“”””””””””””””””””””
Ti do të jetosh patjetër!
Ti ec ngadalë, çalë-çalë
e nganjëherë të ndalet fryma,
të tjerë ngjiten,
ti duhet të fluturosh me vetëtima,
pse u dashka që të zvarritesh!
Lartësitë pse po t’i shkurtojnë,
ta ngathin hapin duke ecur,
të nxjerrin bosh,
që mos të jetosh,
por ti lartësohesh patjetër!
Deri sa të jetë kjo tokë mbi glob,
nuk të kafshon çakall as dhelpër,
urrejtja nuk të josh,
s’ta sjell dëshirën për të vdekur,
asnjë kokë bosh!
Ti do të jetosh patjetër!
S’të kap asnjë kafshim nëpërke,
mbi gremina di të fluturosh,
krenare je si shpend i egër,
zvarritjen ta përçmosh!
Ti do të jetosh patjetër!