17.5 C
Tiranë
E enjte, 5 Mars 2026

Rita Filipi

Mos qaj për vdekjen, o njeri! Ky ishte fati yt i zi…

– ku ishte parë ndonjëherë në tekste këngësh të mbushura me optimizëm të rremë tralala e lalala një dëshpërim i tillë filozofik?! Sa shpejt harrojnë disa! Në atë kohë festivalesh në vitet e para të demokracisë kur nisën këngëtarët dhe grupet e reja të dilnin e të shpalosnin një mënyrë të re interpretimi, pamjeje, veshjeje (madje dhe zhveshjeje); qëndrimi ndryshe në skenë, filloi një paragjykim mjaft i madh ndaj tyre:

Ç’janë këta?! U prish festivali!

Se ishim mësuar më shumë me këngë, tekste këngësh e qëndrime skematike. Sot kur rikujtojmë ato pak këngë para dhe pas viteve ’90 që kanë mbetur dhe që këndohen edhe nga të rinjtë, kemi harruar atë duzinë pafund që ka shkuar në kosh. Edhe kohët e sotme po nxjerrin këngëtarë, kantautorë, grupe të mira muzikore. Janë të gjitha llojet në tregun muzikor, nga sharlatanët te më të mirët që do të mbeten, dhe, kur mbas 20 viteve do të interpretohen prap në skenë do të themi:

Ah sa të bukura ishin dikur këngët! Sot nuk vlejnë!

Më tolerancë ndaj të resë, më pak nostalgji për të shkuarën, se vetëm kështu mund të shijojmë çka na afrohet në të sotmen e të shkojmë para

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe duke luajtur një instrument muzikor

Në foto Gent Demaliaj (Djemtë e detit)

“””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””

Fragment nga LINDUR SË PRAPTHI – Meqë jemi në prag të 8 dhjetorit

MONUMENTI YNË

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe ambiente të brendshme

Monumenti ynë u vendos në mes të sheshit. Nuk e kuptova se si nga pikturë u shndërrua në monument mermeri. Nuk e kuptova as se si u gjendëm në mes të sheshit para një turme të madhe. Ata në fillim ishin dy, pastaj u bënë tre, pastaj katër, pastaj tridhjetë, treqind, tre mijë… Të gjithë me gurë në duar. Filluan të qëllonin Udhëheqësin e Madh. Ai ishte objektivi i tyre. Neve na binin ciflat e gurëve prej Udhëheqësit të Madh. Papritmas dëgjova oh nga Beni, ah nga Teuta, rënkime nga të gjithë të tjerët dhe buum u dëgjua goditja e një guri mbi ballin tim. Dhembja po bëhej e padurueshme. Trupi i Udhëheqësit të Madh po ndahej përgjysmë. E mund të na zinte poshtë. Filluam të ulërisnim:

– Ndihmëëëë! Ndihmëëëë! Ne s’kemi faj!

Papritur nga mesi i turmës u shfaq një burrë i gjatë, i cili u doli njerëzve përpara me duart lart duke thirrur:

– Mos qëlloni. Ata janë tanët. Po vrasim njerëzit tanë.

Pastaj u afrua pranë nesh dhe tha se ishte doktor dhe donte të na mjekonte plagët. Po ne nuk na kishte dalë asnjë pikë gjak. Para se të ikte, doktori pështyu mbi Udhëheqësin e Madh.

Atë moment u shfaq një vinç gjigant që na ngriti në ajër e na hipi në një kamion të madh. Pastaj na çuan te një shesh fabrike. Aty skulptori mori një daltë e një çekiç dhe filloi të na ndante nga trupi i Udhëheqësit të Madh ku ishim ngjitur. Më erdhi radha mua. Ah, sa po më dhembte. Deri në kockë. Çak-çak çekiçi, dëng-dëng dalta. Ja dhe pak, edhe pak, duro. Shyqyr që anën e majtë të zemrës e kisha të lirë. Po lirohej dhe ana e djathtë. Më në fund skulptori kishte lënë dorën e udhëheqësit mbi supin tim të majtë. Godiste më ngadalë këtu, se puna ishte më e imët për shkak të gishtërinjve të hollë. Më në fund u çlirova. Nuk u largova derisa prita të gjithë shokët, shoqet dhe mësuesit.

Urraaaa, dhe u përqafuam me njëri-tjetrin.

Kishim vrarë frikën, kishte thënë dikush në televizor. Vërtet e vramë?! Koha do ta tregojë, mendova.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.