25.5 C
Tiranë
E shtunë, 2 Gusht 2025

Gjin Musa

SI  E  NJOHA   KOMANDANT  NDUEN

How we risked our lives to brag to Greece that we have strong aviation and  why we could not save the 11 geologists of Batra who remained under…”  Testimony of the former

    Isha ende shumë i ri kur dëgjova që një djalë nga anë tona, pra nga Dukagjini, drejtonte balonën. Kështu e quanim avionin aso kohe. Nuk e di pse kjo gjë më bëri përshtypje dhe më ngeli në mendje. Isha kurioz e doja ta njihja atë djalë malësie që kishte bërë një hap të tillë të rëndësishëm në jetë. Ishte e kuptueshme. Dukagjini e malësi të tjera, pavarëisht se kishin një të kaluar të lavdishme historike,   në ato vite po bënin hapat e parë drejt zhvillimit e në krahasim me zonat afër qyteteve kryesore ishin akoma shumë prapa. Prandaj fakti  që një djalë dukagjinas ishte bërë aviator, përbënte një ngjarje të rëndësishme. Mbase kurioziteti e dëshira për ta njohur vinin edhe për faktin që edhe tek unë kishte lindur dëshira të bëhesha ushtarak. Sa herë që në hapësirën ajrore, mbi ato bjeshkë që dukej se putheshin me qiellin, kalonte ndonjë avion, unë mendoja se piloti që e drejtonte do të ishte me siguri ai djali i Dukagjinit.Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

  Një herë pyeta babanë se mos e njihte pilotin e zonës sonë. Por ai më tha se kishte dëgjuar që ishte nga shtëpia e Gjon Marashit të Brashtës dhe asgjë më shumë. Pas pak vitesh  shkova në një ceromoni mortore në Dukagjin, sëbashku me babanë tim. Ishin kohët kur familja jonë kishte zbritur nga malet, në qytetin e Shkodrës. Ndërsa takoheshim e përshëndeteshim me dukagjinas që kishin ardhur nga fshatra të ndryshme të kësaj krahine, babai më njohu me një  burrë në zë në të gjithë zonën. Quhej  Kolë Micani i Brashtës. Me babanë tim ishin kushërinj. Më mbeti në mendje fakti që ishte nga Brashta. Domethënë nga fshati i pilotit dhe me siguri e njihte atë. Rrija në gatishmëri të gjeja një moment kur ai të ishte i lirë që t’i afrohesha e ta pyesja. Por ishte tepër e vështirë. Një burrë si ai gjendej gjithnjë i rrethuar nga burra të tjerë, me të cilët kuvendonte. Pastaj edhe ceremonia mortore procedonte në mënyrë të tillë, që gati nuk mbetej moment bosh. Në malësi këto gjëra duket sikur kanë një regji të shkruar, e cila respektohet rigorozisht. Rastin e gjeta kur po shkonim rrugës për në varreza. Në një moment që ai po ecte vetëm, disi i shkëputur nga të tjerët, unë iu afrova dhe i buzëqesha në mënyrë të pafajshme. Ai më vuri dorën në sup ngrohtë. Ky gjest ma largoi ndrojtjen dhe e pyeta për pilotin nga Brashta. Atij iu bë qejfi dhe filloi të fliste jo pa njëfarë krenarie. Dukej që në Brashtë të gjithë e konsideronin pilotin një çikë të shtëpisë së tyre. Ai më tha se piloti quhej Ndue Logu e ishte nip i Gjon Marashit. Pastaj më tha që ai kishte qenë nxënës e student shumë i mirë, që kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe që e mbanin si një ndër pilotët më të zot edhe në Tiranë. Kjo e rriti edhe më shumë tek unë dëshirën për ta njohur.

  Aty nga viti 1970 më caktuan efektiv të regjimentit të helikopterëve në Farkë. Një repart në rindërtim e sipër.  Arritëm nga darka në këtë repart, unë sëbashku me dy shokë të tjerë nga Shkodra. Një jete e re po fillonte për ne  dhe kurioziteti për helikopterët nuk na la të  flinim të qetë. Nuk kishim parë asnjëherë avionë apo mjete të tjera fluturimi në distancë aq të afërt. Kurse aty do të na jepej mundësia t’i preknim me dorë, t’i studionim, të fluturonim në hapësirën ajrore të Atdheut duke qenë në bordin e tyre. Prisnim të nesërmen që sa më shpejt të agonte e të shihnim ata helikopterë që ishin të mbuluar tërësisht, sikur strukeshin nga të ftohtit e dhjetorit. Më erdhi ndërmend fëmijëria në Dukagjin, ku herë – herë ashtu mbulonin kuajt për t’i mbrojtur nga ngricat. Kurse këta ishin “kuaj” fluturues si Pegasi.

   Sapo u zgjuam, bëmë fiskulturën e mëngjesit, u veshëm dhe po përgatiteshim për të ngrënë mëngjesin.  Afër grupit tonë  vjen një ushtarak shtatlartë, veshur me një gëzof prej meshini. Kurrë nuk e  kisha parë këtë uniformë. Tek po e admiroja, pa ja ndarë sytë, pyeta një shokun tim aty pranë që shërbente prej vitesh në këtë repart, se kush ishte ai oficeri.

    Kolegu buzëqeshi, më pa si me mosbesim dhe më tha:

–         Vërtet nuk e njeh?

–         Jo,- i thashë. – Nga ta njoh? Unë mbrëmë erdha për herë të parë në këtë repart.

–         Ky është Ndue Logu, pilot nga Dukagjini i Shkodrës. Ti e ke edhe patriot. – tha ai.

    Për disa momente nuk fola, por rrija si i stepur. Nuk ngopesha duke e vështruar atë burrë me një pamje madhështore nën atë uniformë që i shkonte shumë fizikut të tij. I lartë e trupdrejtë si një lis, ai e evidentonte edhe më shumë bukurinë dhe solemnitetin e uniformës së pilotit. Kur ecte kishte një hap që e dallonte nga të tjerët. „Tamam burrë dukagjinas“, mendova dhe u ndjeva i mbushur me krenari që e kisha nga zona ime, por edhe me hutimin e lumtur që tani do kisha rastin ta takoja e ta njihja nga afër.

     Lidhja e miqësimi me Nduen qenë më të shpejta e më të natyrshme nga sa e prisja unë. Sapo e mori vesh se isha nga Dukagjini, më afroi, duke ma larguar ndrojtjen dhe bisedat rridhnin të vrullshme e të zhurmshme si gurrat e bjeshkëve tona, gati nuk i linim kohë njëri – tjetrit të flisnim. Gjatë stërvitjeve e jetës ushtarake ishte i rreptë e korekt dhe më trajtonte si kolegët e tjerë, madje në shumë raste ishte më kërkues ndaj meje. Pastaj, në kohën e lirë, raporti vartës – komandant shkrihej si vesa e mëngjesit aty në fushën e heliodromit. Dilnim bashkë, shkonim të pinim ndonjë kafe a ndonjë birrë në lokalet e Tiranës. Cigaren e pinim të dy shumë, premtonim se do ta rrallonim apo do ta linim se na kërdiste nga lekët, por ishte një premtim që s’e mbajtëm kurrë megjithëse ishim burra Dukagjini. Me të ndamë momente gëzimi e hidhërimi, lodhje stërvitjesh e kënaqësi rezultatesh, shaka të moshës e probleme familjare. Padyshim, ndër momentet më të bukura janë edhe ato kur na qëllonte të fluturonim bashkë me helikopter.

 

 

                                    FLUTURIMI   I   PARË

 

 

 

                           

   Nëse nuk më gabon kujtesa, ka qenë një pasdreke shtatori, kur dy pilotët e gatishmërisë Et’hem Mehmeti dhe Ndue Logu do të ngriheshin për një fluturim prove (oblot) të një helikopteri që kishte dalë nga shërbimi (metani). Ata po flisnin me njëri – tjetrin, duke bërë përgatitjet e fundit. Përnjëherësh më lindi dëshira që të shkoja edhe unë me ta, të provoja fluturimin me helikopter. U afrova pranë tyre dhe ashtu me pak marifet i drejtohem komandant Et’hemit, pasi e kisha edhe komandant  skuadrilje:

   – Komandant, ta provoj sot fluturimin, me dy komandantë  të sprovuar në shumë detyra të vështira?

    Ndueja buzëqeshi ashtu siç e kishte zakon dhe me kokë i jep miratimin Et’hemit. U gëzova dhe jo pa emocion u ngjita me ta në bord. Helikat e helikopterit filluan rrotullimin. Çdo gjë ishte gati  për fluturim. Sipas rregullores, firmoset libri i fluturimit. Në helikopter futet edhe tekniku  Pandeli Zhupa, i cili do të ndiqte funksionimin teknik të helikopterit në këtë provë kolaudimi pas riparimit. Pandeliu ishte djalë i mirë e teknik i zoti. Pas disa vitesh do të binte në krye të detyrës, në  tragjedinë e Llogarasë.

    Me kuriozitet afrohem pranë  dy pilotëve, në ndenjësen pas tyre,  për të parë çdo manovrim gjatë fluturimit. Gjigandi prej hekuri, me zhurmën  e tij të  lemerishme fillon të lëviz. Unë vështroj nga dritarja, me sytë të  fiksuar poshtë.  Shtëpitë fillojnë e zvogëlohen në sytë e mi, rrugët duken si  vijat e një harte të gjelbëruar. Qyteti i Tiranës, që shihej si në pëllëmbë të dorës, mbetet nga e djathta jonë. Kodrat e Saukut, liqeni artificial me pejsazhin e bukur përreth e pastaj ngjitemi më shumë në lartësi. Poshtë nesh shfaqet kalaja e Petrelës. Aty pilotët bëjnë një viratë për të marrë kthesën e helikopteri anohet sikur do të përmbyset.

     – Frikë? – më   pyet Ndueja pas kësaj manovre.

      – Aspak, – i përgjigjem. – Jam me dy pilotët  më të mirë që ka regjimenti.

      Fluturimi vazhdon dhe pamjet nga ajri janë për mua të një bukurie të  paimagjinuesheme. Sidomos me helikopter, gjërat shihen  si në pëllëmbën e dorës. Ngjitemi akoma më lart e kalojmë sipër malit të Dajtit. Sytë më zënë antenën e lartë të televizionit shqiptar dhe më erdhi ndër mend një numër i madh shkrimesh në gazeta që u shkruan atëherë për specialistin kinez Çen Pao Y, që pat rënë në krye të detyrës për montimin e asaj antene. Xhiroja vazhdon për njëfarë kohe mbi terrenin malor. Tekniku Pandeli Zhupa ishte tepër i përqëndruar në ndjekjen e manovrave dhe të çdo zhurme të motorit e herë pas here buzëqeshte në shenjë pohimi që çdo gjë proçedonte mirë teknikisht. Pilotët morën rrugën e kthimit e sërish pamë kryeqytetin, në njërin krah kishim Varrezat e Dëshmorëve të Kombit me përmendoren e lartë të Nënës Shqipëri dhe nga ana tjetër Kombinatin e Autotraktorëve, që thuhej se në rast lufte mund të përshtatej përnjëherësh për prodhimin e tankeve. Dielli po i afrohej perëndimit e horizonti kishte marrë një ngjyrë të kuqerremtë.

    Pilotët  flisnin njëri me tjetrin, si dhe  me vendkomandën e fluturimit.

   -Çdo gjë në rregull? – pyesnin nga vendkomanda.

Mund të jetë një imazh i helikopter dhe ambiente të jashtme

   -Po, çdo gjë në rregull,- qe përgjigja. Flitej me kod dhe pilotët kërkuan autorizimin për të bërë uljen. Këtu kuptova që fluturimit po i vinte fundi. Përpara dukej heliodromi dhe gazermat e regjimentit. Pilotët bënë me preçizion manovrën e uljes dhe helikopteri u ndal në pistën e ofiçinës që kishte bërë kontrollin mekanik. Të dy pilotët shkuan në dhomën e gatishmërisë, kurse unë e Pandeliu hapëm kokat e motorrit për të parë nëse kishte patur ndonjë rrjedhje sado të vogël vaji. Pandeliu ishte shumë ekzigjent dhe kontrollonte me imtësi sikur kërkonte ndonjë gjilpërë. Më shpjegonte që kujdesi këtu nuk ishte kurrë i tepërt, pasi edhe pakujdesia më e vogël mund të kushtonte jetë njerësish.

    Ky ishte fluturimi im i parë, që e kujtoj me nostalgji. Ndihem krenar që i shërbeva për disa vite armës së aviacionit. Gjithmonë  e kam quajtur vehten si pjesë të regjimentit të helikopterëve, sepse ruaj  kujtime të pashlyera nga ai repart. Edhe tani pas kaq vitesh kujtoj me respekt të veçantë komandantin  Lulo Musaj,komisarin Tomorr Avdia, pilotët Ndue Logu, Selman Meçe, Et’hem Mehmeti ,, Ndoc Selimi, Shyqyri Dashi, Sami Guzina, Sokol Kuçana e dhjetra e dhjetra  të tjerë. Kujtime të veçanta ruaj për  radistin Sadik Muraj, me të cilin ndanim pasionin e të shkruarit nëpër organet e shtypit ushtarak të kohës. Kujtimet e fluturimit të parë mbase kanë mbetur përherë aq të freskëta tek unë, sepse në atë fluturim isha me patriotin tim, por edhe me pilotin e shquar e mikun aq të afërt.

 Kanë kaluar kaq vite, kam lëvizur nëpër shumë vende të botës, kam udhëtuar më avionë të tipeve të ndryshme. Por, kënaqësitë e atij fluturimi mbeten të pashlyera. Edhe tani, kur dëgjoj zhurmën e ndonjë helikopteri, instinktivisht i ngre sytë nga qielli dhe e ndjek një copë herë me sy, se më duket sikur atë e drejton miku im i paharrueshëm Ndue Logu.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.