekanike, veç mësimit, në kohën e veprimtaritë e tjera përgjithësisht ishim bashkë, përfshi edhe klasën e degës Radio. Shpejt e natyrshëm Gëzimi nisi të afrohej e miqësohej me të gjithë shokët, përfshi ne të klasave të tjera e të viteve më të sipërme. Me sinqeritetin djaloshar të moshës, të qenurit i sinqertë, i drejtëpërdrejtë dhe i hapur, aq sa edhe dëgjues i mirë, nxitës bashkëbisedimi, me atë miksimin e zërit të tij me një timbër a ngjyrë të veçantë, të gëzueshëm e të qartë, disi të hollë e kumbues, me buzëqeshjen natyrale të pandarë në sfond, si dhe humorin e këndshëm e me masë, me moton “një ditë pa qeshur, është një ditë e çuar dëm”, Ai të bënte për vete.
Dhe kjo jo thjeshtë sipas interesit për t’i qëndruar afër e mbajtur mirë me më të fortin, pa përjashtuar raste e individë, me apo pa sindromin e kapo-ve. Pasi Gëzimi, aq sa i fuqishëm e kampion ishte fizikisht, edhe më kampion ishte si njeri i paqtë, që asnjëherë dhe kundër askujt nuk përdori forcë fizike, madje edhe kur dikush i’a bënte borxh. Sekreti ishte se, sikurse duket djalë i pashëm nga foto-ja, hijeshia e pamjes së jashtme përmasohej gjithnjë e më shumë, sa më së afërmi e së brendshmi t’a njihje Atë, sa më shumë të eksploroje e shijoje panoramën njerëzore të tij, temperamentin, cilësitë e vlerat e trashëguara, kultivuara dhe rritura bashkë me Gëzimin, thjeshtësinë, çiltërsinë, zemrën e bardhë e shpirtin aq të mirë, fjalën e komunikimin aq të ëmbël, që rridhte kujdesshëm thuajse gjithmonë, nga një gojë e fytyrë e ëmbël, që edhe kur fliste me seriozitet a nerva, ne shokëve të tij na projektohej në sfond pozitiviteti, mirësia e buzëqeshja e tij aq miqësore e njerëzore.
Në aspektin mësimor, Gëzimi nuk kishte synim të bëhej nxënës a student ekselent, por ishte një nxënës e student i kompletuar me gjithë të mirat. Kjo sepse vërtetë rezultatet e larta në mësime janë shumë të rëndësishme, por, një kuadër i ardhshëm ushtarak, sidomos për kohën në fjalë, as nuk përgatitej e as nuk do punonte vetëm në laboratore kërkimore – shkencore, por do punonte më të shumtën e kohës me njerëz, sidomos ushtarë, të natyrave e interesave të ndryshme, me formime të ndryshme, madje edhe pa shkollë e me vese e deformime karakteri. Gjithashtu do punonte edhe për edukimin e stërvitjen e tyre, përfshirë gamën e aktiviteteve të tjera të jetesës (ushqim, fjetje, veshmbathje, higjienë, mirëmbajtje territori, furnizim, zbatim orari veprimesh etj.). Madje nga oficeri xhenier kërkohej i realizuar deri në një edhe plani i punimeve fortifikuese, pa ngjarje të jashtëzakonshme, me cilësi, kosto të ulët e kursim, etj, ç’ka mendoj se kishte të nevojshme shumë më tepër se vetëm rezultatet e larta në mësime. Studenti mund të jetë shembull për mësimet, por modeli i shembullorit është ai që përveçse lexon e mëson mirë, edhe më shumë se kaq, ka në shkallë të zhvilluar e avancuar edhe treguesit e tjerë që i lipsen të ketë kuadri i ardhshëm, ka një zhvillim harmonik shumë komponentësh, siç e posedonte edhe Gëzimi.
E përveç sa më sipër, Ai ishte edhe njeri e shok i mrekullueshëm me të gjithë – projeksion i urtësisë, i durimit e mirëkuptimit, i bekuar nga krijuesi jo vetëm për përmasat fizike – të zakonshme dhe fuqinë mbinormale, por edhe i paqtë e me një ndjenjë të këndshme humori, që çarmatoste këdo dhe madje ndihmonte në kapërcimin e situatave që krijonte të jetuarit në konvikt, për më tepër jeta ushtarake.
💧Shërbimi i fundit dhe vetëflijimi në krye të detyrës luftarake, për të shpëtuar jetë të tjera!
25 Nëntor ’87. Pasi përqafohet e përshëndetet, si ritual i mëngjeseve, me djalin dhe shoqen e jetës, teksa po mbyllte derën e jashtme, Gëzimi kthehet sërish tek ato, me ndjesën se, për shkak të shërbimit të radhës 24 orësh në repart, ato të dy do t’i mungonin atij deri të nesërmen pasdite. Ndaj dhe përqafimi duhet të jetë paaak më i ngrohtë dhe i dyfishtë, edhe për nesër në mëngjes, i’u tha atyre. Pastaj, si të kishte marrë energji të reja, Ai u nis nxitimthi për atje ku e prisnin puna, efektivi që drejtonte, kolegët dhe patjetër ai që do t’i dorëzonte shërbimin.
Koha rrodhi dhe në orarin e caktuar Gëzimi mori shërbimin e oficerit roje. Gjithçka nisi e po shkonte normalisht. Dhe dita e ftohtë e 25 Nëntorit i’a la vendin natës, teksa era disi e fortë dhe e ftohtë vazhdonte, si të ishte një natë dimri. Ftohja e motit kishte shtuar dukshëm konsumin e energjisë elektrike të popullatës për ngrohje, teksa linjat e rrjeti disi i amortizuar nuk mbanin. E teksa konsumi ishte në pikun e asaj mbrëmjeje, energjia shkëputet dhe errësira e natës shtrin pushtetin e saj gjithandej repartit, sikurse edhe në tërë zonën përreth. I menjëhershëm është reagimi i oficerit roje, për të siguruar vazhdimësinë e normalitetit të jetës e gatishmërisë së repartit. Për të siguruar ndriçim në zyrën e drejtuesit të repartit, që deri në mëngjes ishte oficeri roje, në centralin e ndërlidhjes dhe vendrojat e shërbimit, Ai urdhëroi ushtarin e gatshëm të ndizte shpejt fenerët. E ndërsa po priste të ndizeshin fenerët, Gëzimi shikon dritën e menjëhershme që u përhap nga flaka që kishte marrë feneri në dorë të ushtarit. Sakaq, për të mbrojtur vartësin e tij, fluturimthi Gëzimi afrohet, duke i’a marrë ushtarit rrufeshëm nga dora fenerin në flakë për t’a hedhur atë larg, jashtë dhe në vend pa rrezik. Ndërkohë më e shpejt ka qenë era e fortë që mbi rrobat e ngjeshura të shërbimit i ka përplasur Atij vajgurin, që s’mund të ndahej më nga flakët dhe që era ndihmonte të përhapeshin ato me shpejtësi. Përhapja vetëtimthi e flakëve mbi uniformën e mbërthyer të shërbimit: qillota teritali e qizme të gjata, rripi i kryqëzuar dhe i trashë i shërbimit, me të cilin mund të tërhiqej çdo makinë dhe rripi i pistoletës, bënë të paefektshme forcën e madhe fizike, duke favorizuar djegjen me nxehtësinë e lartë që çlirohej, sidomos tek kofshët…
Të tronditur nga ngjarja, shokët e Gëzimit të gjendur në repart dhe ushtarët e ndihmuan dhe e dërguan në spital të Kavajës e më pas në atë të Durrësit. Ditë më vonë transferohet në Spitalin Ushtarak, por si pasojë e djegjes së thellë, ndoshta edhe mungesës së kujdesit mjekësor dhe hallkave të zinxhirit hierarkik të amortizuar, nuk i’a doli t’u mbijetojë plagëve, duke ndrruar jetë më 30 Nëntor ’87.
Por, paradoksalisht, përkundër këtij akti aq fisnik e trimëror të Gëzimit, si bluzat e bardha ashtu dhe hierarkia e atrofizuar ushtarake, duket se kujdesit joefektiv të shfaqur gjatë ditëve kur duheshin angazhuar maksimalisht për t’a shpëtuar nga kthetrat e vdekjes, i mbivendosën edhe burokracinë e analizës, hetimeve e raportimeve jo të plota të rrethanave të ngjarjes së jashtëzakonshme, deri në frymëmarrjen e fundit dhe kalimin nga ana e tyre pa telashe të ngjarjes. Siç ka ndodhur jo rrallë, të vërtetën e merr me vete i ikuri, apo bëhet çmos t’i jepet atij me vete.
Është edhe kjo arsyeja që edhe pas 35 vitesh, ende nuk është vlerësuar institucionalisht akti aq human, i guximshëm e heroik i oficerit Gëzim Lilo, që passolli ndarjen e tij nga jeta në lule të moshës dhe kulm të shijimit të jetës, duke i mohuar Atij edhe në amshim, si dhe familjes së tij të përvuajtur vlerësimin e merituar për babain, bashkëshortin, djalin e vëllain që u vetëflijua në krye të detyrës!
Sidoqoftë, në sytë e dëshmitarëve okularë dhe atyre që e dinë të vërtetën, Gëzim Lilo e ka vetëvulosur me jetë e pakundërshtueshmërisht heroizmin e tij, me atë përpjekje aq të guximshme e humane në krye të detyrës, si të ishte prind i ushtarit në rrezik, duke mos ngurruar që trimërisht të rrezikonte të tijën, duke u ngjitur përjetësisht në nderin dhe krenarinë e shokëve, repartit dhe të Xhenios 101 vjeçare (me jo pak dëshmorë), si dhe u shndërruar në dritë të përjetshme, jo vetëm për shokun që i shpëtoi jetën dhe për familjen e tij, por për të gjithë ne të vdekshmit që frymojmë.
E ç’far akti tjetër më ekstrem e madhor mund a duhet të kryej heroi? Ç’far emri a parametrash të tjerë ka realisht heroizmi? Dhe heroizmit është luks i tepërt t’i kërkohet përsosmëria! Për më tepër, kjo e fundit tingëllon e pakuptimtë dhe perverse në gojën e burokratëve të molepsur, më “heroikja” e të cilëve është që s’begenisin të prishin rehatinë e krevateve apo zyrave shterpë, edhe kur tjetri lufton me zjarrin e jetën.
Gëzim i shtrenjtë! Në këtë ditë përkujtimi, me mall e dhimbje të pashmangshme për Ju edhe pas 45 vitesh, së largu jam shpirtërisht pranë atyre që i’u ke munguar më së shumti, Ermirës që, në lule të moshës, vazhdoi jetën me dashurinë e kujtimin për Ju dhe engjëllin 4 vjeçar – Ermalin, që të ngjan shumë në shtat dhe që ka gjithë të drejtën të krenohet me babain, që fati i’u privoj t’i gëzoheshit njëri – tjetrit, me Gëzimin e vogël që ka mësuar abc-në dhe reciton aq ëmbëlsisht për Gjyshin- engjëllin e tij mbrojtës, me shikimin drejt yjeve, ku përpiqet t’ju shëmbëllej, me motrën tuaj të dhimbsur Engjëllushe dhe vëllezërit e shtrenjtë Nazmiun, që vijon të jetojë në trojet ku lindët dhe shtëpinë që ndihmove edhe Ti të ndërtohej, si dhe Flamurin e dashur, të stabilizuar në Tiranë, pa harruar shokët tuaj të vërtetë, të përfaqësuar më së miri nga fisniku Myslym Topalli, duke vënë bashkërisht buqeta lulesh të freskëta tek banesa juaj e përjetshme, me mirënjohje dhe përulje para asaj që ishe dhe bëre, derisa çasti e detyra të sfiduan t’ju bashkoheshe engjëjve qiellor, sivëllau im Gëzim Lilo!
Paç amshimin e pasosur, atje ku t’u bashkuan ndër vite prindërit që i’u plasi zemra për Ty, por edhe motrat Lele e Lumturi dhe vëlla Bektashi në të 59-at!
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.