KOHË FOLJORE
Sa shumë do të doja të isha si dikur,
Kohë e pakryer, kur ty të Dashuroja…
Sot, e kryera e thjeshtë, si një diskurs*,
Të Dashurova belbëzon dridhshëm nga goja!
*diskurs- epilog i dialogëve të gjatë.
PENSIONIZMAT
Më tha dikush që poezitë i nxirrkam përditë,
Si qoftet që konsumoj në mejhane!…
– Të falenderoj për këtë neologjizëm, o njeri
Dhe “pensionizma” po i quaj këto shejtane!
Një kuintesencë për Bilal Xhaferrin sot, mbajtur si Përshëndetje në bibliotekën e qytetit të Elbasanit, në një promovim libri të poetit Namik Selmani, kushtuar kësaj legjende çame, organizuar nga shoqata “Çamëria”:
Bilal Xhaferri – një Yll që s’e lanë të bëhej Supernovë!
– Bilal Xhaferri në letërsi është vetë Çamëria, përfaqësuesi më i spikatur i saj, sidomos me 2 monumentet poetike, “Baladë çame” dhe “Natë çame”!
– Jo rrallë glorifikojmë figura të ndryshme edhe për motive persekucioni, po për Bilal Xhaferrin s’mund ta themi kurrësesi këtë!… Dhe, për argumentim, mjafton të sjell këtu poezinë e tij të shkurtër, “Ti je një pardesy!”, pa asnjë atakim politik për kohën, thjesht sociale, ku ka vetëm art të pastër dhe, të mos harrojmë se jemi në vitet ’60:
TI JE NJË PARDERSY!
Ti je një pardesy,
Te ti fëshfërijnë të gjitha:
mendimet, pardesyja, zemra.
Ti je një pardesy
dhe bota të duket si një sallon mode,
ku parakalon si pardesy
e dalë prej garderobe.
Ti je njeri-pardesy!
Të shoh tek zhdukesh përtej,
fëshfërimë-nëpër erë,
sikur të mos kesh qenë asnjëherë!
…………………………………
– Dhe unë them me mendjen time sot:
Patjetër që, sidomos në atë kohë, Kadareja do t’ia ketë patur zili sidomos këtë poezi!… se Bilal Xhaferri ishte ndër më të talentuarit e brezit të tij!
– Nëse krahina shqiptare e Çamërisë do të kishte një Këngë-himn, ajo do të kishte për tekst poezinë “Baladë çame” të Bilal Xhaferrit!…
– Besoj se ka qenë indicia, frymëzimi nga krijimtaria e Bilal Xhaferrit e, sidomos nga emblema e tij, “Baladë çame”, që dhe unë, para disa vitesh, do të shkruaja:
E AJERTA ÇAMERI
Çamëria është kjo vajzë e brishtë
Që buzët ia prenë tek nëmte gji,
Tamli i gjaktë – rrëkezë e trishtë,
Mbi glob nënshkroi një lemeri!
Por ajo – dhembja e madhe e shekujve,
Karakoll i zhbërë anash deteve,
Mbi ullirin e Odiseut ngriti shtëpi,
Penelopa pellazge, modernia tragjedi!
… Çamëria është kjo grua-sirenë,
Që graviteti i Tokës e kërkon,
Eshtë Arka e Noes që shpirtrat i ngren’
Dhe përmbytjeve të mëdha u mbijeton!
Dhe ajo – magjia e Krijimit,
Mes humnerave gri të harrimit,
E ajërta e zhbërë që s’shihet askund,
Është kudo e një djep ëndrre përkund!
……………………………….
– Bilal Xhaferri s’do të ishte sot pa Çamërinë, për ju e për ne të gjithë, simbol i saj, si në legjendën madhështore të Osman Takës:
OSMAN TAKA
Osman Taka – djalë levend,
Piedestal ke një tepsi,
Mu atje ku të prenë kokën,
U ringrite, Sfinks i ri!
Edhe hidhesh, edhe dridhesh,
Qesh me vdekjen n’një kut vend,
Sikur Botës don t’i thuash:
– Lëshoj rrënjë edhe në shkëmb!