4.5 C
Tiranë
E mërkurë, 11 Mars 2026

FESTA E BUZMIT TE SHQIPTARËT NË MAQEDONI

Shkruan:
Dr. Bexhet Asani
Fotografitë janë marrë nga studiuesja Vlorë Fetaj Berisha që i ka bërë sot për festën e buzmit në Zym.
Ndër festat më të lashta pagane dhe më të përhapura ndër shqiptarët pa dyshim është festa e buzmit. Kjo festë është ruajtur deri në ditët tona vetëm te shqiptarët e Rekës së Epërme të Gostivarit,ndërsa në viset tjera të Maqedonisë ku jetojnë shqiptarët nuk gjejmë kurrfarë gjurme të kësaj feste,si duket është zhdukur shumë herët. Festa e buzmit në fshatrat e Rekës së Epërme është e njohur si dita e benikut. Në veri të Shqipërisë dhe në disa vise në Kosovë buzmi kremtohet më 24 dhjetor kurse në fshatrat e Rekës së Epërme festohet më 6 janar dhe lidhet me festën e kërshëndellave ortodokse.
Edhe te shqipëtarët e besimit islam në Maqedoni si në Kërçovë, Tetovë, Gostivar, Derven, Shkup, Kumanovë, Veles, Prilep et., për këtë festë është mjaft e pëhapur kënga:
Bozhiç,bozhiç,
Baj dru e diç,
Bluj e gatuj,
Pi veni mo luj. (Zenku,1982:15)
Kurse në Desovë të Prilepit thonë:
Para bozhikut,
mas bazhikut
ku t’jesh
në shpai t’jesh. (Ibrahim,2003:24)
Buzmi apo beniku siç i thonë banorët e Rekës së Epërme është një dru rreth një metër,të cilin e presin në mal djemtë e rinj,por nganjëherë edhe i zoti i shtëpisë. Ata që e sjellin buzmin kur afrohen para shtëpisë dhe e thërrasin të zotin e shtëpisë ose ndonjë anëtar tjetër të familjes,midis tyre zhvillohet ky dialog:
-O zoti i shtëpisë!
-Kush vjen?
-Beniku.
-Kë na bie beniku?
-E vejmë në zjarr,të na lehen më shumë gjem se vasha,fmija mashkull,shqerat femna.(Osmani,1997:16)
Ky dialog dhe këto përshëndetje në këto fshatra na paraqiten dhe në formë të vargjeve:
Ç’i na mbledhke panagjyr,
Panagjyr e për nantë kishë,
N’mat ma shumë e trima t’ri.
N’mat ma shumë e nuse t’reja,
N’mat ma shumë e shqera t’njoma,oooih!(Osmani,1997:17)
Para se të perëndojë dielli buzmin e vënë në vatër që të digjet. Anëve të benikut hedhin nga një lugë gjellë prej çdo gjelle të përgatitur për nder të kësaj feste. Pasi digjet buzmi,të nesërmen hirin e tij e çojnë nëpër rrënjët e pemëve me qëllim që pemët të japin sa më shumë fruta vitin që vjen. Festa e buzmit apo e benikut lidhet me pjellorinë dhe përtëritjen e diellit. Dy shembujt e mësipërm janë mbijetojat e fundit të festës së Buzmit te shqiptarët e Maqedonisë.
Për festën e buzmit të dhëna interesante na jep atë Bernardin Palaj sesi festohet në Veriun e Shqipërisë:
“Dy burra tjerë dalin jashta shtëpije dhe i marrin ata buzma për dy skâjesh tue ndejë njâni mbas tjetrit e ashtu u ngjiten shkallvet deri te praku i derës. Aty i thrrasin të zotit të shtëpís, si t’ishin miq të largët :
– O i zoti i shtëpìs! – Askush nuk u a dredhë gjegjen. Thrrasin së dyti; prap heshtim i plotë prej mbrendanit të shtëpís; kur të thrrasin së treti
– Hojjaa! Përgjigjet i madhi i familjes prej së mbrendanit.
– Po vjen buzmi bujar me dushk e me bar, me gjâ e me mall e me gjith të mirat e Zotit!
– Mirë se u bjen Zoti ! Pastu prù ora me nafakë ! – pergjegjë i zoti i shtepís mbrendë. Tue hym buzmi mbrendë, të gjith misat e shtëpís çohen në kambë; hjekin kapuçat, e ndërsa i zoti i shtepís njéh uratime, dikush blegron si delme, tjetri virrë si dhì, kush pallë si lopë e kush brylekë si kau, fëmija ndjekin me zâ kingjat, edhat e viçat e vathit e kështu s’ prâjnë tue ndjekë me zâ të gjitha shtâzët shtëpiake deri sa të vendohen buzmat në zjarm prej të zotit të shtëpís, i cili me mâ të madhin nderim i mbulon me shpuzë zjarmi, tue i ruejtë mos të digjen skâjesh, pse ato una duhen nesër për me bâ lamin. Atëherë ulet treveza e vihet pija; por përpara do të kryhet edhe një flijim i veçantë. Në nji quk të zgavrruem manakali në trup të buzmit i zoti i shtëpís qet farën e të gjith sendit shka t’i prodhojë toka, tue i a lypë Zotit emën për emën me i a falë secilen farë qi qet n’atë gropëz. Atëherë merr gotën e rakís. Robët e shtëpís rrijnë gjithnji në kambë, ndersa i zoti i shtëpís me gotë të pijes në dorë kështu i falet buzmit bujar, ku kqyrin të gjith pjestarët e familjes:
– Të falemi buzmi bujar! Unë po të falem me krezhmi; ti m’u fal me bulshí e me gjithë të mirat e Zotit; ti me na i falë e me na i bâ nafakë ! – e gotën e parë ia derdh buzmit n’at quk. Mun në ketë kohë e zoja e shtëpís, qi gjindet në tjetrën anë të votrës, qet edhe kjo n’at vrimë të buzmit pak tlynë e pak djathë, tue i u lutë Zotit e buzmit me ia falë bulmetin shtëpísë. Baríjt atëherë qesin përmbi buzma do pipa lejthije për mos me u dalë dybëza dhivet. Zjarmi do të ruhet gjith natën deri të bâhet lami, e askush s’do të frŷjë n’at zjarrm, për mos me thyem era pemët në verë. Mandej ulen të gjithë në tryezë për me darkuem. Ne ketë natë, nuk ka shtëpí sado e vogël ajo të jétë, qi nuk gaton fërlikun e buzmit– nji laknuer petash të grujta e arrash.
Para se me nisë bukën, i zoti i shtëpís i bjen lehtë me sup të krahut të majtë shoqit qi ka për brî, tue uruem me këto fjalë:
– Ar m’arë si duejt n’arë; e ashtu si janë të gjith rreth tryeze përsërisin këto fjalë me rend, tue ndeshë shoqishojnë me supa të krahut. Si të kryhet e ndeshuna e parë, fillon prap i zoti i shtëpís, por në krah të djathtë e vetëm mbasi të kryhet kjo ceremoní, hahet darkë.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.